Qarku i Fierit, hambari i votave
për të majtën dhe gara e ashpë

Qarku i Fierit, hambari i votave<br />për të majtën dhe gara e ashpë
TIRANE - Qarku Fier është një nga dy qarqet më të mëdha në Shqipëri. Ai përbëhet nga 6 bashki dhe 36 komuna. Sipas INSTAT (2013) popullsia e këtij qarku është 304 mijë banorë, nga të cilët 121 mijë banojnë në zonat urbane dhe 183 mijë në zonat rurale.

Numri më i madh i zgjedhësve i përket bashkisë Fier me mbi 67 mijë, ndjekur nga bashkia Lushnjë me 41 mijë, Bashkia Patos me 23 mijë, Bashkia Divjakë me 10 mijë, Bashkia Ballsh me vetëm 8.3 mijë dhe e fundit bashkia Roskovec me 6.3 mijë zgjedhës.

Nga komunat më e madhja është komuna Levan me 12.5 mijë, ndjekur nga Cakran me 11.5 mijë, Tërbuf me 10 mijë etj, për të ardhur në fund me Ngracan me vetëm 722 zgjedhës. Qarku i Fierit ka 16 deputetë, sa gjysma e numrit të deputetëve të qarkut kryesor, Tiranës.
 
17 VJET, E MAJTA QEVERIS POLITIKISHT FIERIN
 
Prej vitit 1996 PD nuk arrin të fitojë më në qarkun e Fierit. Me vetëm dy rezultate pozitive, 1992 dhe 1996, si dhe me pesë zgjedhje të tjera të humbura kombëtare, mund të thuhet se ky qark përbën një nga zonat e hambarit të votave për të majtën.

Nisur edhe numri i mandateve socialistët e konsiderojnë Fierin si antipod të Shkodrës, qytetit ku demokratët llogaritin distancë mandatesh me të majtën. Bazuar në të dhënat statistikore të zgjedhjeve parlamentare e majta në Fier duket se ka diferencë totale minimale, por në leximin politik, diferenca del e dukshme.

Në zgjedhjet e vitit 1991 në Fier fitoi dukshëm e majta, më 1992 të djathtët përmbysën rezultatin në atë që quhet votim referendar për ndryshimin e formës së regjimit. Më 1996 demokratët e thelluan distancën duke fituar edhe mandatin e vetëm të fituar nga e majta e 1992-it. Më 1997 për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që u krijuan në vend, sidomos në zonat e jugut, socialistët dhe aleatët e tyre morën kontrollin e plotë politik.

Të vetmet zona mazhoritare që ende votuan për demokratët janë dy zona në qytetin e Lushnjes, të njohura tradicionalisht për votë të moderuar. Në zgjedhjet e vitit 2001 edhe për shkak të sistemit zgjedhor, kalimit në raunde të dyta, si dhe sidomos skemës së famshme të Dushkut, të majtët kontrolluan të gjitha zonat elektorale. Ata morën 12 deputetë, por praktikisht me votat në zonën 60 dhe lojën taktike aty numri real i mandateve që doli në Lushnjë për të majtën ishte 21 deputetë, - rekord historik i saj.

Në zgjedhjet e vitit 2005 pati tendencë ecjeje drejt një natyre më të balancuar politike, kryesisht për shkak të mbështetjes në Lushnjë, gjë që u konfirmua edhe në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u bënë me sistem të ri zgjedhor. Në këto zgjedhje e majta mori 10 mandate, katër më shumë se demokratët, por një prej mandateve (LSI) iu bashkua qeverisë së djathtë dhe ishte pjesë e qeverisë përgjatë katër viteve.
 
KALIMI NGA POLITIKËT CIVILË, TEK UDHËHEQËSIT MILITANTË
 
Kur lexohet trajektorja e zgjedhjes së deputetëve në Fier, konstatohet lehtësisht tendenca e ecjes nga natyra civile e politikës tek natyra militante e saj, një zhvillim që në një metropol do të duhej të ishte i kundërt. Kështu, në historinë e zgjedhjeve 1992 dhe 1996 dy palët politike sollën në politikë emra të rinj, prurje civile, njerëz nga bota e kulturës dhe përfaqësues të moderuar të debateve publike, teknicientë apo administratorë lokalë.

Më 1997 nisi të ndryshojë kjo tendencë dhe më 2009 u thellua akoma më shumë. Konkretisht, në zgjedhjet e vitit 1997 nga demokratët fituan mandate në Lushnjë vetëm Ilir Bano e Maksim Cikuli, kurse në zonat e tjera fituan kandidatët e majtë: H.Aliko, A.Dade, N.Bilani, P.Koci, F.Xhindi, E.Bejtja, M.Shuli, Y.Bufi, J.Begaj dhe K.Islami.

Në zgjedhjet e vitit 2001 të njohura si zgjedhjet që u vendosën në Dushk, komunë në Lushnje, në mazhoritar socialistët i fituan të gjithaq zonat zgjedhore. Konkretisht siguruan mandate Haxhiu, Koreshi, Malo, Dade, Koci, Çaci, Bufi, Xhindi, Klosi, Bilani, Prifti dhe Islami.

Në zgjedhjet e vitit 2005 socialistët fituan dy herë më shumë mandate mazhoritare sesa demokratët. Konkretisht siguruan mandat parlamentar Artan Dade, Albert Çaci, Petro Koci, Fatmir Xhindi, Ylli Bufi, Blendi Klosi, Rajomnda Stefa e Kastriot Islami. Katër demokratët me mandat ishin Blerim Cela, Mevlan Xhindole, Ilir Bano, Fatos Beja, tre prej të cilëve në zonat e Lushnjës.

Me përjashtim të Banos, tre mandatet e tjera u fituan kryesisht për shkak të rivalitetit brenda të majtës dhe votave që morën në zonat përkatëse kandidatët e LSI-së. Pas 8 vitesh janë ende në konkurrim dhe shanse reale parlamentare Dade, Klosi, Islami, dy në emër të PS si kryesues në Korçë e DSurrës dhe i treti tashmë në emër të PD në Tiranë.

Nga lista humbëse e kandidimit rikthehen Murrizi në Lushnjë, Braho në Durrës (PS), Mihaj dhe Lutaj në Fier, si dhe Dritan Prifti tashmë i pavarur. Më 2005 Prifti mori 4.3 mijë vota ose rreth 1.8 mijë më pak sesa kandidati fitues.

Në zgjedhjet e vitit 2009 për shkak të sistemit të ri zgjedhor dhe rëndësisë së Fierit në ndarjen e mandateve kombëtare pati rivalitet të ashpër midis dy kampeve kryesore politike, shpesh i shoqëruar edhe me tensione, ndërhyrje të policisë dhe akuza për manipulime zgjedhore, siç ishte rasti i Ruzhdijes. Në këto zgjedhje socialistët e ruajtën epërsinë 9 me 6.

Dy kampet politike deleguan aty figura me rëndësi politike, të njohura për aftësi organizative e mobilizuese të pjesës më militante të partive respektive, përkatësisht Gramoz Ruci në krye të listës së PS dhe Sokol Olldashi në krye të listës së PD-së.

Në përfundim të zgjedhjeve, nga PS siguruan mandat G.Ruci, E.Meksi, A. Çaci, F.Tushe, A.Subashi, B.Fino, E.Koci, A.Çuko dhe P.Lutaj. Nga demokratët siguruan mandate S.Olldashi, I.Bano, M.Dode, E.Alibeaj, V.Ngresi dhe F.Beja. Mandati i fundi me nr. 16 u fitua nga kandidati i LSI Dritan Prifti.
 
VOTIMET LOKALE, NGA DISTANCA E THELLË TEK BALANCA POLITIKE
 
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare ku ende e majta është dominuese, në zgjedhjet lokale përfaqësimi politik ka shkuar në drejtim të balancimit politik midis PS-PD. Siç rezulton edhe nga tabela e krahasimeve për njësitë vendore, e majta ka qenë tërësisht dominuese në vitet 2000-2007, por më pas palët kanë ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë drejtimin e njësive vendore.

Më 2007 LSI ishte në koalicion me të majtën dhe fituan vetëm një njësi më shumë se demokratët, më 2011 ata ishin në koalicion me PD-në dhe humbën një mandat më shumë në raport me PS-së. Aktualisht vetëm dy njësi bëjnë distancë numerike midis të majtës dhe të djathtës, kjo, pavarësisht se në total e majta ka mesatare më të lartë përfaqësimi, pothuajse dyfishe.

Për të lexuar më mirë të dhënat e zgjedhjeve lokale le të shohim rezultatet në rang qarku më 2011: Referuar këtyre zgjedhjeve partia më me shumë këshilltarë është PS me 221, ndjekur nga PD me 126, LSI me 53, më pas PDIU me 39, PR me 32, PDS me 31, PDK me 30, PSD me 27, PAD me 19, PSV91 me 18, PAA me 13, G99 me 9 dhe dy partitë balliste me nga 6-8 këshilltarë.

Në bashkinë Fier, socialistët janë dyfish me më shumë mandate ndjekur nga PDIU dhe më pas nga LSI. Në total të njësive vendore, nga gjashtë bashkitë e qarkut demokratët drejtojnë vetëm në Roskovec, që është njëherësh edhe bashkia me numrin më të vogël të zgjedhësve, kurse socialistët drejtojnë në të gjitha bashkitë e tjera. Demokratët kanë më shumë pushtet në komuna, të cilat për vetë specifikën e qarkut kanë rëndësi në votimet parlamentare.
 
BASHKIA FIER, ATY KU FITON PREJ VITESH PS DHE ZEQO
 
Bashkia Fier përfaqëson një nga bastionet kryesore të së majtës në 22 vitet e fundit. Ashtu si edhe Vlorën, demokratët nuk e kanë fituar këtë bashki që prej vitit 1996. Në tre mandatet e fundit vijon të drejtojë i njëjti person, Baftjar Zeqo, një figurë historike e të majtës në Fier, me aftësi komunikuese dhe organizative dhe i papërfshirë në debatet e ashpra politike të ditës në rang kombëtar.

Zeqo e fito garën më 2003, 2007 dhe 2011 pothuajse në çdo rast me rreth 4 mijë vota diferencë nga sfidantët demokratë. Në zgjedhjet e fundit lokale me pjesëmarrje 42% ai fitoi me 16 mijë vota, shifra më e lartë në vite e një fituese bashkie në këtë qytet. Bashkia e dytë me rëndësi, Lushnja, ka njohur kalim tek e djathta në vitet 2003-2007 për shkak të humbjes në zgjedhje të ish kryetarit Myftiu.

Më 2007 PS e fitoi bashkinë duke ia besuar garën kandidatit të sjellë nga LSI, Albert Sanxhaku, i cili më 2011 ishte përsëri kandidat tashmë në emër të koalicionit PD-LSI. Në rastin e parë ai fitoi me rreth 2.3 mijë vota, në rastin e dytë humbi me 3.5 mijë vota përballë një prurje të re politike, Fatos Tushe, ndër të paktët kryebashkiakë që dha dorëheqje nga mandati i deputetit.

Njësoj si Lushnja edhe Ballshi ka njohur një mandat demokrat dhe dy mandate socialiste në 12 vitet e fundit. Diferenca aktuale e kryebashkiakut socialist me sfidantin demokrat ishte vetëm 200 vota, një shifër e lëvizshme në zgjedhjet politike.

Bashkia e tretë, Patosi vijon të jetë, ashtu si edhe Fieri, bastion i socialistëve. Ata e kanë fituar me vështirësi më 2007 (vetëm 136 vota diferencë), por me lehtësi të dukshme më 2003 dhe 2011 me më shumë se 1 mijë vota diferencë. Vlen të theksohet se prej vitit 2011 Patosi është një nga të paktat bashki në vend që drejtohet nga një femër, Rajmonda Balilaj (PS).

Situatë tjetër paraqitet në Divjakë, një zonë me ndikim të së djathtës dhe ku në tre zgjedhjet e fundit protagonist ka qenë një emër: Irakli Gorreja. Ai fitoi herën e parë në emër të PD, më pas fitoi në emër të PBDNJ dhe së fundi e humbi garën përballë kandidatit socialist me një diferencë minimale prej 49 votash, ndërkohë që 88 vota ishin të pavlefshme dhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte 57%.

E vetmja bashki e fituar nga demokratët në zgjedhjet e fundit lokale është ajo e Roskovecit, ku kandidati demokrat Gëzim Çaushi sfidoi socialistin Kola në përpjekjet e tij për mandat të tretë drejtimi. Diferenca e votave midis tyre ishte rreth 500, shifër e lartë për një bashki me 6.3 mijë zgjedhës.
 
SPECIFIKAT E KONKURRIMIT NË QARKUN E FIERIT
 
Nëse Korça, Vlora, Elbasani, Shkodra, etj, kanë një popullsi homogjene, me lidhje të forta dhe të kuptueshme me njëra tjetrën, qarku Fier paraqet rastin tjetër, ku përfaqësohen pothuajse të gjitha krahinat e vendit. Krahas komuniteteve autoktone, aty gjenden komunitete të Labërisë, të Kosovës, të Çamërisë, të Skraparit, etj, duke lejuar edhe përdorimin e këtyre komuniteteve për interesa politike specifike, sa herë kemi zgjedhje parlamentare. Kjo është arsyeja që palët politike shpesh kanë probleme në hartimin dhe sidomos renditjen e listave shumë-emërore për deputet.

Për shembull, nga katër partitë kryesore vetëm FRD i ka rezervuar një nga dy vendet e para elektoratit të Lushnjës. PD dhe PS kanë rezervuar numrin 6 për Lushnjen, - një akt që mund të ketë pasoja elektorale për shkak se Lushnja ka më shumë diversitet votash sesa pjesa bardh e zi e Fierit. E njëjta logjikë vlen edhe për komunitetin kosovar, të konsideruar votues të djathtë.

Në listën e PD gjen dy emra të këtij komuniteti, në atë të PS nuk ka asnjë emër përfaqësues. Tek demokratët gjen më shumë politikanë të lidhur me komunitetin çam sesa tek PS. Tek kjo e fundit gjenden më shumë drejtues vendorë politikë, pra kryetarë degësh dhe figura me aftësi menaxhuese në fushatë elektorale sesa tek e djathta, e cila mundohet të luajë me emra dhe zona specifike.

Një specifikë tjetër me rëndësi dhe simbolikë të veçantë lidhet me faktin se në Fier ka më shumë se kudo tjetër kandidatë me të shkruar të lidhur me policinë, forcat e armatosura apo organet e tjera të sigurisë dhe drejtësisë.

Aty gjendet i vetmi rast kur i viteve të fundit ku një gjeneral heq dorë nga karriera në polici dhe kandidon në zgjedhje, një kryetar gjykate zgjedh garën parlamentare në vend të profesionit, ku garojnë ish drejtori i gardës së Republikës apo që dy listat e partive kryesore drejtohen nga dy ish Ministra të Brendshëm. Vetë ky “detaj” tregon rëndësinë që palët i kushtojnë forcës, votës, sigurisë dhe mentalitetit të dominimit mbi palën tjetër.

Një specifikë tjetër lidhet për keqpërdorimin e biznesit në politikë. Ekzistojnë parti dhe kandidatë, të cilët mbështetjen e tyre elektorale e bazojnë kryesisht në pazarin e votave, pra në blerjen e tyre ose marrëdhëniet klienteliste me komuna e komunitete të caktuara. P.sh, është i njohur fakti se një deputet deklaron publikisht se shpërndan bursa me para, bën veprime humanitare, blen lopë për fshatarët apo gjela deti në periudha festash, natyrisht të gjitha me synim politik dhe elektoral, në këmbim të votës për në parlament.

Parcelizimi përmes krahinave, biznesit, lidhjeve klienteliste, etj është shprehur edhe në vota specifike. Duke lexuar votimet parlamentare në 3-4 zgjedhjet e fundit gjithnjë gjenden parti të vogla që kanë fituar një numër të konsiderueshëm votash thjesht nga drejtuesi i listës dhe lidhjet e tij personale me ndonjë komunitet/grup të caktuar lokalë.

Këta individë shpesh kanë ndryshuar parti, duke ruajtur pothuajse të njëjtin numër votash dhe duke tregtuar kështu edhe përfaqësimin klientelist që atyre u bëhet. E njëjta dukuri përsëritet edhe më 2011, në disa parti të vogla politike, ku kryesuesit e listës janë individë që më 2009 kanë konkurruar dhe janë votuar për parti të tjera politike.
 
PËR CILËT DEPUTETË VOTOHET NË QARKUN FIER ME 23 QERSHOR?
 
Për shkak të sistemit zgjedhor dhe paraemërimit të një pjese të deputetëve që bëjnë pjesë në krye të listave elektorale të partive kryesore mund të thuhet se janë bërë zgjedhur tashmë 11 prej 15 deputetëve. Ata janë 4 deputetë nga PD (një prej të cilëve është kryetari i PDIU) përkatësisht Sokol Olldashi, Mesila Doda, Kosma Dashi dhe Shpëtim Idrizi.

Nga PS kanë siguruar mandat tashmë 7 deputetë: Gramoz Ruci, Erion Brace, Englantina Gjermeni, Ilirjan Celibashi, Armando Subashi, Arben Çuko dhe Piro Lutaj. Rivaliteti i ashpër midis dy palëve lidhet me katër mandatet e mbetura. Nëse rezultati mbet i njëjtë: 10:6 për të majtën atëherë janë disa kandidatë pretendentë për këto mandate, jo vetëm nga listat e dy palëve kryesore, por edhe nga listat e partive në koalicion.

Jashtë tyre kemi një rivalitet aktiv edhe të partive të reja politike, FRD dhe AZ. Kandidati i kësaj të fundit ka bërë marketing elektoral dhe ka pasur një bilanc pozitiv votash edhe në zgjedhjet e kaluara, por gjithsesi shanset për një mandat më 2013 janë vetëm teorike. Ndryshe paraqitet situata për FRD-në.

Kandidati i saj kryesor drejtuesi i dhomës së tregtisë, Shezai Cobo ka bërë një fushatë shumë aktive dhe të suksesshme, duke tentuar të tërheqë elektorat nga të gjitha krahët e politikës, si dhe të pjesës së pavendosur. Pretendimi i tij shkon për një mandat parlamentar dhe lidhet edhe me faktin se ndryshe nga tre partitë e tjera të mëdha, vetëm ai është kandidat nga zona ku kandidon, si dhe ka përvojë e lidhje të forta lokale.

Gjithësesi në garën për katër mandatet e mbetura janë disa emra kandidatësh: nga PS janë në garë Majlinda Bufi, Ervin Koci dhe Anduel Xhindi. Nga PD janë ende në garë Bedri Mihaj dhe Myslim Murrizi. Nga PDIU është pretendent në garë Omer Mamo, nga Aleanca Popullore pretendon mandat Nimet Musaj, nga LSI kërkon mandat Petrit Vasili, vetë kandidati i pavarur Dritan Prifti synon të rizgjidhet, ndërkohë që edhe parti të tjera të vogla kanë pretendime.

Interesant është fakti se nëse p.sh, PDIU siguron mandat atëherë ajo ia merr atë PD-së, duke arritur dy deputetë në Fier. Megjithëse komuniteti çam ka mbështetje në Fier, (4.7 mijë vota më 2009) kalimi i kandidatit të parë të saj në listën e aleatëve të PS-së pritet të sjellë ndarjen e votave dhe pasojë direkte, pamundësinë e dy palëve për mandat shtesë, në koalicionin e majtë apo të djathtë.

Gjithashtu, nëse Prifti merr vota të majta dhe nuk siguron mandat, atëherë dëmi që i shkakton të majtës mund ta pengojë atë të pretendojnë mandat tjetër përveç numrit 10 të konfirmuar në zgjedhjet e kaluara. Rol deciziv do të ketë edhe vota e FRD dhe shumë më pak ajo e AZ, kjo e fundit vetëm për të ditur nëse tërheq vota të majta apo të djathta.
 
IKJA E KRYETARËVE PARTIAKË NGA FIERI
 
Në statistikat e viteve 90 ka ndodhur shpesh që kryetarë ose drejtues të rëndësishëm politikë të partive të zgjedhin Fierin për të kandiduar. Tritan Shehu (PD) ka qenë kandidat e fitues në Lushnjë, Gramoz Ruci (PS) vijon të jetë në krye të listës së Fierit, Shpëtim Idrizi (PDIU) është gjithashtu në listë të sigurt, Fatmir Mediu (PR), Skënder Gjinushi (PSD) etj kanë provuar kandidimin në vite dhe tashmë janë vendosur në qarqe të tjera.

Së fundi, një test për kandidim në Fier bëri edhe kreu i LSI-së Meta, për të cilin u tha se ka hapur zyrën elektorale atje, por me ndryshimin e minutës së fundit dhe kalimin e saj tek PS, situata ndryshoi dhe ai u zhvendos për në Tiranë. Arsyeja kryesore e zhvendosjes lidhet edhe me pasigurinë e mandatit në qarkun ku të gjithë pretendojnë dhe ku të gjithë dalin të zhgënjyer.

Rast i bujshëm ishte edhe zëvendësimi në minutat e fundit e numrit dy të AZ, Myslym Pashaj nga lista drejtuese e Fierit, si dhe ndryshimet drastike që ndodhen në listën e PDIU dhe më pas edhe të partisë politike që doli prej të pakënaqurve të saj, Aleancës Popullore.

Edhe partia e vetme politike e drejtuar nga një politikan fierak, PSV91 me Petro Kocin, nuk është më konkurruese për shkak të zgjedhjes për tu shkrirë brenda koalicionit të opozitës, si dhe de facto edhe për shkak të vështirësive për mbijetesë politike në një zonë të njohur për votë politik bardh e zi.
 
SA VOTA DUHEN PËR NJË MANDAT NË FIER?

Sistemi ynë zgjedhor është disproporcional jo vetëm midis qarqeve por edhe në llogaritjen e votave për një mandat parlamentar, në garën midis koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore dhe më pas në garën e brendshme brenda partive të koalicionit. Siç rezulton nga tabela e llogaritjes së mandateve për koalicionet dhe më pas për llogaritjen e mandateve brenda koalicionit, për partitë e sotme që janë jashtë koalicioneve (FRD, AZ dhe D.Prifti) nevojiten të paktën 10200 vota.

Për partitë në koalicione, si tek e majta ashtu edhe tek koalicioni qeveritar nevojiten minimnalisht 5100 vota. Tabela tregon se PSD tek e majta me 3.2 mijë apo PDI tek e djathta me 4.66 mijë vota më 2009, nuk arritën të sigurojnë mandate parlamentare.

Nëse i referohemi zgjedhjeve të vitit 2009 socialistët fituan rreth 30 mijë vota më shumë sesa demokratët, por për shkak të koalicionit që ato përzgjodhën kjo diferencë u ndryshua me minus 10 mijë vota. Përveç PDIU me 4.6 mijë vota, tek aleatët e PD-së morën 3.7 mijë vota PR, 2.7 mijë vota PLL dhe 1.7 mijë vota PAA. Tek e majta aleatët që morën vota janë PSD 3.2 mijë vota, G99 me 1.2 mijë vota.

Jashtë dy koalicioneve të mëdha, LSI shënoi rekord me 10.8 mijë vota e vetme, si dhe rezultat simbolik shënoi LZHK me 2 mijë vota. Kryesuesit e shumicës së listave të partive të vogla kanë ndryshuar parti dhe më 2013 konkurrojnë nën sigla të tjera, përfshirë edhe kreun e LSI Prifti, tashmë kandidat i pavarur dhe sfidat edhe i numrit dy të LSI-së, ish ministrit Petrit Vasili.
 
KËRCËNIMET E ZGJEDHJEVE NË FIER
 
Gjatë fushatës së deritanishme elektorale në Fier është shënuar incidenti më i rëndë, akti i dhunës publike të një familjari të një kryetari bashkie ndaj një kandidati të opozitës, Hoxhës së FRD-së. Kërcënime janë bërë edhe ndaj kandidatëve të tjera, (rasti Prifti) dhe nuk ka pasur ndonjë reagim shtetëror ndaj tyre, madje në rastin e Roskovecit nuk pati as distancim publik të mazhorancës ndaj aktit të dhunës.

Dhuna dhe mënyra sesi autoritetet shtetërore fillimisht e injoruan dhe më pas morën anën e palës së akuzuar, përbën një sinjal negativ për zgjedhjet dhe rolin e institucioneve të pavarura të ngarkuara nga ligji në faza të ndryshme të administrimit të procesit, të fushatës dhe të votave. Për shkak të interesit specifik të dy palëve në Fier, ekzistojnë pritshmëri edhe për përsëritjen e situatave të vitit 2009 për përplasje deri civile midis shtabeve elektorale të forcave kryesore politike.

Përfshirja në këtë garë edhe e disa kandidatëve lokalë, të njohur për probleme në kartelat e tyre të sjelljes dhe aktivitetit ligjor, si dhe investimet e mëdha private që po bëhen në fushatë, e bëjnë atë dyfish një terren të përshtatshëm për incidente zgjedhore. Kjo është edhe arsyeja që vetë ambasada amerikane ka zgjedhur Fierin si zonën ku do ketë përqendrimin kryesor vëzhgues gjatë ditës së votimit dhe procesit të numërimit të votave.

Elementi i tretë negativ lidhet me dështimin e projektit të njohur të numërimit elektronik. Aplikimi i këtij projekti u trumbetua si sukses e risi e zgjedhjeve, por blerja e pajisjeve me miliona euro dhe dështimi i testeve dhe më pas edhe i gjithë projektit, përveç kostos së madhe financiare për qytetarët, i heq atyre një element me rëndësi të madhe në sigurinë dhe besueshmërinë e integritetit të zgjedhjeve.

Në favor të kësaj teze shkojnë edhe disa përpjekje devijimi nga standardet, siç ishte vendimi i njëanshëm i KQZ për të tentuar numërimin e votave të qytetit të Fierit jashtë territorit të qytetit, gjë që u ndalua me ndërhyrjen e Kolegjit Zgjedhor.

FAKTORË PRO QEVERISË
 
● Faktori kryesor pro qeverisë mbetet balancimi politik i zgjedhjeve lokale dhe marrja më pas prej saj edhe e institucionit të Qarkut, për të cilin u bë debat i madh politik gjatë vitit të kaluar. PS pati vendosur kusht për tre ligjet rikthimin e drejtimit të Qarkut nga socialistët, por ligjet u miratuan dhe asgjë nuk ka ndryshuar, edhe sepse kalimi në opozitë I LSI-së ka ndryshuar tërësisht raportet e përfaqësimit politik. Gjithsesi përdorimi administrativ i pushtetit, i aseteve të tij material, financiare dhe njerëzore, vijon të mbetet investimi kryesor ku demokratët presin konfirmimin e mandatave të saj të vitit 2009.

● Argumenti i dytë tashmë slogan elektoral, mbeten investimet infrastrukturore. Përmes një ceremonie të madhe kryeministri përuroi këto ditë edhe pjesën që lidh autostradën midis Vlorës e Fierit, një kërkesë e hershme e banorëve të kësaj zone. Nuk ka punime, nuk ka para dhe as afat konkret, por përurimi pak ditë përpara zgjedhjeve mund të ketë kosto tek pjesa e pavendosur apo e përfshirë direkt në përfitimet e këtij projekti. E njëjta gjë vlen edhe për investimet publike të kryera në zona të ndryshme të qarkut, kryesisht sipas interesave elektorale dhe hartës së miratuar nga kreu i shtabit të kandidatëve të zonës, ministri që mbulon infrastrukturën dhe fondet publike për të.

● Një faktor ndihmës për demokratët është kandidimi i D.Priftit nën siglën e pavarur. Çdo votë e tij konsiderohet votë e majtë që nuk shkon tek PS, ndaj është e pritshme që fushata e tij të mbështetet indirekt nga qeveria, siç ka ndodhur me çdo rast të njëjtë këto 22 vite dhe siç po ndodh edhe tani jo vetëm në Fier. Nxitja e përçarjes brenda të majtës, nëse funksionon, mund të ketë ndikim në llogaritjen finale të votave për të pamundësuar mandatin e 10 të socialistëve dhe aleatëve të tyre.

● Argumenti i fundit lidhet me listat elektorale. Ndonëse në rang qarku jo cilësore, PD riktheu disa emra (Lushnjë, pjesa kosovare, etj) dhe la jashtë listës emra cilësorë politikanësh si Aliebeaj, vetëm e vetëm që të ketë në listën prioritare përfaqësues të atyre komuniteteve që mund të kenë shkallë më të lartë mobilizimi elektoral përballë të majtës. Pra ajo nuk kërkoi fushatë në bllok, por fushatë selektive, në zonat ku ndodhet më e fortë dhe ku ka shanse të ndërhyrje direkt dhe indirekt në procesin e votimit dhe administrimit zgjedhor. Kjo formë ka ndikuar më 1997dhe 2005 dhe mund të ketë ndikim edhe tani, sidomos kur bëhet fjalë që rivaliteti kryesor bëhet brenda të njëjtit elektoral të majtë duke lënë pjesën tjetër zbuluar.
 
FAKTORË PRO OPOZITËS
 
● Faktori kryesor i opozitës mbetet ai politik. Zhvendosja e liderit të PS Rama në Vlorë me mesazhin krahinor dhe ideologjik të një vote në bllok kundër kryeministrit, duket se do të ketë ndikim edhe në votimin politik në qarkun e Fierit. Kjo është arsyeja që PS aty ka krijuar një ekip politik solid dhe përfaqësues, dhe ndryshe nga qarqet e tjera, ka rikandiduar pothuajse të gjithë listën e vjetër elektorale, - të gjithë ata politikanë me lidhje të fortë me zonën elektorale ku punojnë prej 4-5 vitesh.

● Faktori i dytë mbetet administrimi politik i bashkive kryesore. Demokratët dominojnë fshatin dhe PS dominon bashkitë, ndaj një votë masive në qytete mund të bëjë diferencën edhe për shkak se në bashki si Fieri, demokratët ndodhen shumë larg votave politike të opozitës. Bashkimi i këtij potenciali politik me atë të LSI, si dhe arritja me sukses e ndarjes së votës çame në dy parti politike, e rrit probabilitetin e të majtës për të ruajtur votat e veta dhe pretenduar mandatin e dhjetë.

● Fajtor i tretë mbeten problemet e keqqeverisjes nga PD sidomos gjatë mandatit të fundit. Loja me punësimet dhe presionet në kompani publike dhe institucione arsimore e shëndetësore ka qenë shpesh lajm skandal në media dhe natyrshëm që pritet të ketë kosto elektorale. Vetë PD në nivel lokal në Fier nuk ka emra të njohur dhe nuk ka arritur të krijojë profile politike me energji të reja, duke mbetur tek emrat e vjetër dhe prurjet e imponuara nga Tirana. Duke e bazuar forcën tek forca e pushtetit, janë lënë tërësisht jashtë vëmendjes nevoja e reformimit dhe prurjeve të reja. P.sh, me përjashtim të mjekut Mihaj, ish kandidat por i pakonsumuar, asnjë emër tjetër nuk vjen nga sfera civile dhe jomilitante e kësaj partie, gjë që nuk ka dhënë dhe nuk pritet të japë efekt as tani në zgjedhjet në nivel qarku. Vetë PS solli në listën e saj disa emra moderatorë, siç janë Gjermeni dhe Celibashi, dhe që janë prurje të reja për qarkun e Fierit. Lënia jashtë e ndonjë deputeti me disa mandate por pa gjurmë politike në publik e memorien politike, dhe zëvendësimi me këto prurje, mund të synojë tërheqjen e votuesve të pavendosur, gjë që shkon tërësisht në interes të saj.

● Faktor me rëndësi në vendimmarrjen politike në Fier pritet të jetë edhe FRD, parti e cila përveçse të nxjerrë jashtë garës kandidatin e pavarur, mund të ndikojë dukshëm në përcaktimin e mandatit të mandatin e 16 të qarkut Fier. Incidenti i dhunshëm me kandidatin e saj Hoxha vetëm sa tërhoqi vëmendjen e politikës dhe medias nga Fieri dhe ishte dëshmi se PD dhe FRD ndodhen në konkurrencë të ashpër për çdo votë, madje edhe në një zonë periferike siç është ajo përreth Roskovecit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

15 gola në Kategorinë e Parë, kush është sulmuesi që nxit garën mes Skënderbeut dhe Partizanit

15 gola në Kategorinë e Parë, kush është sulmuesi që nxit garën mes Skënderbeut dhe Partizanit