Qarku i Vlorës përmbledh 7 bashki dhe 19 komuna, por një territor me largësi gjeografike që nis në Urën e Mifolit dhe përfundon në kufirin me Greqinë. Sipas INSTAT (2013) popullsia e Vlorës është 173,130 mijë banorë, nga të cilët 166 mijë jetojnë në zonat urbane dhe vetëm 56 mijë në zonat rurale. Bashkia Vlorë ka numrin më të madh të zgjedhësve, mbi 100 mijë, ndjekur nga bashkia Sarandë me 31.5 mijë, Komuna Qendër Vlorë me 13.6 mijë, Komuna Novoselë me 11.9 mijë, Bashkia Delvinë me 11 mijë, Bashkia Himarë me 10.6 mijë, Bashkia Orikum dhe komuna Livadhja me nga 8.3 mijë, Komunat Shushicë, Ksamil dhe Aliko me nga 6.7-7 mijë zgjedhës. Bashkia Selenicë ka rreth 5.2 mijë zgjedhës dhe në fund bashkia Konispol me vetëm 2.3 mijë zgjedhës. Në parlamentin e vitit 2013 Vlora përfaqësohet me 12 deputetë, njësoj sa edhe qarku i Korçës.
PS-PD, RËNIA E MONOPOLIT DHE NDARJA ME DY MANDATE
Zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1996 u dominuan tërësisht nga PD. Vlora, nga një prej qyteteve më të lidhura me sistemin komunist, u bë gjatë këtyre viteve një nga bastionet kryesore të demokratëve. Ndaj demokratët fituan jo vetëm mandatet e plota parlamentare por edhe mandatet e drejtimit në bashkitë kryesore, përfshirë Bashkinë Vlorë. Ngjarjet dramatike të vitit 1997 e përmbysën këtë bilanc dhe krijuan një Vlorë tjetër politike, - tërësisht të majtë.
Që prej vitit 1997 demokratët nuk kanë arritur më të jenë mazhorancë në qarkun e Vlorës, madje as të ngushtojnë diferencën minimale prej 10 mijë vota minus me PS. Tabela e zgjedhjeve parlamentare në vote dëshmon se socialistët janë në avantazh më të lehtë dhe të qëndrueshëm ndaj demokratëve. Ata kanë humbur çdo mandat në dy zgjedhje dhe kanë fituar cdo mandat në dy zgjedhje të tjera. Diferenca e dukshme u ruajt edhe më 2005, kurse më 2009, me sistemin e ri zgjedhor, palët ndodhen vetëm dy mandate parlamentare larg njëra tjetrës.
Referuar të dhënave nominale më 1997 PS fitoi të gjitha mandatet e Vlorës, rezultat që u përsërit edhe më 2001. Në zgjedhjet e vitit 2001 deputetët socialistë A.Malaj, M.Malaj, F.Shabani, A.Myslymi, E.Alushi, S.Brokaj, Th.Bej, G.Ruçi apo S.Cipa, shumica protagonistë në ngjarjet e vitit 1997, fituan mandate të pastra mazhoritare me diferencë të thellë me kandidatët demokratë. Asnjë zonë nuk kaloi në balotazh, ndërkohë që në zona specifike diferenca e votave luhatej nga 2 në 3 mijë vota. Në Sarandë rivalitetit PS-PD iu shtua edhe rivaliteti me PBDNJ. Kandidati i kësaj partie në Himarë (Bollano) mori 1.9 mijë vota, Lluci në Sarandë mori 1.2 mijë vota, Çakuli në Sarandë mori 1.3 mijë vota, kurse Miço në Sarandë e Delvinë mori 2.5 mijë vota.
Nga kandidatët socialistë të vitit 2001 vetëm Gramoz Ruçi (PS, Fier) dhe Arben Malaj (i pavarur – Vlorë) kanë arritur të mbijetojnë garës parlamentare. Stefan Çipa është kryetar bashkie në Sarandë, Theodhori Bej nuk jeton më, kurse të tjerët janë jashtë politikës. Nga kandidatët demokratë asnjë prej tyre nuk ka mbijetuar politikisht dhe nuk është në garën elektorale të vitit 2013, madje pjesa më e madhe e tyre nuk janë më as anëtar aktiv në PD.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, zgjedhje që sollën rotacion politik, demokratët fituan vetëm dy nga tetë mandatet e qarkut të Vlorës. Ashtu si më 2013 edhe më 2005 kryetari i PS vendosi të konkurrojë në këtë qark, konkretisht në Sarandë (Fatos Nano) dhe aktualisht në Vlorë (Edi Rama), duke forcuar votën e majtë politike. Në listën e fituesve të zgjedhjeve 2005 rikonfirmohen vetëm Arben Malaj dhe Stefan Çipa, i pari në Vlorë, i dyti në Sarandë, ky i fundit falë 2.9 mijë votave të Miços së PBDNJ-së.
PS sjell dy deputetë të rinj, Besnik Dervishi e Arben Isaraj, si dhe ndihmon në fitoren e mandatit të kandidatit të përbashkët me PBDNJ, Spiro Peçi. Nga demokratët, fitues janë dy emra të rinj, Ardjan Kollozi dhe Bujar Leskaj. Në Sarandë konkurroi e fitoi Fatos Nano me 2.5 mijë vota më shumë ndaj Besnik Aliajt të PD-së. Me gjithë fitoren në shumicë të socialistëve rezultatet në mazhoritar flasin për ruajtje të diferencave nga 1-3 mijë vota në çdo zonë elektorale. Nga kandidatët fitues të PS dhe PD 2005 konkurrojnë më 2013 vetëm Kollozi dhe Malaj, ky i fundi i pavarur. Nga kandidatët jo-fitues të vitit 2005 konkurrojnë sërish edhe më 2013 vetëm Arjan Dhimertika (PD) tashmë në emër të FRD-së, si dhe Skënder Gjinushi kryetar i PSD.
Tabela e mëposhtme paraqet ndarjen e votave brenda partive dhe koalicioneve për mandate parlamentare në zgjedhjet e vitit 2009. Sipas formulës së ndarjes rezulton se socialistët dhe demokratët kanë pasuar njëra- tjetrën në pesë mandatet e para, në pjesën e mesme të votave kanë zënë vend PBDNJ dhe PDI dhe se shanset për partitë aleate për një mandat parlamentar rriten nëse ata do të arrijnë të fitojnë mbi kufirin e fundit të mandatit prej 4300 votash. Në zgjedhjet 2009 PD fitoi 30,310 vota dhe përfitoi 9 mijë vota nga partitë aleate.
(Në foto mesatarja e deputetëve në Qarkun e Vlorës nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në vitin 2009)
Për shkak të sistemit zgjedhor një mandat e fitoi Dashamir Tahiri (PDI) me 4932 vota ose 4.6% të votave në rang qarku. Nga ana tjetër, PS fitoi 47294 vota, rreth 17 mijë vota më shumë sesa PD dhe 11 mijë vota më pak sesa koalicioni politik që ajo udhëhoqi. Nga partitë e koalicionit më shumë vota fitoi PBDNJ, e cila me 6068 vota fitoi mandatin parlamentar të kreut të kësaj partie, Vangjel Dule. PBDNJ ishte partia e tretë edhe në rang qarku, duke lënë pas LSI, e cila mori vetëm 3810 vota, PSD me 2677 vota, PDK me 1807, PDS me 1186 vota, PR me 1222 vota, si dhe PSV 91 me 1027 vota. Më 2013 LSI, PSD, PDS, PBDNJ dhe PSV91 janë bashkuar me PS, kurse PR, PDIU dhe PDK janë pjesë e koalicionit të PD.
Nga lista e kandidatëve fitues më 2009, bie në sy fakti se PD vendosi në krye të listës kreun e grupit të saj parlamentar, ish-deputetin e Vorës Astrit Patozi, si dhe një figurë me përvojë elektorale në Sarandë, përfaqësues i komunitetit çam, Leonard Demi. Fitues ishte kreu lokal Kollozi dhe ish futbollisti i njohur Kreshnik Cipi. Jashtë listës mbetën emra edhe më të njohur, përfshirë ish- ministrin e parë vlonjat të kulturës në 100 vjet shtet, Bujar Leskaj.
Nga lista e PS ruajtën mandatin përfaqësues Malaj dhe Isaraj. Nga qëndra u dërguan aty Shpëtim Idrizi, një politikan i majtë i ardhur nga komuniteti çam, si dhe tri prurje të reja, aktorja e njohur Luiza Xhuvani, botuesi Fatmir Toçi si dhe kreu i PS-së lokale Eltar Deda. Në këtë qark, nga lista e koalicionit me PD e PS fituan mandate njëkohësisht dy politikanë me programe të kundërta politike, Tahiri i PDI dhe Dule i PBDNJ.
(Në foto djathtas harta e Qarkut të Vlorës majtas lart harta e Shqipërisë)
QEVERISJA VENDORE, E MAJTA DYFISH NË AVANTAZH
Kur analizohet përfaqësimi në qeverisjen vendore në qarkun Vlorë merren në konsideratë disa faktorë, përfshirë aleancat politike. Ekzistojnë njësi vendore në zonën e Sarandës ku PBDNJ është dominuese dhe rivale e saj mbetet vetëm partia e re politike, MEGA. Kjo parti pati përfaqësim të gjatë në Selenicë apo në Aliko, si dhe sidomos në Himarë. Faktor tjetër është raporti i rivalitetit midis demokratëve e socialistëve, kryesisht në bashkitë kryesorë Vlorë e Sarandë.
Demokratët shpeshherë krijojnë koalicione me partitë nacionalistë, sidomos PBK në disa njësi, me synim maksimalizimin e votave, kurse vitet e fundit është konstatuar tendenca e çdo pale për të tërhequr biznesmenë në garën për drejtues të njësive vendore. Gjithsesi në një raport krahasues të përfaqësimit vendor në 12 vitet e fundit rezulton se edhe Vlora vijon të jetë një zonë kryesisht e majtë.
Nëse më 2000 demokratët nuk fituan në asnjë njësi vendore dhe më 2001 në asnjë zonë elektorale, më 2007 dy vjet pas rotacionit politik ata dominuan jetën politike lokale me rreth 20 njësi bashkiake të drejtuara prej saj, shifër rekord që nga 1996. Zgjedhjet e fundit kanë rikthyer PS-në dominuese në 18 njësi, shifër që përbën mesataren e palëve në 12 vite dhe që natyrisht do të ketë pasoja direkte edhe në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Bashkia Vlorë vijon të jetë që nga viti 1998 bastion i së majtës. Së fundi, në tre mandate vijon të drejtojë Shpetim Gjika, i cili më 2003 sfidoi Bisholën me 4 mijë vota diferencë, më 2007 Alimerkon me 6 mijë vota diferencë dhe më 2011 Kollozin me 5 mijë vota diferencë. Tipar për votimet në këtë rast është pjesëmarrja e ulët në votime, me një mesatare prej vetëm 35% në tri zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet e fundit Gjika ka marrë 5 mijë vota më shumë sesa më 2007, kurse PD falë edhe ndihmës së LSI e rriti numrin e votave më 2011 nga 12 në 18 mijë.
Nëse Vlora ishte dhe mbetet e majtë, Saranda dhe sidomos Delvina përfaqësojnë të kundërtën. Gjatë dy mandateve bashkia Sarandë u drejtua nga kandidati i djathtë Edmond Gjoka, me fitore të ngushta me rreth 300-600 vota. Ai konkurroi pa sukses për mandatin e tretë, i cili u fitua nga Stefan Çipa, një ndër politikanët e vetëm në Shqipëri që heq dorë nga politika qendrore për të konkurruar në politikën lokale. Më 2011 Çipa fitoi mbi koalicionin PD-LSI me rreth 2.3 mijë vota diferencë, por edhe në Sarandë pjesëmarrja në votime asnjëherë nuk ka qenë më shumë sesa 39% e zgjedhësve. Bashkia Delvinë vijon të drejtohet nga PD, më 2003 Jupi dhe në dy zgjedhjet e fundit nga Alinani me diferencë prej 1 mijë votash ndaj socialistëve.
Bashkia e tretë e madhe Himara përbën përjashtim nga rregulli: pas drejtimit të Bollanos (i zgjedhur njëherë me ndihmën e PD dhe njëherë me ndihmën e PS) më 2011 ai u sfidua nga rivali i tij i vitit 2003, Jorgo Goro (PS) me 102 vota, ndërkohë që MEGA mori 144 vota dhe 117 vota të tjera ishin të pavlefshme. Bashkia Orikum kaloi nga PS tek PD dhe së fundi përsëri tek PS (Capoj) duke e lënë PD në vendin e tretë për shkaqe specifike që lidhen me trazirat e pronësisë mbi tokën. Në Selenicë dominoi dy mandate PBDNJ me Seferin, por ai u mund në konkurrimin e tretë më 2011 nga kandidati socialist Aligjoni me vetëm 177 vota. Në Konispol surprizë është fitorja e një femre (Mimoza Arapi PS) më 2011 ndaj kryetarit paraardhës Mulla të PD-së.
2013: E DJATHTA E NJËJTË, E MAJTA ME LISTË SUPRIZË
Në zgjedhjet e tanishme parlamentare PD ka bërë ndryshime të lehtë në listën e saj të kandidateve, ndryshe nga socialistët të cilët sollën surpriza dhe krijuan debate të gjata publike mbi ndryshimet radikale në listë. Tek PD ndryshimet e vetme ishin heqja e deputetit Cipi, pa ndonjë bilanc parlamentar si dhe e politikanit të karrierës Demi, si dhe zëvendësimi i tyre nga ish kreu i KQZ Arben Ristani si dhe pedagogia Liljana Elmazi, vajza e ish deputetit Abedin Elmazi, nga komuniteti çam.
Interesat është fakti se kreu lokal Kollozi, i cili dështoi në zgjedhjet për bashkinë Vlorë më 2011, ndryshe nga tradita, nuk është në krye të listës por në tre vende më poshtë, ndjekur nga drejtori i shëndetit publik L.Sinani. Në listën plotësuese, pa shanse mandati gjenden edhe emra të njohur më parë publikisht, siç është ish- anëtari i KQZ-së në emër të një partie tjetër politike, PDK.
Tek PD ndryshimet ishin të shumëfishta: së parti sepse në krye të listës është kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe pasues i tij është ish kreu i grupit parlamentar Valentina Leskaj si dhe biznesmeni i njohur Koço Kokëdhima. Ruan vend të sigurt aktorja Xhuvani si dhe botuesi Toçi, ndërkohë që me marrëveshje i jepet vend në listën e PS-së kandidatit të sjellë nga PBDNJ Andrea Marto. Emrat e tjerë të listës janë drejtues lokalë të PS-së, si dhe ish aktivistë të FRESH ose G99.
Siç shihet nga lista, janë lënë jashtë listës deputeti Malaj, Deda dhe Isaraj, gjë që solli kandidimin e Malajt si i pavarur kundër partisë së tij historike politike. Në një rast tjetër (kur Rama të mos kandidonte në Vlorë) Malaj do të mund të ishte shumë më kërcënues, por në rastin konkret, ka arsye të besohet se socialistët në pjesën dominuese të tyre janë të gatshëm të lënë pas qejfmbetjet lokale për shkak të përfaqësimit në nivelet e larta të politikës shqiptare.
Qarku Vlorë ofron edhe emra të tjerë suprizë dhe konkurrues në listat elektorale të partive të vogla aleate, gjë që ndodh kryesisht për shkak të përpjekjeve të tyre për të përfituar mandate nga gara në grup brenda llojit. Ish kreu i PD-së Agron Sharra konkurron në krye të listës së PDK-së, ish deputeti socialdemokrat Bejtja kryeson listën e Vlorës në emër të partisë së tij, Tahiri i PDIU vijon të jetë konkurrues, ashtu si edhe lista e LSI e drejtuar nga Shkëlqim Selami apo e PBDNJ-së e drejtuar nga Vangjel Dule. Pas këtij të fundit konkurron edhe Bollano i njohur i Himarës, kurse kundër të dyve konkurron kreu i MEGA, Kristo Kiço.
PËR CILËT DEPUTETË BËHEN ZGJEDHJET ME 23 QERSHOR NË VLORË?
Për shkak të ligjit elektoral janë zgjedhur tashmë 8 deputetë: Rama, Leskaj, Kokëdhima, Xhuvani dhe Toci të PS-së, si dhe Patozi, Ristani, Elmazi të PD-së. Beteja elektorale bëhet në dy nivele: midis të majtës dhe të djathtës për të thelluar rezultatin në 8:4 ose për të mbajtur rezultatin aktual 7:5, si dhe midis aleatëve brenda të majtës dhe atyre brenda të djathtës për të siguruar mandat parlamentar.
E majta statistikisht është pranë mandatit të tetë nëse ajo maksimalizon votat tek pakënaqësive të vogla që lidhen me listën elektorale, sidomos në zonën e Bregut dhe daljen e pavarur të Malajt. Shanset e saj lidhen me faktin se për mandatin e tetë i duhen jo më shumë se 2 mijë vota, një synim i arritshëm për një parti lokale që tashmë drejtohet nga kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër.
Gjithsesi, nëse rezultati mbetet siç është, 7 të majtë dhe 5 të djathtë, atëherë për mandatin e shtatë të PS-së janë në garë të ashpër disa kandidatë: numri 6 në listën e PS Marto (PBDNJ), Vangjel Dule i PBDNJ-së, Shkelqim Selami i LSI si dhe numri 7 i listës, Edmond Leka i PS-së . Nëse Dule fiton si aleat, atëherë kufiri i nevojshëm i votave për Selamin rritet ndjeshëm dhe anasjelltas. Fitorja e Martos dhe e Dulës do ta conte në 2 numrin e deputetëve të PBDNJ-së, kurse e Selamit do të krijonte një shans të ri politik për LSI, parti e konfirmuar deri tani në zona të veçuara lokale. E njëjta konkurrencë mbetet edhe në rastin e mandatit të tetë nga e majta.
Nga ana tjetër, nëse PD mbetet në mandatin e katërt atëherë rivaliteti kryesor është midis tre emrave: Kollozit të PD, Tahiri të PDIU dhe Shametaj të PBK-së. Çdonjëri prej tyre që merr mbi 4500 vota e pretendon dhe mund ta marrë këtë mandat, të cilin PD më 2009 e mori me vetëm 4330 vota. Nëse PD e ngushton diferencën dhe merr një mandat të pestë (vetëm si rast hipotetik) atëherë vendin e Kollozit e zë emri pasues, Sinani, edhe ky, në rivalitet me emrat e partive aleate të përmendura më lart.
Interesant është fakti se PD de facto tenton të marrë votat çame pa i dhënë mandat palës çame, pra duke tentuar ndarjen e votave midis saj edhe PDIU dhe kështu përfitimin e mandatit aktual të PDI, ashtu siç edhe e majta tenton që LSI të mbledhë vota maksimale, por të mos përfitojë mandat parlamentar lokal. Ky rivalitet i brendshëm është më i ashpër sesa rivaliteti formal PS-PD në kuadër koalicioni.
Në garën e Vlorës është edhe FRD, e drejtuar nga intelektuali Daut Gumeni, i vetmi ish i burgosur politik në garën e partive kryesore, dhe pasuar nga opinionistja e njohur e medias dhe politikës Edlira Gjoni. FRD ka konfirmuar mbështetje në zona specifike si Orikum, Vlorë, Sarandë, etj, duke tërhequr votues të djathtë, të pavendosur dhe të rinj, - grupe natyrshëm të papërfaqësuara dhe të zhgënjyera nga dualiteti formal midis dy partive kryesore në Vlorë.
GARË E FORTË MIDIS “TË FORTËVE” NË QARKUN E VLORËS?
Nëse ka një faktor që bashkon traditën e votimit në Vlorë (bastion i së majtës) me Shkodrën (bastion i së djathtës) janë ashpërsia e fushatave elektorale dhe natyra thellësisht militante e aktivistëve partiakë. Në dy rrethet ndodh që në periferi të ketë përqindje shumë të lartë në votime, duke krijuar rezultate artificiale, siç ndodh gjithashtu që në garën elektorale të përfshihen biznesmenë politikë apo njerëz “të fortë”, të cilët janë të vështirë për tu përballuar nga ana financiare.
Ky fenomen është përsëritur edhe në të kaluarën dhe nuk përjashtohet mundësia të ndodhë edhe tani, sidomos në fazën e fundit të fushatës dhe periudhën e administrimit të zgjedhjeve. Sinjal negativ janë edhe një pjesë e stafeve mbështetëse të kandidatëve, të punësuar dhe të angazhuar jo vetëm në fushatë pozitive, por edhe në fushatë negative ndaj kundërshtarëve direkt nominalë. Konkretisht në Vlorë burim për zhvillime të tilla mund të jenë disa kandidatë në parti të ndryshme politike, të cilët investojnë shuma të mëdha parash në kërkim të një mandati.
Mbi këtë bazë ata kanë krijuar rrethe besnike militantësh të paguar, të gatshëm për aktivizim nëse ndodh ndonjë incident gjatë ose pas votimit, si dhe e demonstrojnë forcën e tyre vazhdimisht përmes grisjes së posterave të palës tjetër apo manifestimeve me makina në zonave të banuara. Vetë fakti se në Vlorë është shënuar një akt dhune (eksplodimi në banesën e kandidatit Kollozi) apo se ka pasur disa raste të rivaliteteve lokale, që mund të përbëjnë burim konflikti në zgjedhje si në Vlorë, Himarë apo zonë tjetër zgjedhore. Vëzhguesit dhe partitë kanë raportuar disa raste, dhe mund të ketë të tjera edhe në ditët në vijim.
PJESËMARRJA NË ZGJEDHJE, REKORD NEGATIV
Një element tipik për qarkun e Vlorës është tendenca e pjesëmarrjes së reduktuar në votime. Ndryshe nga qarqet e pjesës veriore, verilindore apo juglindore, në qarkun e Vlorës pjesëmarrja ka qenë e mbetet në minimumin e nivelit kombëtar, sidomos në zonat e bregdetit dhe në ato ku jetojnë minoriteti. Referuar zgjedhjeve të fundit lokale, Bashkia Vlorë shënon vetëm 41% pjesëmarrje, Orikumi 44%, Saranda 31%, Delvina 41%, Himara 36%, Selenica 33%, si dhe shumica e komunave të Vlorës diçka midis 32-42% të zgjedhësve.
Përjashtim bën Konispoli me 74% por për shkak të numrit të vogël të zgjedhësve nuk ndikon në vendimmarrjen politike në rang qarku. Kjo është arsyeja që shpesh palët tentojnë të tërheqin votues nga emigrantët në Itali dhe sidomos Greqi, ardhja e të cilave mund të ndikojë në rezultat, sidomos në zgjedhjet lokale. Pjesëmarrja e ulët është zhvillim sidomos pas ngjarjeve të vitit 1997 dhe zhgënjimit publik tek politika, sidomos tek votuesit e të djathtës.
Kjo është arsyeja që e djathta nuk ka arritur të dalë ende jashtë vetes, pra të marrë vota të pavendosura apo ish votues të saj në fillim të viteve ‘90. Pjesëmarrja e ulët shkon në favor të së majtës dhe status quos aktuale të PD-së, por përbën edhe një burim ndërhyrje në rast se ndonjë palë tenton të manupulojë vota specifike, në zona të njohura si bastione të palës tjetër. Rritja e pjesëmarrjes rrit shanset e një përfaqësimi të ri politik dhe presioni ndaj palëve për një listë kandidatësh më dinjitorze dhe konkurruese brenda llojit dhe më pas, edhe përballë njëra tjetrës.
FAKTORË PRO QEVERISË
• Shpresa kryesore e demokratëve mbetet kandidimi i pavarur i deputetit Malaj dhe shanset ende hipotetike se votat e tij të majta do të mund të pamundësonin shtimin e një mandate prej të majtës. Interesi për të tretin, vlen edhe për partinë MEGA, e cila mbështetet nga qeveria me synimin për të marrë sa më shumë vota nga elektorati minoritar, deri tani i përfaqësues në PBDNJ. Vetë fakti se kreu i qarkut Vlorë është minoritar dhe nxitja e MEGA-s janë dy faktorë kritikë për shanset e përfaqësimit të PBDNJ-së.
• Argumenti administrativ i demokratëve vijon të mbetet investimi rural dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe në korridorin turistik të jugut. Rruga e re që lidh Vlorën me Sarandën ndryshoi opinionin e pjesës më të madhe të zonave bregdetare, por edhe investimet e tjera direkte dhe indirekte, përfshirë autostradën Vlorë-Levan japin efekt pozitiv tek banorët votues. E njëjta logjikë vlen edhe për investime të tjera më të vogla në komuna e fshatra, të cilat konsiderohen si investime politike të qeverisë në prag të zgjedhjeve. Ky faktor ndikon nëse merret me kontrastin e thellë të administrimit të njësive vendore të drejtuara nga PS në vitet e fundit, përfshirë edhe Bashkia Vlorë, ku dukshëm kanë munguar investimet e mëdha bashkiake dhe ku problematikat e përditshme kanë krijuar idenë e një lodhjeje të PS-së në qeverisjen vendore.
• Faktor tjetër pozitiv i demokratëve është dobësia e listës elektorale të së majtës, sidomos përfshirja në listë e kandidatit Kokëdhima, apo vendosja në krye të listës dominuese të saj të personave me lidhje më të forta në zonat e Tepelenës, Bregut dhe Sarandës sesa në zonën e Vlorës. Ky argument përmendet në çdo fjalim politik të qeverisë kundër opozitës në qarkun e Vlorës.
FAKTORË PRO OPOZITËS
• Zhvendosja e kryetarit të PS-së nga Tirana në Vlorë konsiderohet faktori kryesor i rritjes së shkallës së mobilizimit dhe entuziazmit të kësaj partie në qarkun ish bastion të së majtës. Për shkak se Vlora ka një rol specifik në pjesën jugore të vendit, kandidimi i Ramës jep ndikimet e veta edhe në qarqet fqinje, si dhe përbën garanci se zonat e Vlorës, në rast fitoreje, do të jenë të përfaqësuar në nivelet e larta të qeverisjes , një tregues domethënës për votuesit dhe qytetarët atje.
• Një faktor ndihmës për opozitën është brishtësia dhe cilësia e listës së kandidatëve të PD-së. Përballë Ramës nuk ka një politikan me përmasa referuese, Patozi nuk ka më forcë organizimi, Kollozi shihet më shumë si pengesë e zgjerimit të bazës mbështetëse të demokratëve sesa faktor nxitës, Ristani nuk ka përvojë dhe as mbështetje të dukshme politike, Elmazi nuk ka përvojë dhe ende ka dilemë nëse ajo mbetet në gjendje të prishë uniformitetin e votës çame për PDIU. Përballë kësaj liste, PD nuk llogaritet rritjen, por vetëm ruajtjen e përfaqësimit të deritanishëm.
• Një faktor tjetër me ndikim është roli i qeverisjes vendore, sidomos i bashkive dhe komunave të dominuara nga të majtët. Kryetari i Bashkisë Vlorë, ndryshe nga ai i Shkodrës apo Fierit, mbetet aktor politik kryesor dhe publik në territorin e tij elektoral. E njëjta gjë vlen edhe për Cipën në Sarandë apo Goron në Himarë. Për shkak të kësaj sjelljeje, çdo dështim edhe të qeverisjes lokale ata ia atribuojnë qeverisjes qendrore dhe se gabimet e kësaj të fundit, si në rastin e tendencës për lënie mënjanë të Vlorës dhe Qemalit në festimet e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, natyrisht kanë kosto elektorale.
• Ardhja e Ramës në Vlorë ndikoi edhe në uljen e peshës së mbështetjes së kandidatit të pavarur Malaj, në pjesën e votuesve të majtë. Shanset e tij për mandat janë minimale, gjithsesi hyrja e tij në garë solli sfidë dhe e ndryshoi objektivin kryesor elektoral anti-PD të socialistëve. Nga ana tjetër, marrja e një numri të madh votash nga FRD, një parti me profil të djathtë, natyrisht që do të sjellë pafuqi të PD-së për rritje të mbështetjes së saj elektorale tek nivelit të tanishëm.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)16.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)