Qarku Shkodër, a bie miti i qytetit
bastion? Gara për dy mandate

Qarku Shkodër, a bie miti i qytetit<br />bastion? Gara për dy mandate
TIRANE - Si paraqitet qarku i Shkodrës vetëm një javë e pak ditë nga zgjedhjet? Një zbehje e PD dhe një ekspansion i PS dhe LSI në këtë qark, mund të sjellë edhe ndryshimin më të papritur në këto zgjedhje, por jo deri në “eleminim” të bastionit.
 
Qarku i Shkodrës përfaqëson kryeqendrën e veriut dhe kryeqendrën e mbështetjes për Partinë Demokratike. Ai përbëhet nga pesë bashki (Shkodra, Kopliku, Puka, Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës) si dhe 28 komuna. Bazuar në ndarjen zona, qarku i Shkodrës voton për 11 deputetë në parlamentin prej 140 vendesh. Në numër popullsie qarku vjen i gjashti në shkallë vendi, dhe i dyti për nga sipërfaqja e shtrirjes së tij. Sipas INSTAT popullsia e qarkut të Shkodrës më 2013 është 211,685 persona, nga të cilët 93,298 banojnë në zonë urbane dhe 118,388 në zonat rurale.

Megjithëse bëhet fjalë për ndarje administrative bashki – komunë, numri i zgjedhësve dhe pesha e njësive ndryshon shumë nga njëra tjera. P.sh, bashkia Shkodër dominon votuesit me 86 mijë zgjedhës, ndjekur nga dy komuna secila me nga 16 mijë zgjedhës, Bushati dhe Rrethinat. Pas tyre vijnë përsëri  dy Komuna, Gruemira dhe Kastrati, përkatësisht me 9.3 dhe 9 mijë zgjedhës. Bashkia Koplik ka 8.2 mijë zgjedhës, vetëm 100 zgjedhës më shumë sesa komuna e Gurit të Zi, ndjekur nga Postriba 7.5 mijë, Velipoja e Bërdica me mbi 6 mijë zgjedhës, dhe bashkitë Pukë e Fushë Arrëz me vetëm 3.6 deri 3.8 mijë zgjedhës. E gjithë kjo pasqyrë vjen në kontrast të thellë me organizimin territorial kur në qark gjenden komuna të tjera si Shoshi me vetëm 922 zgjedhës.
 
PËR CILAT MANDATE VOTOHET NË SHKODËR MË 23 QERSHOR?
 
Për shkak të ligjit elektoral tashmë kanë siguruar mandat parlamentar pesë deputetë demokratë: Jozefina Topalli, Helidon Bushati, Voltana Ademi, Nard Ndoka, dhe Gjovalin Bzheta. Nga PS kanë siguruar mandat parlamentar Mimoza Hafizi, Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj. Beteja elektorale bëhet në dy plane: midis të majtës dhe të djathtës për raportet 7:4 apo 6:5 si dhe midis vetë partive të majta , PS e LSI. Siç shihet nga tabela e llogaritjes së ndarjeve të mandateve më pranë mandatit të fundit do ishte PS me 8193 vota ndaj 100 votave më pak të demokratëve.

Gjithsesi e përkthyer në vota, ndryshimi i mandatit në favor të së majtës, mund të kërkojë 3.2-3.5 mijë vota të sigurta. Nëse rezultati mbetet i pandryshuar atëherë demokratët fitojnë dy mandate të tjera për Palucën dhe Spahinë, duke lënë përfundimisht jashtë parlamentit dy deputetët aktuale, Uldedaj e Çobaj. Nga PS mandati shkon tek Namik Kopliku. Nëse PS e arrin mandatin e pestë, atëherë hyn në llogari emri i radhës i saj, Sait Fishta.

Gjithsesi ekzistojnë edhe realitete të tjera lokale që mund të bëjnë diferencën jashtë dy palëve kryesore. P.sh, FRD prezantohet në Shkodër me disa emra të njohur në politikën lokale dhe me pretendime për një mandat parlamentar. Në Shkodër kandidon Fatlum Nurja, një emër me mbështetje publike, në Koplik Vasel Muça biznesmen dhe me mbështetje politike, si dhe në Pukë kandidon Astrit Kuçi, kandidat i cili më 2011 sfidoi PD-PS duke fituar i vetëm 27% të votave. Nëse FRD e merr një mandat parlamentar atëherë ky mandat merret nga e djathta, pra penalizon direkt njërin nga numrat 6 dhe 7 të listës së PD-së.

Në krahun e djathtë ka pretendime edhe kandidati kryesor i PR, Gasper Kokaj, ish anëtar i KQZ dhe dekan USH. Në krahun e majtë situata është po aq e ndërlikuar, pas hyrjes së LSI në garë me biznesmenin Agron Çela. Rivali i tij kryesor praktikisht nuk është PD, por numri 4 dhe 5 i listës së PS-së, përkatësisht Kopliku dhe Fishta. Tek e majta gjenden edhe disa kandidatë të tjerë të partive aleate, (PSD, PKD, etj) me pretendime të mëdha për mandat brenda të majtës, por edhe me risk të madh për shkak edhe të pamundësisë së tyre në administrimin e procesit të votimit dhe numërimit.
 
MANDATET PARLAMENTARE NË 22 VJET - PD RUAN MONOPOLIN
 
Referuar zgjedhjeve parlamentare nga 1992 PD ka ruajtur monopolin e përfaqësimit. Në zgjedhjet e vitit 1991 dhe 1996 socialistët nuk arritën të fitojnë asnjë mandat direkt në Shkodër, më 1997, 2001 dhe 2005 ata arritën të fitojnë dy mandate, dhe për shkak të sistemit të ri zgjedhor e dyfishuan përfaqësimin në zgjedhjet e vitit 2009. Më 2009 PS fitoi katër mandate, por në fakt në vitin e parë parlamentar e rriti përfaqësimin në pesë mandate, për shkak se një deputet i PD Shkodër (P.Sterkaj) deklaroi bashkimin me opozitën.

Miti se Shkodra është bastion tërësisht i PD u trondit më 1996 kur për kryetar bashkie u votua një kandidat i DBSH-së, ndaj pas vitit 1997 nis edhe numërimi i mandateve të majta parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2001 Gjovalin Bzheta fitoi me 9 mijë vota diferencë ndaj PS, Ferid Hoti me 4 mijë vota diferencë, si dhe Jozefina Topalli me 7 mijë vota diferencë. Me diferenca më të vogla fituan edhe Astrit Bushati, Valentin Palaj dhe Pjeter Arbnori, ky i fundit në konkurrim me Nard Ndokën e PDr, i cili me 2.1 mijë vota siguroi mandat parlamentar.

Nga kjo listë më 2009 janë në vende të sigurta parlamentare Topalli, Ndoka (tashmë me PD) dhe Bzheta. Arbnori dhe Hoti nuk jetojnë më. Vlen të theksohet se në këto zgjedhje Lekë Çukaj i PS siguroi një mandat direkt parlamentar me rreth 1.3 mijë vota diferencë nga kandidati demokrat Kroqi. Në zgjedhjet e vitit 2005 kur e majta përfaqësohej edhe me LSI, konfirmoi mandatin Bushati (3 mijë vota diferencë), Ndoka (3.4 mijë vota) si dhe Topalli (me 3.8 mijë vota diferencë).

Prurjet e reja të PD-së ishin Gilman Bakalli fitues me 3.5 mijë vota diferencë, Arenca Troshani me 600 vota diferencë, Ramiz Çobaj me 2.4 mijë vota diferencë, si dhe rikthehet Rexhep Uka me 300 vota diferencë nga 1.5 mijë që mori në atë zonë kandidati i LSI, Pjerin Ndreu. Nga PS spikat fitorja e Tom Doshit me 1.6 mijë vota diferencë dhe e Paulin Sterkaj me 1 mijë vota diferencë përballë Pjeter Arbnorit. I vetmi rezultat për tu shënuar nga LSI ishin 1.5 mijë votat e Ndreut dhe 1.1 mijë votat e Urucit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, 2009, PD kandidoi disa figura të reja (Dibra, Uldedaj, Paluca), rikandidoi në vende fituese Topallin, Bushatin dhe Trashanin si dhe mori nga PS për të rikandiduar tashmë në emër të saj deputetin Sterkaj.

Në listën e vitit 2013 nga këta emra vetëm Topalli e Paluca kanë arritur të mbijetojnë në zonë të sigurtë, Uldedaj është jashtë zonës së sigurisë, kurse Sterkaj është në zonën e sigurt të PS-së. Nga PS erdhën surpriza me futjen në listë të Astrit Becit, Ilir Beqjes dhe Ndue Kolës, të cilët fituan mandat bashkë me Tom Doshin. Më 2013 Beqja dhe Doshi janë përsëri në lista të sigurta, por në Shkodër vetëm ky i fundit. Së fundi, në zgjedhjet e vitit 2009 PD fitoi 56 mijë vota, PS 34.2 mijë, ndjekur nga PDK me 3.3 mijë, PR e PAA me 2.9 mijë, LSI me 2.8 mijë si dhe 3 parti të tjera me 2.3 deri 2.5 mijë vota.
 
Mesatarja e mandateve në Qarkun e Shkodrës nga viti 1992 deri në vitin 209
(Në foto mesatarja e mandateve në Qarkun e Shkodrës nga viti 1992 deri në vitin 2009)

NGA ZONË - BASTION DREJT BALANCIMIT POLITIK NË QEVERISJEN LOKALE
 
Në zgjedhjet lokale 2003 PS fitoi katër nga pesë bashkitë e qarkut: Koplikun me 21 vota më shumë, Fushë Arrëz me 51% të votave, Pukën me rezultat të thellë dhe Vaun e Dejës me 100 vota diferencë. Në zgjedhjet e vitit 2007, të zhvilluara pas rotacionit politik në qeveri, PD rimori 3 nga 4 bashkitë (Vau i Dejës, Fushë Arrëz dhe Koplik) por humbi përsëri Pukën me 200 vota diferencë.

Në zgjedhjet e vitit 2011 zgjedhjet në këtë qark reflektuan tri dukuri: ngritje e dukshme e PS në komunat dhe njësitë vendore rreth Shkodrës, shifra rekord negative e pjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe numri i votave të pavlefshme. PS dyfishoi numrin e njësive vendore të fituara. Ndërkohë në bashkinë Shkodër pjesëmarrja ishte vetëm 39% e zgjedhësve dhe se 1.4 mijë vota u konsideruan të pavlefshme, - një shifër e lartë për një qytet. Në Vaun e Dejës PD rikonfirmohet me 21 vota më shumë, ndërkohë që shënohen 136 vota të pavlefshme.

Në Pukë PD fiton pas shumë vitesh, por edhe këtë herë me diferencë minimale prej 49 votash ndaj 67 votave të pavlefshme. Në komunën Shosh kandidati i PD fitoi me 28 vota më shumë ndërkohë që u shënuan 126 vota të pavlefshme. Ashtu si Bashkia e Shkodrës edhe ajo e Koplikut vijon të jetë e kontrolluar nga PD, me drejtim prej dy mandatesh nga një biznesmen lokal, Ramadan Likaj dhe me diferencë 500 vota midis dy palëve politike.

Komuna Bushat ka qenë dhe mbetet problematike për shkak të incidenteve të ndodhur më 2007 dhe 2009. Kryetari aktual Hila vijon drejtimin me disa mandate dhe me vota të dukshme të PD ndaj të majtëve. Në zgjedhjet e fundit 2011 diferenca midis kandidatëve ishte 2.7 mijë vota, por pjesëmarrja në zgjedhje ishte gjithashtu minimale, vetëm 43% e zgjedhësve.

Rast i veçantë paraqet bashkia e Shkodrës. Më 2003 ajo u fitua nga rektori aktual Artan Haxhi me rreth 4 mijë vota diferencë, por me një pjesëmarrje rekord negative, prej vetëm 40% të votuesve. Katër vjet më vonë Lorenc Luka e pati të lehtë fitoren me 5 mijë vota diferencë përballë Namik Koplikut, aktualisht deputet fitues në listën e PS. Në zgjedhjet lokale 2011 për herë të parë PD prishi traditën në Shkodër dhe rikandidoi të njëjtin kryetar bashkie për një mandat të dytë.

Këtë herë Luka fitoi fitoi me diferencë gati 10 mijë vota përballë një emri jo shumë të njohur të së majtës, Genc Uruçi, gjithsesi edhe në këto zgjedhje PS konfirmoi për herë të tretë mbështetjen qytetare prej 10 mijë votash. Kur lexohet vota partiake bie në sy fakti se në këshillin bashkiak të dominuar nga PD (16 nga 45 anëtarë), PS ka marrë 7 këshilltarë, LSI 4 këshilltarë, po aq edhe PR, si dhe 2 këshilltarë PDK. LZHK nuk arriti të marrë asnjë këshilltar.
 
BETEJA PËR ZËDHËNËS POLITIK TË SHKODRËS

Shkodra ka pasur gjithnjë një përfaqësim të lartë politik në PD. Në vitet 1992-1997 në kupolën më të lartë të demokratëve bënin pjesë Pjeter Arbnori dhe Ali Spahia, kryetar parlamenti dhe kryetar i grupit parlamentar. Pas vitit 1997 me votën e PS nënkryetyare e Kuvendit u zgjodh zonja Jozefina Topalli, e cila prej atij viti vijon të jetë në drejtim të parlamentit, 8 vite si nënkryetare dhe 8 vite si kryetare.

Në dallim nga periudha e parë e dy figurave shkodrane në PD, në vitet e fundit PD ka vetëm një emër, Topallin. Tentativat për të krijuar figura të tjera përfaqësuese rezultuan të pasuksesshme. P.sh, Astrit Bushati disa herë kryetar i PD dhe disa herë deputet nuk arriti të shndërrohet në figurë publike me njohje kombëtare, ndaj edhe lajmi për heqjen e tij nga lista aktuale e kandidimit e PD nuk bëri lajm në media.

Nga ana tjetër, socialistët me gjithë mandatet e fituara deri më tani, nuk kanë arritur të prezantojnë emra përfaqësues të qytetarisë shkodrane, të atillë që të krijojnë modelin e zëdhënësit për qytetin. Kjo duket se ishte arsyeja që PS vendosi që në krye të listës së kandidatëve 2013 të jetë një pedagoge e njohur, person publik, kandidate në zgjedhjet e fundit për rektore e Universitetit të Tiranës, Mimoza Hafizi. Në këtë mënyrë beteja për Shkodrën nuk është vetëm betejë për më shumë mandate, por edhe për fitimin e të drejtës për të qenë zëdhënës zyrtar i qytetit në politikën qendrore, funksion që sjell njëherësh shumë privilegje dhe përgjegjësi publike.
 
FAKTORI SOCIAL, KRAHINOR DHE FETAR NË ZGJEDHJE

Zgjedhjet në Shkodër përfaqësojnë një traditë të pashkruar të përfaqësimit të balancuar fetar dhe krahinor. Që prej vitit 1921 palët politike kanë respektuar parimet fetare të përfaqësimit, në raport me popullsinë. E njëjta tendencë është ruajtur edhe në vitet e demokracisë, edhe pse publikisht mohohet çdo natyrë fetare dhe krahinore e zgjedhjeve. Prej disa mandatesh e djathta vijon të përfaqësohet nga Topalli, një politikane e besimit katolik, kurse PS si në zgjedhjet e fundit edhe tani vendos në krye të listës një person të fesë myslimane.

Në dy raste rregulli I artë mbetet: numri dy i përket betimit tjetër fetar. Kujdesi për këto raporte reflektohet edhe në partitë e tjera politike konkurruese. Debati mbi përfaqësimin fetar shpesh është shndërruar edhe në debat politik, sidomos në fushata elektorale. Natyrisht që edhe në këto zgjedhje kjo do funksionojnë, ndonëse me drojë për tu përdorur në mënyrë publike.

Faktori tjetër, ai krahinor mbetet gjithashtu me ndikim në zgjedhjet lokale e parlamentare në qarkun e Shkodrës. Diferenca midis qendrës së qytetit të Shkodrës dhe periferisë së qytetit merr shpesh trajtën e debatit absurd midis vendorëve dhe të ardhurve, gjë që reflekton edhe detyrimin e partive për të gjetur kandidatë përfaqësues për të dy grupimet. I njëjti kujdes reflektohet edhe në përzgjedhjen e emrave që përfaqësojnë njësitë e tjera vendore, sidomos Malësinë e Madhe apo rrethin e Pukës.

Së fundi, në politikën lokale, si në të gjithë qytetet në tranzicion dhe në gjendje ekonomike kritike, po merr gjithnjë e më shumë rol hyrja në politikë e një klase të re përfaqësuese, biznesmenë të lidhur me politikën. Shkodra mban rekordin e përfaqësimit në krye të pothuajse të gjitha listave elektorale të kategorive të tilla. Nuk ka ende një kufi të qartë midis përfaqësimit bashkëkohor të shtresave më të pasura, apo të modelit të imponimit të përfaqësimit nga grupe sociale pa merita profesionale e publike, por që kanë përfituar e përfitojnë ekonomikisht nga politika. Në rastin e parë politika bëhet konkurruese dhe pozitive, në rastin e dytë bëhet kërcënuese dhe burim për konflikte lokale, blerje të votave, deformim të procesit zgjedhor etj.
 
FAKTORË NË FAVOR TË QEVERISË

Faktori kryesor është faktori tradicional, i ndarjes politike djathtas e majtas. Sa më shumë të acarohet situata politike dhe të thellohet ndarja, aq më shumë të djathtët e Shkodrës mobilizohen dhe lënë pas pakënaqësitë për të votuar pro partisë së tyre historike. Faktor tjetër është investimi publik në infrastrukturë, sidomos në imazhin e bashkisë Shkodër. Asnjë bashki tjetër nuk ka pasur më shumë fonde në 8 vitet e fundit sesa kjo bashki, gjë që natyrisht krijon një kartolinë pozitive për qeverinë në fushatë elektorale.

Financimi i disa projekteve me impakt imazhi, por që tentojnë të risjellin në memorie traditën kulturore të qytetit, ka lënë përshtypje pozitive. Një faktor i përhershëm vote është cilësia e kandidimit politik tek kundërshtari politik. Rendja e PS pas votave, jo cilësia e emrave qoftë në zgjedhjet parlamentare qoftë edhe ato lokale, nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në votën popullore në qark, përkundrazi, shumica e sukseseve kanë ardhur për shkak të humbjes nga pala tjetër.

Një tregues tjetër numerik për qeverinë është potenciali i mundshëm i disa kandidatëve të partive të dyta e të treta të djathta, të cilët në përpjekje për të fituar mandate, praktikisht mbledhin vota për mandatet e PD-së. Në zgjedhjet e vitit 2009 PD fitoi 11 mijë vota nga aleatët, pra një mandat parlamentar, ndaj 7 mijë votave që aleatët e majtë dërguan tek PS. Me ndikim është edhe fakti se kryetari njërës prej komunave kryesore të drejtuara nga PS u arrestua menjëherë pas zgjedhjes dhe mbeti i plagosur rëndë, apo se në listën prioritare të PS nuk gjendet asnjë kandidat nga zona e Pukës, zonë me potencial votash të majta.

Një faktor tjetër potencial për qeverinë është cilësia e zgjedhjeve në këtë qark. Duke pasur zona dominuese militante, jo vetëm në periferi, por edhe Bushat apo në qytetin e Shkodrës, ekziston gjithnjë mundësia që të ketë fiktivitet votimi, rritje të pjesëmarrjes, pamundësi të opozitës për kontrollin e pjesshëm të procesit, përdorim të presioneve dhe mjeteve shtetërore në fushatë, etj, faktorë që në çdo zgjedhje kanë pasur ndikim jo të vogël në rezultatet finale.

FAKTORË NË FAVOR TË OPOZITËS

Lista e kandidatëve të PD-së është ndër më të dobëtat në vitet e fundit. Ka emra në vende të sigurta, të cilët nuk kanë njohje apo mbështetje publike, por që janë aty për shkak të mbiemrit të tyre. Disa emra të tjerë janë të detyruar për shkak të nevojës për kompensimin e aleatëve apo rregullimin e raporteve krahinore dhe fetare. Ky është një aset për opozitën, e cila me gjithë problemet e listave të saj, ka të paktën dy emra shumë përfaqësues në vende të sigurta.

Një nga dështimet kryesore të PD në qarkun e Shkodrës është premtimi i pambajtur për kompensimin e përmbytjeve të dy viteve të kaluara. Qeveria premtoi shumë, por nuk arriti të bënte asgjë. Duke besuar se zgjedhësit do ta mirëkuptonin ajo e injoroi këtë premtim, por kur fushata nisi dhe ky premtim u rikujtua, atëherë nisi një proces selektiv dhe formal kompensimi. Ndikimi më i madh i këtij faktori do të ndjehet në komunat e prekura direkt nga ky fenomen.

Një faktor tjetër negativ për qeverinë dhe pozitiv për opozitën është bilanci i cilësisë së qeverisjes së Shkodrës. Vetë fakti se PD u detyrua të përmbysë listën e kandidatëve për deputetë flet për koston e madhe që ajo duhej të paguajë ndaj mënyrës sesi është administruar politikisht ky qark. Emërimet klienteliste, shpesh në kontrast të thellë me potencialet e qytetit, keqpërdorimi i natyrës antikomuniste për të krijuar pasuri dhe pushtet rreth individëve që e përfaqësojnë politikisht, etj, kanë krijuar një ftohje të ndjeshme të elektoratit të pavendosur ndaj forcave tradicionale të djathta.

Me ndikim direkt në rezultatin e zgjedhjeve llogaritet edhe FRD, për të cilën Shkodra përfaqëson një nga katër zonat ku pretendon mandat parlamentar. Pothuajse të gjithë kandidatët e kësaj partie në qark kanë pasur kontribute politike tek e djathta dhe janë në garë me akuzën se PD nuk përfaqëson më të djathtën. Më 1996 kjo fushatë dha rezultat spektakolar, më 2013 e njëjta dukuri mund të jetë gjithashtu surprizë në formatimin e mandateve parlamentare. 
 
 SQARIM PËR ANALIZËN LIDHUR ME QARKUN E BERATIT

Për shkak të një gabimi teknik dje ne gazetën Shqiptarja.Com kam dërguar një variant paraprak të studimit mbi qarkun e Beratit, me pasaktësi ne numrin e deputeteve nga 8 ne 7 (4 PS-3 PD-1 LSI). Ne variantin final te publikuar edhe ne adresën time ne FB dhe ne faqen online www.shqiptarja.com kjo pasaktësi nuk figuron.
I kërkoj ndjesë për këtë gazetës dhe lexuesve të saj.
Afrim Krasniqi

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare