Që Ansambli Popullor i Valles dhe
Këngës të mos zbehë shkëlqimin

Që Ansambli Popullor i Valles dhe<br />Këngës të mos zbehë shkëlqimin<br>
Vallja apo kërcimi popullor është përjetuar nga njerëzit që në lashtësi si dëshmi e shpërthimeve të larta shpirtërore. Ajo shprehej në mënyrë intuitive kur ato i gëzoheshin çasteve të lumtura ose dhimbjeve të thella. Në skenë dhe përpara publikut vallja zuri vend të dukshëm në festat Dinosiake. Formën e përkryer e mori në shekullin e XVII kur u zgjodh të ishte një nga kolonat ku u mbështet një shfaqje e madhe skeniko-muzikore siç është baleti klasik.

Në Shqipëri ajo u organizua dhe u sistemua më së miri në skenë pas luftës së dytë botërore. Më sasktë ajo filloi të kërcehet në skenë si e tillë kur u krijua grupi i parë i balerinëve valltar në vitin 1946 e më tutje me emërtimin “Baleti i vogël”. Këtë grup të rinjsh të talentuar dhe “Baleti I madh” që u krijua më vonë, i drejtonte koreografi autodidakt i riu Panajot Kanaci. Emërtimin zyrtar në drejtim të këtij grupi ai e mori si një instructor në vitin 1948, kur akoma në organikë nuk figuronte titulli koreograf.

Të apasionuar pas kërcimit popullor për 4-5 vite grupi në mënyrë të vazhdueshme kërceu vallen dhe ka qenë sipas gjasave bërthamë e të parës trupë profesioniste të kërcimit popullor dhe klasik që u krijua në vitin 1950 pranë Filarmonisë Shqiptare.

Në jubileun e krijimit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore duhet të kujtohet edhe fëmijnia e saj e largët. Përgjatë dhjetë viteve 1947-1957”baleti I vogël”dhe trupa pranë filarmonisë lëvruan në skenën e Teatrit popullor jo vetëm baletin klasik por edhe kërcimin popullor, vallen shqiptare. Ato dhanë shfaqje jo vetëm brenda kufijëve të vendit por edhe jashtë kufijëve të saj. Vallja popullore /folklorike ju nënshtrua një përpunimi serioz në laboratorin krijues dhe fitoi formë të këndshme skenike që nga fazat fillestare deri në ato më profesionalet nga koreografët tanë dhe të huaj. Ata u lauruan për gjatë 10 viteve brenda dhe sidomos jashtë vendit me duartrokitje, çmime, dekorata, diploma të shumta në mjaft turned dhe festivale të rinisë botërore në të gjithë Evropën lindore. Së bashku me ta në këto shfaqje merrnin pjesë këngëtare të shquar dhe orkestra e talentuar e muzikës popullore pranë filarmonisë.

Nga ky tharm i begatë dhe nga kjo trupë e krijuar në vitin 1950, një pjesë e rëndësishme e artistëve të saj e vazhduan aktivitetin e tyre në trupën e baletit të Teatrit të Operas dhe Baletit që u formua në vitin 1957 me vendim të qeverisë shqiptare.

Po në atë vit artistët që nuk u bën pjesë e trupës së baletit së bashku me elementët e rinj që u afruan, formuan grupin e valleve të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve popllore/A.SH.K.V.P/, të krijuar po në atë vit (1957), pranë Teatrit të Estradës. Që nga ajo kohë krijuesve të muzikës dhe koreografisë ju dha mundësia të lëvrojnë dhe eksplorojnë më thellë pasurinë e madhe folklorike që ruhej nga bartësit popullor të cilët nuk rreshtin dhe sot të shfaqin instinktivisht në mënyrë intuitive thesaret e tyre në evente të ndryshme në festat ppopullore.

Herë pas here këto dy grupe (trupa e baletit dhe grupi i valleve) janë bashkuar dhe kanë alternuar aktivitetin e tyre për të realizuar shumë shfaqje të suksesshme të premierave respektive në T.O.B dhe A.SH.K.V.P. Me shumë sukses ata kanë realizuar së bashku premierat e baleteve “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Detashmenti i kuq i grave” dhe premiera të rëndësishme; Koncert i madh me rastin e themelimit të A.SH.K.V.P në vitin 1957, premiera tjetër e sukseshme e vitit 1960” Koncert Festiv” ku lindi “Vallëzimi i shqipeve” dhe vallja e bukur me motive tropojane “Mbledhja e gëstenjave”. Më vonë një tjetër arritje e këtij bashkëpunimi ka qenë shfaqja që morri pjesë në Festivalin e Dizhonit (Francë) në vitin 1970. Krah për krah vallëtarë të ansamblit dhe ne të Teatrit të Operas në moshën më të re dhe më të bukur, së bashku me këngëtarë të afirmuar të shoqëruar nga orkestra e drejtuar nga Agim Krajka, u nderuam me gjerdanin e artë, çmimi më i madh i festivalit.

Në drejtimin e koreografit Panajot Kanaçi dhe kompozitoirt Tish Daija ky grup artistësh përjetuan reagimin dhe emocionin që mori publiku frances nga kërcimi dhe muzika popullore, në skena teatri, salla të mëdha sporti dhe sfilatat e gjata dhe të lodhshme gjatë bulevardeve të Dizohonit. Që në atë vit filloi të rrisë edhe më shumë , të skalisë edhe më mirë shtatin dhe portretin e tij të shëndetshëm ansambli popullor i cili pëfaqësoi për 60 vjet me shumë dinjitet artin popullor kaq të bukur shqiptar në Evropë, Azi, Amerikë, Afrikë etj.

Me të drejtë sot ato i gëzohen dekoratave “Nder i Kombit” me të cilat u pagëzuan disa ditë më parë të gjitha trupat e A.SH.K.V.P, së bashku me Besim Zekthin. A.SH.K.V.P kur u krijua në vitin 1957 drejtohej nga artistë të përkushtuar dhe të talentuar të cilët e kishin shumë të kjartë si do të kalonin në urën dhe shinat të cilat të mundësonin konturimin dhe ndërtimin e kësaj trupe sipas modelit të

ansambleve të formuara prej kohësh në vendet e evropës lindore, në Rusi dhe gjetkë. Këto ishin artistë që kanë lënë shenjë të mëdha në historinë e këtij ansambli, disa prej tyre ngjajnë me artistë si idhuj të vërtetë dhe jo prej argjili; Cesk Zadeja, Panajot Kanaci, Tish Daija, Agron Aliaj. Artistë dhe krijues të shquar, Gëzim Kaceli, Milto Vako, Besim Zekthi, Engjëll Tërshana, Agim Krajka, Xhemal Laci. Kompozitorë dhe koreografë të tjerë, këngëtarë dhe valltarë me aktivitet dhe cilësi të lartë të cilët ndikuan shumë me krijimet dhe interpretimin e tyre në forcimin e themeleve dhe mureve të këtij institucioni.

Kulmet e shkëlqimit ky ansambël i përjetoi mjaft herë. Vazhdimësitë e tyre deri më sot jasë sukseset e arrituara edhe pas vendimit qeveritar kur u vendos që A.SH.K.V.P të bashkëjetojë në një drejtori me TOB në shtator të vitit 1966. Bashkëjetesa e tillë nuk ndikoi në specifikat e ndryshme që dallojnë natyrën dhe përmbajtjen e gjeneve të gjinive përkatëse. Kjo bashkëjetesë vërtet nuk dukej fort e gjetur, por në kohën që u krye e në vazhdim ishte një institucion ku u zgjerua dhe u rafinua mendimi teorik dhe zbatimi praktik i dy gjinive. Shfaqja e mendimeve respektive e të dy elitave që drejtuan këto gjini, ndihmuan shumë në perfeksionimin e paraqitjes profesionale të formës dhe përmajtjes, të lëndës krijuese dhe nivelit artistik interpretativ. Bashkëpunimi për shumë dekada i të dy grupimeve të rëndësishme të artit skenik-muzikor i dha jetë dhe prosperitetit të gjatë këtij Ansambli.

Godina e këtij institucioni të madh ku strehoeshin, meditonin dhe performojnë akoma edhe sot dy kolektivat, ka marrë formën dhe përmbajtjen e një tempulli ku diskutohen dhe analizohen e marrrin jetë akoma krijimet më në zë të së shkuarës të cilat janë të paarritshme sot.

Besimtarët e këtij tempulli ruajnë por e kanë edhe për detyrë, të krijojnë vepra të reja; balete, opera, valle, këngë dhe cdo tjetër të frymëzuar nga arti popullor. Krijime me vlera të mëdha që nuk përsëriten më. Ato janë xhevahire të cilat duhen rivlerësuar, ritushuar, përshtatur dhe rilindur së bashku me prurje të reja e të ndryshme që sjell koha e cila ushqen përmbajtjen e artit bashkëkohor. Xhevairet qenë të shumta, në mes të tyre shkëlqejnë këngët “Shkon djali tër male”, “Sa duhemi unë dhe ti”, “Lautari”, “Bule Naipi” dhe vallet e makrovallet; “Tropoja”, “Goraçe”, “Vallëzimi i Shqipeve”, “Suitë Tiranase”, “Mbledhja e Gështenjave”, “Në garë”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Luftëtarët e lirisë”, “Valle came”, “Librazhdi”, ajo “Labe, “Kosovare”, e të tjera. Ato janë dëshmi jo vetëm e trashëgimisë popullore por edhe pjellë e attistëve të talentuar, të apasionuar, të formuar me dije të shumta. Ato artistë sakfrifikuan, rezistuan ndaj çdo trysnie. U përballën në skenat botërore me shumë dinjitet, me trupa dhe grupe nga ku përftuan dhe eksperiencë në kontaktet me ta. Jo pak herë vallja dhe kënga jonë u vlerësua nga audienca dhe specialistët e huaj më mirë nga të tjerët.

Shkëlqimin e kësaj tradite të akumuluar ndër vite e vëmë re edhe sot në shfaqjet e Ansamblit. Lëngu i saj i begatë i jep jetë akoma këtij repertori por tashmë ai duket si i ngrirë (ngurtësuar) dhe nuk po shohim përrrenj të rinj që ta ripërtërinë, ta freskojnë dhe ta bëjnë të rrjedh në shtratin e tharë. Mungojnë idetë dhe krijimet e reja. Koreografët pothuaj nuk mendojnë për pasurimin e repertorit të këtij ansambli. Të prirur ndaj showt për show vallja dhe kënga shqiptare e re nuk po vjen, është përzjerë me eterin. Përsëritja dhe interpretimi i mangët i repertorit nga një grup vallesh i përgjysmuar në numër, me këqardhje por e dëmton vlerën e vërtetë të traditës.

Megjithë pasionin e Rexhep Celikut dhe kujdesin e tij, ai u detyrua të kërkojë ndihmë për realizimin e shfaqjes që u mbajt me rastin e jubileut të 60-të të këtij Ansambli. Për të përballuar ngarkesën artistike dhe profesionale që kërkonin vallet që u kërcyen atë mbrëmje, u desh përsëri bashkëpunimi me trupën e baletit të operas. Elementët e grupit të valleve të ansamblit popullor janë të kualifikuar por numri i pakët i vallëtarëve nuk përballen dot figurat, llojet e kërcimit, atmosferën dhe dinamikën e valleve dhe makrovalleve që dominojnë repertorin e tij. Dikur ky grup vallesh përbëhej nga shumë cifte, tashmë ai është reduktuar në gjysmën e tij.

Atë mbrëmje tingëlloi bukur dekorimi nga ana e Presidentit të vendit me “Nder i Kombit” Ansamblin Shtetëror të këngës dhe valleve popullore. Por, do të tingëllonte edhe më i ngrohtë ky celebrim, nëse do të dëgjonim dhe emrat e ideatorëve dhe kontribuesve më të dëgjuar nga artëdashësit’, Cesk Zadeja, Panajot Kanaci, Tish Daija. Në mes të respektuarve të shumtë që njeh historia e këtij Ansambli shkëlqejnë artistët Gëzim Kaceli, Milto Vako, Agim Krajka e të tjerë.

Atë mbrëmje kur në fund të shfaqjes u mbyll perdja u duk sikur u mbyll një epokë. Një epokë e shëndritshme mbresëlënëse. Në pergamenin e saj është shkruar historia, tradita, arti i jonë skeniko-muzikor popullor, i shtrirë në shumë dekada të shekullit XX dhe XXI. Dekadat e fundit të kësaj epoke të jenë ura nga do të kalohet në begatinë që do të ushqehet vazhdimësija, kontrata e re e përfaqësuar në formate dhe modele që do të realizojnë artistët e rinj, në artin bashkëkohor. Ata do të impenjohen si bashkëkohës të një të ardhme të shëndetshme, pse jo edhe më të ndritshme se e para.

Nuk është mungesë vizioni, fantazie dhe mjeshtërie, në se këtë rradhë do të hedhim vështrimin në atë se çfarë ndodh në vende të tjera. Kështë është vepruar me kërcimin dhe muzikën bashkëkohore, sidomos me baletin. Duke u mbështetur si gjithmonë në origjinalitetin e papërsëritshëm të bartsve popullorë të cilët do të

kenë gjithmonë mundësinë të shfaqin vlerat më autoktone të valles dhe këngës folklorike në grupet e shoqatave dhe bashkive në festivale dhe tubime të tjera. Ti lëmë hapësirë krijimeve të reja, mentalitetit bashkëkohor, jetës kaq të vrullshme dhe emocionet e zhvillimet e saj të përditshme.

Shfaqjet e Ansamblit pa i ndryshuar tharmin dhe genin, të mendohet me durim dhe guxim për të rimodeluar e formën dhe përmbajtujen, duke u mbështetur edhe në performancën më të mirë të elementëve më të pëlqyera antropologjike; të riteve, zakoneve, etnografisë, kostumografisë, legjendave, eposit e të tjerave. E ushqyer edhe nga simbolika që mbart e gjithë kjo kulturë dhe duke u bërë ideja e shfaqjeve të ardhshme, ajo do të afrojë publikun e të gjithë brezave, e të gjithë shtresave ashtu sic ndodh edhe me gjinitë e tjera të artit.

Modele të tilla në botë janë të shumta e të ndryshme, sipas traditave, shijeve, formimit kulturor, qytetarisë dhe aspiratave të çdo kombi dhe krijuesi. Duke mos marrë si shembull tipik, modele të gatshme nga eksperienca e huaj, mendoj se ndonjë shkëndijë edhe mund të shërbejë për ti dhënë thëngjijve tonë të pashuar zjarrin për ta bërë më të ndritshme atë që na shtyn dhe na frymëzon; pasurinë e madhe të traditës së Ansamblit, kryesisht vlerat e muzikës, valles, këngës e gjithëcka tjetër të kulturës popullore.

Riverdance është një shembull i një show skenik që bazohet në muzikën dhe kërcimin popullor irlandez. Një kompani që si frymëzim të parë për të ishte bërë shkak një kolonë zanore e cila u paraqit si perfomancë gjatë intervalit në Eurosong disa vite më parë. Më pas producentet John McColgan dhe Moya Doherty e zgjeruan në një shfaqje skenike, premiera e së cilës u dha në Dublin në vitin 1995. Që në atë kohë shfaqjet e këtij formacioni u dhanë në 450 vende dhe është parë nga 25 milion shikues. Përmbajtja e saj është bazuar nga një suitë me tre kohë e muzikës tradicionale barok e quajtur Timedance.

Para disa vitesh tek ne erdhi një shfaqje e këtij lloji nga Turqia (Ankara). Kërcimi popullor i ishte nënshtruar një përpunimi dhe krijimi pothuaj tërësor, por fryma, karakteri, tradita, elementet antropologjik qenë bërë njësh me dinamikën e jetës së sotme, progresit të komunikimit njerëzor. E sotmja ishte kudo e pranishme në shfaqje. Dolëm nga shfaqja ashtu sic edhe te Riverdance të suprizuar dhe të entuziasmuar nga përmbajtja dhe performanca që pamë në skenë.

Një shfaqje e frymëzuar nga muzika jonë popullore dhe kërcimi popullor, mund të ndiqet edhe tek ne në salla të mëdha, stadium e kudo me kuriozitet të madh sidomos nga të rinjtë. Një kulturë tradicionale mund të shërbejë dhe të jetojë në kohën e tashmë, vetëm nëse do të dihet se si ta sjellim në kohë. Forma e saj nuk duhet të mbahet dhe të ndërtohet vetëm në një ngjarje. Ajo duhet të jetë e pasur në

tematikë dhe episode të ndryshme të cilat do të lidhen me larminë interpretative të instrumenteve karakteristikë popullor dhe këngëve të zgjedhura. Autorët e koreografisë cdo gjë të ngurtësuar të kërcimit popullor ta transformojnë dhe ta shikojnë më të çlirët, më të dlirë, më optimiste, më të ndryshme, pa e cënuar siç po e përsërisim shpesh genin dhe tharmin që trashëgojmë nga bartësit popullor.

Në përbërjen e lëvizjeve të ketë sa më shumë optimizëm, të ruhet ritmika e kërcimit popullor por të mos hezitohet kur ato përkojnë ndonjëherë me atë që nuk është karakteristikë e valleve tona. Elementë dominant mund të jenë edhe komponentë të tjerë si ndriçimi, veshjet dhe efekte të tjera.

Pra, muzika, kërcimi, veshjet dhe cdo gjë tjetër që është akumuluar prej shekujsh anë e mbanë trojeve tona mund të ndihmojë cilindo vizionarë dhe nismëtarë për shfaqje të tilla. Kjo të ndodhë jo se duhet të mohoet krejtësisht modeli që shkëlqeu deri tani. Ky shkëlqim mund të zbehet dhe të humbasë ndriçimin nëse nuk do të inspirohet për ndryshim. Kur të dalë ylberi shumë ngjyrësh, ti ndriçojë të dy kohët, të shkuarën dhe të tashmen, për ti lënë rrugë të ardhmes. (Albert Janku - Mjeshtër Baleti - Artist i Merituar)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur