Vetëm 17 ditë pas goditjes me armë të Deat Kapajt në Orikum të Vlorës, policia e këtij qyteti, arriti të arrestojë në banesën e tij, autorin e këtij krimi, shtetasin Ermal Sherifi.

Sherifi, së bashku me një person tjetër në 8 prill janë konfliktuar me Deat Kapaj, duke e qëlluar me armë zjarri, por pa mundur ta vrasin. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, personi që kishte qëlluar me armë ishte pikërisht Sherifi, i cili më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë se Kapaj ishte konfliktuar me vëllain e njërit prej shokëve të Sherifit. Ky i fundit, së bashku me njërin prej vëllezërve, ka shkuar të sqarohet por sërish situata ka dalë jashtë kontrollit, duke përdorur armën.

Por pavarësisht ikjes së tij, policia e këtij qyteti kishte arritur të lokalizonte Ermal Sherifin, i cili kishte qëndruar disa ditë në banesën e djalit të xhaxhait të tij. Por dy ditë më parë, ai kishte ndryshuar bazën dhe kishte vendosur që në mesnatë të shkonte në shtëpinë e tij, ku do të takonte familjarët. Por sapo ka shkuar në shtëpi, në orët e para të mëngjesit, agjentë të policisë së Vlorës kanë kryer një operacion duke rrethuar policinë dhe kryer arrestimin e këtij personazhi.

Gjatë momentit të arrestimit,Sherifi nuk ka bërë asnjë rezistencë. Ndërsa tashmë hetimet për këtë çështje po ndiqen nga prokuroria e Vlorës për akuzën e “Kanosjes me armë” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.