TIRANË-Qendra e Informimit të BE-së kremtoi Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një aktivitet, pjesë e të cilit ishte hapja e nje ekspozite nga PNUD dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri në lidhje me projektin tre vjeçar 'Mbështetje për Përfshirjen Sociale të Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane'.
Ekspozita përfshin 45 fotografi të komunitetit rom në Shqipëri, ku secila portretizon nga një histori suksesi dhe të gjitha së bashku tregojnë rezultatet kryesore te arritura nga ky projekt.
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin Z. Yngve Engstrom,Kreu i Operacioneve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Znj. Bardhylka Kospiri, Zv. Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Nëpërmjet muzikës, fotografive dhe dëshmive personale nga të vetë-punësuarit dhe profesionistët e rinj u synua nxjerrja në pah e vështirësive dhe sfidave me të cilat përballen ende komunitetet Rome dhe Egjiptiane, por edhe kontributin e tyre kyç në kulturë dhe shoqëri.
Hapja e ekspozitës u ndoq nga përfaqësues të projektit, të cilët mbajtën fjalime rreth mënyrës se si ata kanë përfituar personalisht nga projekti. Disa përfaqësues të institucioneve dhe organizatave rome në Shqipëri morën pjesë, gjithashtu, në hapjen e ekspozitës.
Dje u shfaq edhe dokumentari "Romët dhe Egjiptianët - Një hap drejt përfshirjes sociale", i prodhuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian "Mbështetja e përfshirjes sociale të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane" që po zbatohet nga UNDP.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 prill, në Qendrën e Informimit të BE-së. Të gjitha grupmoshat e interesuar janë të mirëpritura të vizitojnë ekspozitën nga ora 9:00-19:00, nga e hëna në të premte. /ATSH/