Pas një viti pa ekip, pas largimit nga Manchester United një sezon më parë; portieri David De Gea ka firmosur te Fiorentina në Serie A. Ish-portieri i Spanjës dhe një ndër emrat që konsiderohen më të mirët në vitet e fundit, ka shpjeguar se përse zgjodhi të qëndronte një vit pa luajtur.
"Kam kaluar 12 vite në një klub të madh si Manchester United, i cili është ende shtëpia ime. Zemra ime do të jetë gjithmonë aty. Kam marrë oferta, por ishte e vështirë për mua të gjeja arsye për t’i vlerësuar ato, pas kaq kohësh në Manchester, kështu që vendosa të ndaloj së luajturi për një moment”, tha portieri.
De Gea tha se është stërvitur vazhdimisht gjatë vitit që ka qenë pa ekip, fillimisht në Manchester dhe më pas në Madrid.
“Jam shumë mirë, jam stërvitur çdo ditë, këtë fundjavë kam qenë në ‘Viola Park’ dhe kam gjetur një nivel shumë të mirë. Ndoshta do të duhen ndeshjet e para për të fituar ritmin, por ndihem mjaft mirë fizikisht”, tha ai.