Në një studio televizive të ndriçuar dobët në Budapest, një nga njerëzit më të pasur të Hungarisë mezi i mbante lotët. Balásy Gyula, manjati i reklamave që për vite me radhë përfitoi nga kontratat shtetërore gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, kishte një njoftim të pazakontë për publikun.
Ai deklaroi se po i dorëzonte shtetit bizneset e tij, bashkë me një pjesë të konsiderueshme të kursimeve personale. Madje kishte sjellë me vete edhe dokumentet noteriale që vërtetonin transferimin e pronësisë.
“Në situatën aktuale, nuk besoj se grupi ynë i kompanive ka të ardhme”, tha ai.
Për shumë hungarezë, deklarata e tij simbolizon fundin e një epoke. Pas 16 vitesh në pushtet, Viktor Orbán u largua nga qeveria pas humbjes në zgjedhje ndaj Péter Magyar dhe partisë së tij Tisza. Tani qeveria e re po përgatit një nga reformat më të debatueshme në Europë: një taksë mbi pasurinë që mund të godasë drejtpërdrejt oligarkët e krijuar gjatë epokës Orbán.
Ministri i Financave, András Kármán, pritet të paraqesë më 5 qershor detajet e reformës fiskale, por sinjalet e para kanë shkaktuar tashmë alarm te shtresa më e pasur e vendit.
Sipas programit elektoral të partisë Tisza, personat me pasuri mbi 1 miliard forinta, rreth 2.8 milionë dollarë, do të paguajnë një taksë vjetore prej 1% mbi vlerën e pasurisë që kalon këtë prag.
Në llogaritje do të përfshihen jo vetëm paratë dhe pronat në Hungari, por edhe aksionet në kompani, pasuritë jashtë vendit, jahtet, avionët privatë, koleksionet e artit dhe automjetet luksoze. Për të shmangur transferimin formal të pasurive, qeveria po shqyrton mundësinë që në llogaritje të përfshihen edhe asetet e bashkëshortëve dhe fëmijëve.
Vetë Péter Magyar e ka mbrojtur publikisht nismën.
“Nuk është ndëshkim. Është një shenjë drejtësie sociale dhe solidariteti në një vend normal dhe njerëzor”, deklaroi ai vitin e kaluar.
Por debati në Hungari nuk ka të bëjë vetëm me taksat. Në qendër të diskutimit është mënyra se si u krijua një pjesë e madhe e elitës ekonomike të vendit gjatë viteve të Orbán.
Ekonomisti Zoltán Pogátsa, i cili ka studiuar pasuritë e 50 njerëzve më të pasur në Hungari sipas renditjes së Forbes, thotë se 38 prej tyre ose e krijuan pasurinë gjatë qeverisjes së Orbán përmes tenderëve publikë, ose përfituan ndjeshëm nga kontratat shtetërore.
Shumë prej tyre kontrollojnë sektorë strategjikë si media, energjia, ndërtimi, bankat dhe pasuritë e paluajtshme.
Ky sistem u bë i njohur në Hungari me emrin NER, ose Sistemi i Bashkëpunimit Kombëtar, ku sipas kritikëve besnikëria politike shpërblehej me mundësi ekonomike.
Figura më emblematike e këtij sistemi është Lőrinc Mészáros. Dikur instalues rrjetesh gazi në të njëjtin qytet me Viktor Orbán, ai sot konsiderohet njeriu më i pasur në Hungari me një pasuri të vlerësuar rreth 5 miliardë dollarë.
Perandoria e tij shtrihet nga energjia te ndërtimi, financat, turizmi dhe mediat. Vite më parë, kur u pyet për suksesin e tij të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj se pasuria e tij vinte nga “Zoti, fati dhe Viktor Orbán”.
Në listën e më të pasurve figuron edhe István Tiborcz, dhëndri i ish-kryeministrit, me interesa në sektorin bankar, hoteleri dhe pasuri të paluajtshme.
Për mbështetësit e qeverisë së re, taksa mbi pasurinë është një mënyrë për të rikthyer në buxhet publik një pjesë të parave që sipas tyre janë grumbulluar falë afërsisë me pushtetin.
“Taksa mbi pasurinë është një mënyrë për të kthyer paratë publike në arkën e shtetit”, argumenton Pogátsa.
Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. Menaxheri i fondeve të investimit Viktor Zsiday paralajmëron se nuk duhet të ngatërrohet lufta kundër korrupsionit me taksimin e pasurisë.
Sipas tij, nëse dikush është pasuruar në mënyrë të paligjshme, përgjigjja duhet të vijë nga drejtësia dhe jo nga sistemi fiskal.
Edhe disa sipërmarrës kanë ngritur shqetësime për pragun prej 1 miliard forintash. István Karagich, drejtues i një kompanie të inteligjencës financiare, thotë se ky kufi mund të prekë jo vetëm miliarderët, por edhe pronarë biznesesh të mesme.
“Nëse ke dy prona dhe një kompani të vogël, mund të përfundosh brenda skemës. Dy milionë paund nuk janë pasuria e Jeff Bezos”, argumenton ai.
Sipas llogaritjeve të tij, një prag më i lartë prej 5 miliardë forintash do të ishte më i drejtë dhe do të prekte vetëm shtresën më të pasur të shoqërisë.
Debati është edhe më i fortë për shkak të mënyrës se si funksionon sistemi tatimor hungarez. Aktualisht, si punëtorët me paga të ulëta ashtu edhe milionerët paguajnë të njëjtin tatim mbi të ardhurat, 15%.
Edhe fitimet nga kapitali dhe dividendët tatohen me 15%. Tatimi mbi fitimin e kompanive është vetëm 9%, një nga normat më të ulëta në Europë.
Në të kundërt, TVSH-ja arrin në 27%, niveli më i lartë në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e barrës fiskale bie mbi konsumatorët dhe familjet e zakonshme.
Sipas të dhënave të ekspertëve financiarë, 1% e familjeve më të pasura në Hungari zotërojnë rreth 35% të gjithë pasurisë së vendit, ndërsa 10% më të pasurit kontrollojnë më shumë se dy të tretat e aseteve kombëtare.
Mbështetësit e reformës argumentojnë se kjo pabarazi po dëmton ekonominë. Ekonomisti Miroslav Palanský beson se një shpërndarje më e drejtë e pasurisë mund të sjellë më shumë rritje ekonomike.
“Pabarazia nuk ndihmon rritjen ekonomike kur kalon nivele të caktuara. Kur pasuria shpërndahet më gjerë, më shumë njerëz kanë mundësi të kontribuojnë në ekonomi”, thotë ai.
Qeveria e Magyar nuk synon vetëm të mbledhë më shumë para nga më të pasurit. Plani përfshin edhe uljen e tatimit bazë mbi të ardhurat në 9% dhe reduktimin e TVSH-së, me synimin për të lehtësuar barrën për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ndërsa detajet e reformës priten të publikohen zyrtarisht këtë javë, një gjë duket e qartë: Hungaria ka hyrë në një epokë të re politike dhe ekonomike.
Për herë të parë pas shumë vitesh, njerëzit që u pasuruan gjatë sundimit të Orbán po përballen me mundësinë që një pjesë e pasurisë së tyre të rikthehet në arkat e shtetit.
Komente





