Republika u bë me Qeveri! Qeveri e cila jo që nuk e ka qeverisjen ndryshe, por as fytyrat nuk i ka ndërruar.
Aq është thelluar në krim ky organizim që ka kapur shtetin, sa që figurat e tyre tani me arrogancë paraqiten para publikut, pa turpin e frikën më të vogël ndaj tij.

Sot, njeriu i cili udhëhiqte krimin ekonomik e politik në Kosovë, Kadri Veseli, nga prapavija doli në krye të Kuvendit të Kosovës dhe tani përveç krimit, udhëheq edhe Kuvendin e Republikës.
Ndërsa, në prapavijën e politikës e ekonomisë së vendit, tani kanë mbetur vetëm ambasadat e huaja dhe misionet e shteteve të tyre.

Në marrëveshjen e partive të cilat i krijuan institucionet, thuhet se po ndërtohet një Qeveri e cila për bazë do t’i ketë vlerat e lirisë, tregut të hapur dhe konkurrencës.
Pra, synimet e tyre fillojnë nga liria në treg të hapur dhe përfundojnë te konkurrenca.

Por, në realitet është plotësisht e kundërta: konkurrenca është hapi i tyre i parë, i cili e përcakton tregun, në të cilin shihet në të vërtetë liria e secilit prej nesh.
Në një vend si ky i yni, pa industri e pa aktivitet bujqësor (pra pa prodhim), konkurrenca nuk është e njëjta për të gjithë.

Mungesa e industrisë dhe bujqësisë ka bërë që kapitali të drejtohet tek aktivitetet tregtare e financiare dhe kjo e bën të qartë se nuk ka linja të prodhimit ku punëtorët do të angazhoheshin.
Pra, jemi një vend ku nuk kemi prodhim e punësim, por kemi shërbime e papunësi.

E te shërbimet kemi pronarin që shërbehet me akumulim të kapitalit dhe na mungon zhvillimi i përgjithshëm nga rritja ekonomike.
Ky cikël vetëm sa e rrit pabarazinë dhe e thellon hendekun mes pronarëve dhe punëtorëve e të papunëve.

Në anën tjetër kemi punëtorin pa të drejta, që shantazhohet me rezervën e të papunëve e cila nuk mund të shërbejë, e as të shërbehet.
Ky dallim klasash na bën të qartë se këto dyja nuk mund t’i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës, sepse konkurrenca e tyre nuk është një dhe vertikale, por janë dy të ndryshme dhe brenda llojit, pra horizontale.

Njëra është konkurrencë e pronarëve për të akumuluar sa më shumë kapital nga puna e të punësuarve dhe mbijetesa e të papunëve dhe tjetra është konkurrenca e gjithë të tjerëve me njëri-tjetrin për të mbijetuar.
Tejkalimi i kësaj situate nuk bëhet me vlerat e konkurrencës, por me ndërhyrje politike që ndërton solidaritet dhe bën një rishpërndarje më të barabartë të pasurisë.

Po u la tregu të funksionojnë në liri të plotë, dora e tij e padukshme do ta përkëdhelë edhe më tutje pronarin dhe do t’i bjerë shuplakë punëtorit e të papunëve.
Prandaj, kjo Qeveri do ta vazhdoj rritjen e hendekut mes këtyre dy klasave, deri në masën e cila do të bëhet e padurueshme.

Kjo lloj ekonomie, aktiviteti i së cilës krijon pabarazi çdo herë e më të madhe, përcakton edhe tregun e vendit.
Është ide e neoliberalëve që liria e njeriut të njësohet me lirinë e tregut, sepse vetëm në treg njeriu mund ta blejë një copë lirie në formë malli (kjo tregon shumë për raportin e këtij sistemi ekonomik me demokracinë).

Prandaj, në një vend ku neoliberalizmi u shtri nëpërmjet procesit të privatizimit, i cili i la të papunë mbi 76,000 punëtorë dhe ua pamundëson punësimin 30,000 punëtorëve të tjerë të cilët i shtohen të papunëve çdo vit, shumë njerëz janë të përjashtuar nga tregu.

Sot, në tregun e Kosovës përfshihen korporatat e huaja të cilat shfrytëzojnë burimet natyrore e financiare të vendit, për t’i nxjerrë ato si fitim jashtë Kosovës.
Gjithashtu, tregu ynë përfshihet edhe nga prodhuesit serbë e maqedonas, të cilët me ndihmën e tregtarëve vendorë, secili prej këtyre dy shteteve thith rreth 500 milionë euro në vit nga Kosova.

Pra, vendi ynë ka një treg që i shërben ndërmarrjeve të huaja. Cilat janë këto ndërmarrje të huaja, varet nga fuqia e ambasadave në Kosovë dhe lidhja e tregtarëve të Kosovës me Serbinë e Maqedoninë.
Në këto rrethana, me qeverisjen e deritanishme e cila po vazhdon, liri ekonomike në Republikën tonë do të kenë kompanitë e huaja financiare, kompanitë e huaja të cilat janë përfshirë dhe do të përfshihen në privatizim, prodhuesit nga Serbia e Maqedonia si dhe tregtarët vendorë, por jo prodhuesit.

Liri politike do të kenë njerëzit e përfshirë në krime të ndryshme, zyrtarë të misioneve ndërkombëtare, ambasadorë të shteteve të fuqishme dhe ata që kanë kapur shtetin falë ndihmës së të lartpërmendurve.
Ndërsa, punëtorët e të papunët janë dhe do të mbesin pa liri. Kjo sepse ata nuk kanë mundësi të shërbehen nga tregu. Ata i kanë shërbyer, po i shërbejnë dhe do t’i shërbejnë tregut.

Ata janë kapitali njerëzor, fuqia punëtore, malli më i lirë e më i shfrytëzuar në treg.
Pra, shqiptarët sot mund të ofrojnë vetëm fuqinë e tyre fizike, ose duke u shfrytëzuar në vendin e tyre, ose duke ikur nëpërmjet Suboticës për t’u shfrytëzuar në Evropë si krah i lirë pune.

Situata do të mbetet kështu, derisa punëtorë e të papunë të mos organizohen së bashku që nëpërmjet aksioneve, protestave, demonstratave e grevave ta ndalin ciklin e këtij sistemi për ta ndryshuar atë rrënjësisht.
Ne duhet ta ndërrojmë qeverinë, që nëpërmjet politikave të majta ta organizojmë ekonominë në një formë tjetër prej kësaj që e kemi sot.

Nga një ekonomi që i shërben tregut, ta ndërtojmë një ekonomi prodhuese që i shërben gjithsecilit, nëpërmjet zhvillimit ekonomik të vendit.