Në mbledhjen e Qeverisë janë përcaktuar kriteret dhe masa e kompensimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, kur emërohen ose komandohen në detyrë jashtë vendbanimit të tyre.

Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, kur emërohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij, në rast se nuk i sigurohet transporti, strehimi apo nuk trajtohet me kompensim për qira banese nga Ministria e Mbrojtjes, përfiton kompensim për transport, si më poshtë vijon:

a) Nga 5 km deri në 25 km, në masën 4 400 (katër mijë e katërqind) lekë në muaj;
b) Nga 26 km deri në 50 km, në masën 8 800 (tetë mijë e tetëqind) lekë në muaj;
c) Nga 51 km deri në 100 km, në masën 13 200 (trembëdhjetë mijë e dyqind) lekë në muaj;
ç) Mbi 101 km, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj.

3. Përfitimi i pagesës, sipas pikës 2 të këtij vendimi, ndërpritet kur:

a) ushtaraku emërohet në vendbanimin e tij;

b) përfundon periudha e komandimit jashtë vendbanimit të tij;

c) sistemohet me banesë në bashkinë/njësinë administrative, ku ndodhet vendi i shërbimit.

4. Për të përfituar pagesën, sipas pikës 2 të këtij vendimi, ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura paraqet, në strukturën ushtarake, ku emërohet ose komandohet, dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesën me shkrim pranë njësisë shpenzuese, ku trajtohet financiarisht ushtaraku;

b) Fotokopjen e kartës së identitetit;

c) Vërtetimin nga organi publik përgjegjës, nëse ka banesë në pronësi ose në proces legalizimi në bashkinë/njësinë administrative, ku emërohet ose komandohet.

5. Struktura ushtarake, ku është emëruar ose komanduar ushtaraku aktiv:

a) bën vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur brenda 5 (pesë) ditëve punë;

b) njofton ushtarakun për rregullimin e pasaktësive ose mungesën e dokumentacionit dhe kërkon rregullimin/plotësimin e tyre;

c) në përfundim të shqyrtimit të dokumentacionit, i përcjell njësisë shpenzuese dokumentacionin për kompensim.

6. Me qëllim përfitimin e kompensimit të transportit sipas këtij vendimi, ushtaraku aktiv paraqet, çdo vit, dokumentacionin e përcaktuar në pikën 4 të këtij vendimi, pranë strukturës ushtarake, ku është emëruar ose komanduar.

7. Ushtaraku i Forcave të Armatosura, që emërohet me detyrë jashtë vendbanimit të tij dhe në të njëjtën kohë transferon edhe familjen, përfiton transport falas për familjen dhe materialet e shtëpisë me mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes.

8. Vendimi nr.435, datë 25.6.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe masën e kompensimit të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur emërohet ose komandohet në detyrë jashtë vendbanimit të tij”, shfuqizohet.

9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.