Kryeministri Edi Rama prezantoi një ditë më parë kabinetin e ri qeveritar, ku pati të konfirmuar, por edhe emra të rinj, ndërsa për Etjen Xhafajn, pati pakënaqësi mes socialistëve në ndarjen e detyrave, por shton se kjo është një gjë normale. Në studion e "Report Tv", ai u shpreh se pas asamblesë së djeshme, fryma është pozitive, ndërsa theksoi se partia është një garë mes individësh, ku të gjithë duan të rreshtohen në fushë.
"Në fund të ditës, partia është një garë mes individësh. Politika është sport ekipi dhe të gjithë duan të rreshtohen në fushë e të luajnë dhe ka skepticizëm dhe vjen natyrisht. Kryeministri ka gjykuar që ka nevojë për të trazuar pak ujërat dhe për të provuar njerëz të rinj. Unë jam takuar me një pjesë të kolegëve pas asamblesë së djeshme dhe fryma është pozitive. Sigurisht që ka njerëz të pakënaqur por kjo është normale. Unë besoj se është shumë e qartë se PS është sot fuqia që ka edhe demokracinë e brendshme më të mirë. Unë mund të them se ne kemi një përballje platformash. Gara është aty", tha ai.
Ndryshimi i rëndësishëm në ekipin e ri të PS ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, ku Damian Gjiknuri i mori vendin Taulant Ballës si numri 2 i PS, por për Etjen Xhafajn kjo nuk është një goitje për Ballën, por një sfidë e re.
"Taulant Balla ka bërë një punë shumë të mirë dhe është vlerësuar, nuk mund të flasim për një goditje, por për sfida të reja. Balla si kryetar i Grupit Socialist do të jetë pikë reference për ne deputetët e rinj", theksoi ai.
Në lidhje me detyrën që i është besuar atij si Sekretar për Dixhitalizmimin, Xhafaj tha se kjo është një detyrë e rëndësishme dhe se zgjedhjet e kaluara treguan peshën e komunikimit online, që sipas tij, duhet të zhvillohet edhe më tej.
"Komunikimi online është bërë shumë i rëndësishëm. Në zgjedhjet e 25 prillit kjo mori edhe një rrjedhë tjetër për shkak të masave të COVID që nuk lejonin grumbullimet. Ka të bëjë me një sërë funksionesh të tjera si dixhitalizimi i anëtarësisë së PS edhe për komunikimin me ta dhe shpërndarjen e detyrave. Ka një fokus gjithnjë e më të madh për të shpërndarë mesazhin sa ë gjerë dhe kjo do vijë duke u bërë më e rëndësishme dhe brenda partisë që mos njoftohemi më me letër e laps. Në fakt unë nuk prisja as këtë, mendoja që si mandati i parë si deputet do të kisha një jetë aktive parlamentare dhe në zonë, kjo është një sfidë e re dhe interesante. I gjithë programi politik i PS është Shqipëria vizion i 2030, pra një vizion i gjatë që kërkon një themel të shëndetshëm", u shpreh ai.
12 gra e 5 burra do të jenë anëtarët e rinj të Qeverisë 'Rama3', ku numri 2 i saj është Arben Ahmetaj.