Kabineti i parë për audiometrinë e gjuhës së folur në Shqipëri është hapur në shërbimin ORL të Spitalit Francez në QSUT, duke sjellë një formë testimi që deri më sot mungonte në vend.

Bëhet fjalë për një kabinet me teknologji sipas standardeve europiane, ku për herë të parë pacientët testohen edhe për mënyrën si dëgjojnë dhe kuptojnë fjalën e folur. Pra jo vetëm nëse dëgjojnë zë, por nëse e dallojnë qartë fjalën. Kjo ndihmon mjekët të kuptojnë më mirë sa efektiv është aparati i dëgjimit apo implanti koklear dhe nëse ai duhet rregulluar.

Mjekja Brikena Qiriazi tregon se përgatitja është bërë nga doktor Adrian Xhuvani, mjek shqiptar që punon në Francë, i cili në bashkëpunim me një gjuhëtar ka përzgjedhur fjalët që përdoren gjatë testimit. 

“Në këtë kabinet bëhen disa testime. Për herë të parë në Shqipëri bëhet testimi i gjuhës së folur. Kjo nuk ka qenë më përpara në Shqipëri. Përgatitjen e ka kryer doktor Adrian Xhuvani, mjek shqiptar që punon në Francë. Në bashkëpunim me një gjuhëtar ka përgatitur disa fjalë dhe këtu bëhet edhe testimi me aparat dëgjimi”, u shpreh Brikena Qiriazi.

Rreth 60 fëmijë në vit me implante kokleare, si dhe pacientë me aparate dëgjimi, do të monitorohen periodikisht në këtë kabinet, çka pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ndjekjes dhe trajtimit.

Pamjet nga ambientet e reja i ndau në rrjete sociale edhe kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si një shërbim unik në vend dhe një hap përpara në kujdesin ndaj pacientëve me probleme dëgjimi.

"Në shërbimin ORL, në Spitalin Francez është vënë në funksion kabineti i ri i audiometrisë së folur dhe në fushë të hapur me teknologji sipas standardeve europiane, i vetmi i këtij lloji në vend, që garanton vlerësim të saktë të dëgjimit dhe ndjekje më cilësore të pacientëve. Rreth 60 fëmijë me implante kokleare, si dhe pacientë me aparate dëgjimi, tashmë mund të monitorohen periodikisht pranë këtij shërbimi, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit dhe ndjekjen e vazhdueshme terapeutike" shkroi ai