Këtë të enjte në shesh radhën për të lexuar planin utopik të prezantuar tre ditë më parë po në shesh nga Dritan Goxhaj, e kishte Sidorela Vatnikaj, një tjetër anëtare e grupit koordinator të protestës. Kërkesat po ashtu nuk kanë ndryshuar: dorëheqje e panegociueshme e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike 12 mujore dhe ndërhyrje të rëndësishme kushtetuese.

1. Ndryshimin e kodit zgjedhor

2. Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike

3. Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate

Një nga 40 anëtarët e grupit koordinues, Luçiana Kokaj, e cila pak ditë më parë deklaroi për Report Tv se ende nuk kanë një lider, bëri thirrje se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të protestuesve.

“Një thirrje për të gjithë ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën, që nuk ka askush të drejtë në emrin tuaj, që s’ka askush të drejtë të bëjë grupe e mbledhje në emrin tuaj”, tha ajo.

Për herë të parë protestuesit kundërshtuan edhe Presidentin Bajram Begaj.

Të tjerë folës e shfrytëzuan mikorfoninn me thirrjet për rrëzim të establishmentit politik duke iu drejtuar të rinjve të marrin stafetën e drejtimit të vendit.

“Jeni ju të gjithë dhe sidomos brezi Z, ashtu si ne, që po vazhdoni një revolucion të rëndësishëm për të ndërtuar një Shqipëri të re. Por duhet të rrëzojmë fillimisht establishmentin e ndërtuar këto 36 vite, pastaj të ndërtojmë një shoqëri të painfektuar, të gjithë të barabartë dhe ku të mbizotërojë meritokracia”, tha protestuesi.

Por njërit nga protestuesve iu hoq mikrofoni, kur nisi të fliste kundër sionizmit

“Kryeministri një agjent i kultit zionist, akuzohet për sulme kundër familjes shqiptare, duke përfshirë edhe futjen e ideologjive të kultit të sionizmit, si...”.

Për thyerje të perimetrit të njoftuar për zhvillimin e tubimit më 22 dhe 23 qershor, policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 protestues, mes tyre edhe Dritan Goxhajn, të dyshuar si të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.  

Pas përfundimit të fjalimeve, ka nisur marshimi i planifikuar për të vijuar drejt bashkisë, Parlamentit, stadiumi 'Air Albania e më pas te Presidenca.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:19
Një grup protestuesish do të kalojnë përsëri natën te kryeministria

 

Një pjesë e protestuesve do të kalojnë përsëri natën te kryeministria, si simbol i rezistencës së tyre. Kjo nuk është e para herë që qytetarët gdhihen poshtë zyrës së kryeministrit.

Ora 22:35
Protestuesit ulen në tokë përpara Parlamentit, thirrje kundër politikanëve

 

Protestuesit kanë bërë një ndalesë përpara godinës së Parlamentit të Shqipërisë. Ata janë ulur në tokë ndërsa në kos vijojnë me thirrjet ‘hit’ të kësaj proteste, ‘Rama jepe dorëheqjen’, ‘Ju erdhi fundi’.

Ora 22:19
PAMJET ME DRON/ Pas fjalimeve, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës

Pas mbajtjes së fjalimeve poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë nisur marshimin me itinerar, Bashkia e Tiranës, Parlamenti i Shqipërisë, stadiumi ‘Air Albania’ e më pas te Presidenca.

Report Tv sjell pamjet me dron nga marshimi me nisje nga godina e kryeministrisë.

Ora 21:21
‘Anuloni investimet e ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura’, video që u shfaq sot në murin e kryeministrisë

 

Organizatorët e protestës kësaj radhe kishin përgatitur një video që u shfaq që murin e ndërtesës së kryeministrisë, e që hapej me kryeministrin Edi Rama duke premtuar furnizimin me ujë 24 orë për vendet. Video vijon me pamje nga Shqipëria me sloganet për të ndaluar investimet në zonat e mbrojtura e për të anuluar ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, që i hapën rrugë ndërtimeve. Video mbyllet me pamje nga Zvërneci me simbolin e flamengove dhe me shkrimin ‘Larg duart nga narta’, ‘Anulo projektin’.

Ora 21:10
Aktivistja Luçiana Kokaj: Të rinjtë kanë thyer algoritmin e kryeministrit! Askush s’ka të drejtë të dalë si përfaqësues i kësaj proteste

 

Banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, iu drejtua të rinjve pjesëmarrës në protestë duke thënë se kanë thyer algoritmin e kryeministrit Edi Rama. Ajo e mbylli fjalën nga podiumi duke thënë se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të protestuesve apo të prezantohet si përfaqësues i kësaj proteste.

“Unë kam vetëm një thirrje për të gjithë të rinjtë që kanë dhënë jetë kësaj proteste. Keni thyer algoritmin e kryeministrit që ishte mbret prej 13 vitesh. Puna jonë nuk ka mbaruar. Duhet të vazhdojmë dhe të thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë te e drejta jonë që ne të bojkotojmë kryeministrin që na ka bojkotuar për 13 vite, të futemi lëvizje dhe të shpërndajmë pankartat që janë në shesh, që t’i tregojmë se jemi më kreativë, më artistë e më piktorë se ai.

Me këtë protestë që keni bërë, keni arritur të jeni në të gjitha mediat ndërkombëtare. Ata që janë në pushtet paguajnë miliona për të marrë disa minuta në mediat ndërkombëtare, ju e keni bërë me kreativitetin dhe energjinë tuaj. Një thirrje për të gjithë ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën, që nuk ka askush të drejtë në emrin tuaj, që s’ka askush të drejtë të bëjë grupe e mbledhje në emrin tuaj”, tha Luçiana Kokaj.

Ora 20:44
Nisi të fliste për ‘kultin e sionizmit’ në tubimin para Kryeministrisë, protestuesit i hiqet mikrofoni

 

Një protestuesi i është hequr mikrofoni gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë, pasi nisi të fliste kundër sionizmit.

“Jam këtu para jush për t’iu dërguar përshëndetje nga Amerika. Sapo më njoftoi nipi im nga Florida, se janë ngritur 5 mijë shqiptarë për të mbështetur protestat tuaja. Unë jam i ambasadave të 1990, kam shkuar në Gjermani dhe u ktheva përkohësisht. Për herë të parë vura re gjenocidin, largimin e qëllimshëm të shqiptarëve. Duke u konsultuar me familjen vendosëm të rrimë këtu. Kryeministri një agjent i kultit zionist, akuzohet për sulme kundër familjes shqiptare, duke përfshirë edhe futjen e ideologjive të kultit të sionizmit, si...”, tha protestuesi, përpara se t’i hiqnin mikrofonin.

Ora 20:32
E reja nga protesta: Nuk do të heshtim përballë padrejtësive që na keni bërë, jemi këtu deri kur Rama të japë dorëheqjen

 

Një protestuese mori fjalën në podiumin e protestës ku tha se rinia do të qëndrojë në shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndër të tjera, ajo u shpreh se qytetarët nuk do të ndalen përballë padrejtësive që u janë bërë nga qeverisja në këto vite.

“Rinia shqiptare ka qenë pjesë e kësaj proteste dhe do të jetë deri në dorëheqje. Jetojmë në kushte të pabarabarta, ku një grusht njerëzish pasurohen çdo ditë, ndërsa të rinjtë detyrohen të largohen nga vendi për të kërkuar një të ardhme më të mirë.

Rinia shqiptare nuk është ajo e kafeneve. Jemi ata që punojmë nga mëngjesi deri në darkë. Punojmë deri në orën 7 dhe pastaj jemi këtu të gjithë bashkë që ju të jepni dorëheqje. Nuk do të heshtim përballë padrejtësive që na keni bërë. Nuk do të pranojmë një Shqipëri ku mundësitë ndahen sipas lidhjeve apo privilegjeve, ndërsa shumica lufton për mbijetesë. Rama, jep dorëheqjen”, tha protestuesja.

Ora 20:27
Protestuesja: Rasti i Zvërnecit tregon që sistemi ka dështuar, Nuk kemi më një ligj që të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura

 

Një protestuese mori fjalën në podiumin e protestës duke ngritur si shqetësim ndërtimin në zonat e mbrojtura si dhe shfrytëzimin pa kriter, sipas saj, të lumenjve.

“Rasti i Zvërnecit nuk është vetëm një çështje mjedisore, por tregon që i gjithë sistemi ka dështuar. Që nga mënyra sesi lejet janë dhënë apo nuk janë dhënë, deri te mungesa e transparencës. Ky është një proces që përsëritet në çdo vendimmarrje mjedisore.

Sot janë shumë lumenj që po shkatërrohen pa dijeninë e banorëve që jetojnë aty dhe të ekspertëve. Jo më larg se dje dhe sot kemi parë sesi kanali i Erzenit është mbuluar me inerte. Është i vetmi vend afër Tiranës që kishte mbetur bukuri natyrore.

Fatkeqësisht Shqipëria është rasti më i keq në të gjithë Ballkanin sa i përket shfrytëzimit të lumenjve. Tani është radha e bregdetit, pre e zhvillimit jo të qëndrueshëm dhe të betonizimit. Jemi ankuar që kemi ligje të mira, por çalojmë te zbatimi. Sot nuk i kemi më as ligjet e mira, sepse ai që duhet të siguronte mbrojtjen e natyrës e hoqi dhe këtë status. Tashmë është legjitimuar çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura”, tha protestuesja.

Ora 20:27
Emigrantja nga Toronto në protestë: Emigrimi po na ndan me njerëzit tanë! S’ja fal dot vetes që nuk isha në Shqipëri kur babai im mbylli sytë përgjithmonë

 

Nevila kishte ardhur nga Toronto në protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, ajo tha se emigrimi po i ndan familjet shqiptare.

Duke folur për jetën e saj, ajo tha se s’do ja falte kurrë vetes që nuk arriti të shihte të atin e saj, para se të ndërronte jetë.

“Të gjitha nacionalitetet më thonë jemi ‘proud to be albanians’. Një gjë nuk ia fal dot vetes, nuk munda të isha dot kur babai im mbylli sytë. Emigrimi na ndau me njerëzit tanë. Fëmijët tanë flasin prej Ëhatsapp-it me gjyshërit. Dhe këtë na e bëri politika jonë 36-vjeçare, që na ndoqi dhe tani po na shet pronat. Do na lënë pa një copë varr. Shqipërinë po e shet Edi Rama, tradhtari. Ai është udhëheqësi më tradhtar që kombi shqiptar ka parë", tha mes të tjerash protestuesja.

Ora 20:21
Ish-kandidati për deputet i 'Nisma Shqipëria Bashkë' nga tubimi para Kryeministrisë: Nëse sot shqiptarët nuk dalin në protestë, këtu nuk do të mbetet më njeri!

 

Marsel Rupi, ish-kandidati për deputet i 'Nisma Shqipëria Bashkë', koalicionit të drejtuar nga Adriatik Lapaj për zgjedhjet e vitit të kaluar, ka thënë gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë se nëse sot shqiptarët nuk do të ngrihen në protestë, vendi do të shkojë drejt shpopullimit të plotë.

“Mirëmbrëma patronazhistë dhe na e bëni hallall se ju kemi thyer algoritmin. Mirëmbrëma Diaspora, kur Diaspora gjobitet, Shqipëria ngrihet në këmbë. Nuk është vonë dita, Diaspora po niset prapë drejt atdheut. Ata flutorojnë në shtëpitë e tyre, mos i gjobisni. Nëse sot Shqipëria nuk del këtu në rrugë, nesër nuk do kemi kë të çojmë as majtas e as djathas, sepse nuk do kemi më njeri këtu”, tha një protestues.

Ora 20:16
Emigranti nga Kanadaja: Të rrëzohet establishmenti politik, brezi i ri të vijojë me revolucionin për ndërtimin e Shqipërisë së re

 

Një emigrant i ardhur nga Kanadaja, tha se brezi i ri duhet të ndërtojë një shoqëri të re demokratike, por fillimisht duhet të largojë të gjithë figurat që kanë dominuar skenën politike për 36 vite. Ai e krahasoi protestën sot me revolucionin e vitit 1991 kur ra busti i ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Kam 31 vite që jetoj në Kanada. Jam ish student i Dhjetorit ’90. Në atë kohë, si ju, u mblodhëm në këtë shesh për të rrëzuar kaledrën e kuqe të monizmit që na kishte skllavëruar, torturuar identitetin tonë dhe ai revolucion arriti suksesin e parë.

Menduam se rruga dhe ndërtimi i një shteti demokratik do të ishte i lehtë, por nga mungesa e eksperiencës nuk ishte e vërtetë. E rrëzuam trupin e komunizmit, por rrënjët nuk arritëm t’i shkulnim. Këto rrënjë u integruan në të gjitha partitë politike dhe në shoqërinë civile që pastaj morën pushtetin dhe vazhduan të na thithin gjakun si shushunja për 36 vite.

Jeni ju të gjithë dhe sidomos brezi Z, ashtu si ne, që po vazhdoni një revolucion të rëndësishëm për të ndërtuar një Shqipëri të re. Por duhet të rrëzojmë fillimisht establishmentin e ndërtuar këto 36 vite, pastaj të ndërtojmë një shoqëri të painfektuar, të gjithë të barabartë dhe ku të mbizotërojë meritokracia”, tha protestuesi.

Ora 20:07
Qytetari nga tubimi para Kryeministrisë: Ne kemi shpikur turizmin e protestave, po i tregojmë botës mikpritjen dhe qytetërimin tonë

 

Një protestues nga tubimi para Kryeministrisë, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e përfaqësuesve të qeverisë, se tubimet e zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë, po dëmtojnë turizmin.

Gjatë fjalës së tij, protestuesi tha se shqiptarët kanë shpikur turizmin e protestave, përmes së cilit sipas tij, po i tregojnë gjithë botës se ditë të organizohen dhe të mbrojnë natyrën.

“Kanë shumë ditë që po mundohen të na hedhin trutë e gomarit se po dëmtojmë turizmin. Ndërkohë që ne këtu jemi i pari vend në botë që kemi shpikur turizmin e protestave. Ne i kemi treguar botës se kemi edhe njerëz mikpritës, njerëz të qytetetaruar, që dinë ta vlerësojnë natyrën dhe të organizohen. Në fillim thanë se jemi ngritur kundër një resorti, por falë qëndresës sonë prej 25 ditësh, kemi arritur t’ja thyejmë imazhin këtij kryeministri”, tha mes të tjerash protestuesi.

Ora 20:04
Protestuesi: Kur shqiptarët bashkohen për një ideal, nuk ka forcë që mund t’i ndalë! Kur populli hesht përballë padrejtësisë, humbet lirinë

 

Një protestues tha se Shqipëria është amanet për të gjithë dhe sot protestues që nesër të jetë një vend më i mirë për brezat e ardhshëm.

“Jemi këtu për Shqipërinë, për fëmijët tanë, për prindërit tanë, për ata që nuk kanë më zë. Edhe për ata që rrinë në shtëpi e nuk kanë forcë të vijnë këtu, e nuk kanë as para me çfarë të udhëtojnë e të vijnë. Për ata që janë larguar nga vendi me zemër të thyer. Shqipërinë ne do ta bëjmë. Atdheu nuk është vetëm toka ku kemi lindur, por amaneti që kemi marrë nga të parët tanë dhe që do t’ua lëmë më të mirë brezave që do të vijnë. Është detyrimi ynë moral dhe qytetar që çdo ditë të ngremë zërin për të drejtat tona. Çdo popull që hesht përballë padrejtësisë humbet lirinë e tij. Duam respektin në histori. Historia ka vërtetuar një tjetër gjë: kur shqiptarët bashkohen për një ideal, nuk ka forcë që mund t’i ndalë. Kush ka gjak shqiptari le të vijë këtu”, tha protestuesi.

Ora 20:02
Protesta para Kryeministrisë, organizatorja Sidorela Vatnikaj rilexon kërkesat e paraqitura disa ditë më parë nga Dritan Goxhaj

 

Një prej organizatorëve të protestës, Sidorela Vatnikaj, ka lexuar sërish gjatë ditës së sotme në tubimin para Kryeministrisë, kërkesat e lexuara më herët nga Dritan Goxhaj.

Kërkesat e lexuara në protestë nga Sidorela Vatnikaj:

Dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë.

Krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake që do të garantojë zgjedhje të lira.

Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit të jenë të barabartë para ligjit dhe miratimin e tyre me referendum popullor duke përfshirë:

1.      Ndryshimin e kodit zgjedhor

2.      Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike

3.      Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate

Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore

Shfuqizimin e Paketës së Maleve

Shfuqizimin e status-kuadrit ligjor për investimet strategjike

Kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit