Një i ri shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Londër, pasi ra nga lartësia e një godine në ndërtim, në një aksident që autoritetet e quajnë “plotësisht të shmangshëm”.

Renols Lleshi, vetëm 19 vjeç, punonte në një kantier në zonën e Acton, në perëndim të Londrës. Ai ndodhej në katin e 12-të të një pallati, kur gjatë punës për çmontimin e skelave në tarracë, shkeli mbi një hapësirë ventilimi dhe ra gjashtë kate poshtë, duke humbur jetën në vend.

Hetimet zbuluan se vrima e ventilimit ishte mbuluar në mënyrë të papërshtatshme vetëm me një dërrasë allçie dhe material shkumë, pa asnjë masë sigurie reale.

Po ashtu, rezultoi se zona e tarracës nuk ishte përfshirë në kontrollet rutinë të sigurisë, çka bëri që rreziku të mos zbulohej në kohë.

Inspektorja e sigurisë në punë, Natalie Prince, deklaroi se rëniet nga lartësia janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në punë dhe se ky rast ishte “plotësisht i shmangshëm”.

Familja e të riut është shprehur e shkatërruar nga humbja. Babai i tij tha se dhimbja është edhe më e madhe kur e di që vdekja mund të ishte parandaluar.

“Askush nuk mund ta kthejë më djalin tonë apo të na lehtësojë dhimbjen”, u shpreh ai.

Kompania përgjegjëse, Jerram Falkus Construction Limited, ku Lleshi punonte që nga viti 2023, pranoi fajësinë për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe u gjobit me mbi 42 mijë paund, si dhe me kosto shtesë dhe penalitete.

Rregullat kërkojnë që punëdhënësit të sigurojnë pajisje të qëndrueshme, të sigurta dhe të kontrolluara rregullisht për të shmangur aksidente të tilla.

Kompania, e cila operonte në Londër dhe juglindje të Anglisë, ka ndërprerë aktivitetin muajin e kaluar

Rasti i Renols Lleshit, sipas mediave që raportuan rastin, cilësohetsi një tjetër alarm për kushtet e sigurisë në kantieret e ndërtimit në Mbretërinë e Bashkuar, ku shpesh neglizhenca mund të ketë pasoja fatale.