Rusia ka testuar së fundmi me sukses raketën e re, të quajtur ‘Burevestnik’ që do të thotë ‘Zog i stuhisë’, e cila është një armë vdekjeprurëse, që premton saktësi kundër objektivave në çfarëdo distance.

Lidhur me këtë, ish-deputeti i PS Denis Deliu, i ftuar në emisionin ‘Bota Report’ në Report Tv, tha se Putin po krijon armë të reja për të krijuar frikë tek vendet e NATO dhe SHBA-ja.

‘Putini kërkon armë të reja që të ndjell frikë. Por kjo raketë po i prish balancat e mbrojtjes raketore që kanë SHBA dhe NATO. Kjo raketë ka qenë në fazë testimi që nga viti 2010, pasi me parametrat që mendohet të ketë i frikëson shtetet perëndimore, pasi nuk kapet nga radarët, nuk pyet për terrenin dhe kushtet atmosferike dhe as për distanca. Putin do të krijojë armatime të reja për të krijuar një frikë tek shtetet e NATO-s dhe SHBA. Është e rrezikshme sepse mund të godas të gjitha bazat bërthamore të SHBA ose të vendeve të NATO’, tha ai.

Ai tha se Rusia do që të prodhojë me shumicë nga këto raketa. Sipas tij, kjo armë e bënë luftën më të pasigurt dhe i bënë vendet e NATO-s më të stepura.

‘Mendohet që Rusia do t’i prodhojë me shumicë për të mbajtur nën presion dhe trysni vendet e NATO që të mos nisin sulme kundrejt Rusisë, nëse do të kemi nesër një përshkallzim të luftës. Ka kohë që Putin ka kërcënuar vendet e NATO apo edhe të BE që të mos i japin raketa me rreze të gjatë veprimi Ukrainës.

Kjo armë e bënë luftën më të pasigurt dhe i bënë vendet e NATO-s më të stepura, por e fut botën në një rrezik tjetër sepse dihet që Rusia ka plane që të kërcënojë edhe Europën. Ato shtete që kanë armë bërthamore ndihen më të sigurta. Europa mbetet e rrezikuar sepse kontinenti jonë po vijon luftën. Rusia çdo armë e përdor në formë presioni. Putini është drejtues që do zmadhimin e Rusisë dhe këto e kthejnë botën në një moment të pasigurt’, tha ai.