Sondazhi i dytë i Piepolit në Report Tv/ Nëse votohej sot PS ruan bindshëm shumicën, më tepër se PD-LSI bashkë, që do të humbnin 2% të mbështetjes nëse dalin me vetëm 1 listë

TIRANË- Report Tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, publikuan sot të dhënat e sondazhit të dytë për zgjedhjet politike të 25 prillit. Partia socialiste mbetet forca kryesues dhe ka një diferencë të madhe me PD dhe LSI edhe nëse ato i bashkojnë votat. Nëse shqiptarët do të shkonin sot të votonin rreth 48- 52% e tyre do të zgjidhnin Partinë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike dhe LSI bashkë do të merrnin 35 deri në 43 % të votave. Më konkretisht PD 31 deri në 35 % ndërsa LSI 4 deri në 8%, duke njohur një rritje nga sondazhi i dhjetorit për zgjedhjet e 25 prillit.

Një tjetër faktor domethënës që del nga sondazhi i Piepolit në zgjedhjet e 25 prillit është dhe mënyra se si do të shkojë opozita në zgjedhje, e bashkuar apo e ndarë. Nëse PD dhe LSI do të dalin me një listë të përbashkët, do të humbin 2% të votave në rang kombëtar nga zgjedhësit e tyre. Pavarësisht se Partinë Demokratike e drejton de jure Lulzim Basha prej afro 8 vitesh, demokratët duan ende Sali Berishën, ku 81% e votuesve të PD duan që Berisha të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Sondazhi i Piepolit tregon se Partia Socialiste ka shumicën e votave të kryeqytetasve, 49-53% e përkthyer në mandate 17 deri në 19 deputetë. Ndërsa Partia Demokratike do të merrte 33 deri në 37 % të votave në tiranë 12 deri në 14 mandate. LSI në kryeqytet pëlqehet nga 5-7% e votuesve dhe mund të marrë 1 deri në 3 mandate.

Surprizë është dhe partia e Jozefina Topallit Lëvizja për Ndryshim e cila sot votohet nga 1 deri në 3% e shqiptarëve në rang kombëtar dhe renditet e 5-ta pas PDIU-së dhe lufton për mandat. 

Në lidhje me vaksinimin dhe menaxhimi i pandemisë, shqiptarët janë shprehur të kënaqur me menaxhimin e COVID, vaksinimin dhe rindërtimin, por nuk kanë munguar kritikat për situatën e përmbytjeve apo darkën e 'Nusretit' nderkohe për vrasjen e të riut Klodjan Rasha, 55% e shqiptarëve shfajësojnë Qeverinë.

Në vizitën e fundit të zhvilluar në Turqi Kryeministri Edi Rama u prit me nderime të mëdha nga Presidenti Erdogan. Në lidhje me këtë vizitë shqiptarët janë shprehur disi të ndarë në sondazhin e Piepoli dhe Report Tv. 42 % e tyre thonë se janë ndjerë krenarë, ndërsa 30 % kërkojnë që Shqipëria vëmendjen duhet ta ketë të përqendruar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu edhe në rolin e ndërmjetësues në krizën Turqi-Greqi, 36% thonë se është propagandë politike dhe 48% mendojnë se rritet prestigji i tij personal dhe i Shqipërisë.

Institute prestigjioz Ppiepoli arriti të parashikonte saktësisht zgjedhjet e përgjithshme të viti 2013 dhe 2017 në Shqipëri. Instituti Piepoli i cili prej 60 vitesh realizon në Itali sondazhe zgjedhore për RAI-n dhe për televizionet më të rëndësishme kombëtare. Piepoli ka bërë një marrëveshje me Report Tv për të ndjekur gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri deri më 25 prill 2021.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:24
Si do të votohet në Kryeqytet? Ja si do të ndaheshin deputetët nëse zgjedhjet do të bëheshin sot

Nëse do të votosh sot për kë do të votosh? Kjo është pyetja që i është bërë votuesve të Tiranës dhe përgjigje kanë qenë si më poshtë: PS 49-53%, PD 33-37%, LSI 5-7%. Pra PS zotëron shumicë solide dhe ka një rritje të konsiderueshme edhe me zgjedhjet e kaluara ku mori pak më shumë se 48%. Sa i përket ndarjes së mandateve në Qarkun e Tiranës, PS me rezultatin e mësipërm do të merrte nga 17 deri në 19 mandate nga 36, ndërkohë që PD 12-14 ndërkohë që LSI do ta arrinte të çonte në Kuvend nga 1 deri maksimumi 3 mandate. Ndërkohë që partitë e tjera do ta kishin shumë të vështirë të merrnin një mandat.

Ora 23:11
Nëse zgjedhjet do mbaheshin sot si do të votohej? PS ruan bindshëm shumicën! PD në të njëjtat kuota, LSI rritet krahasuar me sondazhin e dhjetorit! Surprizë partia e Topallit

Nëse shqiptarët do të thirreshin sot për të votuar Partia Socialiste do të dilte bindshëm forcë e parë politike, me një mundësi shumë të madhe për të marrë besimin e shumicës së votuesve. Nga sondazhi i zhvilluar 48-52% deklarojnë votën e tyre por Qeverisë. Partia Demokratike ka një rritje të lehtë me sondazhin e publikuar nga Report Tv në dhjeto, duke marrë 31-35% të votave. Lëvizja Socialiste për Integrim është në kuotat e 4-8% me një dyfishim të votave krahasuar me matjen e opinionit në dhjetor. Ndërkohë që përqindje të rëndësishme ka edhe PDIU e cila nëse zgjedhjet do bëheshin sot do të merrte 2-4%. Supriza e madhe e këtij sondazhi është partia e Jozefina Topallit, Lëvizja për Ndryshim, e cila radhitet e pesta në rang kombëtar me 1-3%. 

Ora 23:08
Shqiptarët, shumica shprehen se do të votojnë më 25 prill!

92% e shqiptarëve janë të bindur se do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet ardhshme parlamentare që do të zhvillohen më 25 prill, ndërkohë që 3% ende nuk kanë një vendim. Vetëm 2% anojnë nga përgjigja negative. Shifra e votuesve që presin 25 prillin për të vendosur është rritur krahasuar me sondazhin e publikuar më 8 dhjetor, ku 86% e shqiptarëve janë shprehur se do të marrim pjesë në zgjedhje.

Ora 23:06
Sjellja e Ilir Metës si President? 59% e shqiptarëve thonë se është me opozitën, 35% e konsiderojnë institucional dhe 1% e bëjnë pro-Ramën

Për 59% të shqiptarëve qëndrimet dhe deklaratat e Presidentit Ilir Meta janë të pozicionuara pro opozitës. 35% e tyre thonë Ilir Meta është institucional dhe i pavarur, ndërkohë që 1% e radhisin me mazhorancën.

Ora 23:01
Pyeten votuesit e tyre, PD dhe LSI do të humbnim 2% të mbështetjes nëse dalin me një listë të përbashkët

Edhe dy forcat kryesore të partive politike të opozitës, PD dhe LSI, ende nuk e kanë ndarë mendjen se me sa lista do të dalin përballë Qeverisë në zgjedhje, shumica dërrmuese e votuesve të tyre do ta votonin një listë të përbashkët kandidatësh. Të pyetur në sondazhin e Institutit Piepoli dhe Report Tv, 80% e votuesve të PD-LSI shprehen se do t'i votonin këto forca edhe nëse lista do të ishte e përbashkët. Ndërkohë që 15% shprehen në mëdyshje por të prirur për 'Po'. Por vihet re se mes votuesve të tyre 2% janë të bindur se nuk do ta votonin një listë të përbashkët të dy forcave kryesore të opozitës. 

Ora 22:55
Edhe pse Basha prej vitesh kryetar, demokratët besnikë të Berishës! 88% pro kandidimit të tij më 25 prill

Instituti Piepoli ka pyetur në veçantë të anketuarit që kanë deklaruar votën për Partinë Demokratike për mendimin e tyre për kandidimin e Sali Berishës më 25 prill.  

Një shumicë dërrmuese, 81 % janë përgjigjur me 'po absolute' duke treguar se demokratët janë ende 'besnikë' të ish-Kryeministrit. Vetëm 4 % e demokratëve kanë votuar kundër kandidimit të Sali Berishës në zgjedhjet e 25 prillit.

Ora 22:49
Vetëm 3 muaj nga zgjedhjet, 53% e shqiptarëve fajësojnë Lulzim Bashën për jo unitetin e opozitës

Vetëm 20% e shqiptarëve e konsiderojnë shumë të mirë punën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për të bashkuar në një front opozitën. 53% e quajnë të gabuar, ndërkohë që 25% normale. Ky vlerësim i qytetarëve vjen kur duhen më pak se 3 muaj nga data e zgjedhjeve dhe në partitë e opozitës ende nuk është vendosur mënyra se si do ta dalin para shqiptarëve, me 1 apo me 2 lista të ndryshme.

Ora 22:47
Ndryshimet e fundit në Qeveri, 49% e shqiptarëve i konsiderojnë të nevojshme dhe 34% indiferentë

Ndryshime e fundit në përbërjen e Qeverisë, me Olta Xhaçkën që u bë ministre e Jashtme, Bledi Çuçi ministër i Brendshëm, Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes dhe Milva Ekonomin ministre e Bujqësisë tërhoqën vëmendjen e opinionit publik. Pyetjes se Institutit Piepoli se si i konsiderojnë këto ndryshime 49% e të pyeturve thonë se kanë qenë të domosdoshme ndërkohë që 14% të panevojshme. Shifër e konsiderueshme është ajo e indiferentë për ndryshimet në dikasteret kryesore me 34% të të pyeturve.  

Ora 22:21
Shqiptarët dakord me opozitën për darkën e 'Nusretit', të ndarë për përmbytjet! 55% e shfajësojnë Qeverinë për vrasjen e Klodjan Rashës! Rezultatet e tjera

55% e shqiptarëve mendojnë se qeveria nuk ka faj lidhur me vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë në Tiranë, sipas të dhënave të sondazhit të Report Tv dhe Institutit prestigjioz italian Piepoli. Por nga ana tjetër shqiptarët janë të ndarë në qëndrim sa i përket darkës së disa ministrave në një prej restoranteve më të shtrenjta në Dubai.

Ja të gjitha pyetjet për çështjet më të ndjeshme:

Sanitarja e kapur duke i marrë para familjarëve të një të sëmuri me COVID 20% mendojnë se qeveria ka faj; 25% mendojnë se qeveria ka pjesërisht faj; 48% mendojnë se qeveria nuk ka asnjë faj; 7% janë përgjigjur nuk e di.

Debati mbi kufirin detar me Greqinë: 31% kanë votuar se qeveria ka faj; 14% mendojnë se qeveria ka pjesërisht faj; 44% mendojnë se qeveria nuk ka asnjë faj; 11% kanë votuar nuk e di.

Darka te Nusreti në Dubai: 33% mendojnë se qeveria ka faj,  19% mendojnë se qeveria ka pjesërisht faj; 44% mendojnë se qeveria nuk ka asnjë faj; 8% thonë nuk e di.

Përmbytjet: 33% kanë votuar se qeveria ka faj; 28% se qeveria ka pjesërisht faj; 44% kanë votuar se qeveria nuk ka asnjë faj; 5% thonë nuk e di.

Vrasja e Klodian Rashës: 8% mendojnë se qeveria ka faj; 28% mendojnë se qeveria ka pjesërisht faj; 55% mendojnë se qeveria nuk  ka asnjë faj; 9% kanë votuar nuk e di.

Ora 22:11
Ç'po ndodh me krizën ekonomike? Vëtëm 43% vlerësojnë menaxhimin e deritanishëm, 39% negativisht

Kur po bëhet gati një vit që COVID ka hyrë në vendin tonë dhe vendi është përfshirë në një krizë ekonomike, në sondazhin e Report Tv dhe Institutit prestigjioz italian Piepoli, 43% e shqiptarëve  mendojnë se është menaxhuar më së miri. Ndërkaq 39% mendojnë se nuk është menaxhuar mirë kriza. Siç vihet re dhe nga rezultatet ka një diferencë të vogël mes qytetarëve që mendojnë se është menaxhuar mirë kundrejt atyre që mendojnë se nuk është menaxhuar mirë kriza.

Ora 22:09
Rindërtimi pas tërmetit, 56% e shqiptarëve pozitiv me punën e qeverisë, 31% janë kritikë

Rindërtimi pas tërmetit prej më shumë se 1 viti tashmë është në qendër të vëmendjes së punës së institucioneve por edhe opinionit publik.  Instituti Piepoli i ka pyetur shqiptarët për vlerësimin e asaj që është bërë deri më tani. 56% e tyre janë pozitivë me punën e qeverisë për rindërtimin pas tërmetit. 12% e cilësojnë të shkëlqyer, 33% të mirë ndërkohë që 11% të kënaqshme. Nga ana tjetër 16% e mendojnë se ka qenë e dobët ndërkohë që të keqe 25%.

Ora 21:54
Rama ndërmjetësues në krizën Turqi-Greqi, 36% thonë se është propagandë politike! 48% mendojnë se rritet prestigji i tij personal dhe i Shqipërisë

Sipas sondazhit të Report Tv dhe Institutit prestigjioz italian Piepoli, shumica, pra 48% e shqiptarëve besojnë se kryeministri Edi Rama po rrit prestigjin e tij personal dhe atë të Shqipërisë, me tentativat për të qenë ndërmjetës mes Turqisë dhe Greqisë në zgjidhjen e ngërçeve që kanë midis tyre. Kjo përgjigje qëndron në plan të parë, ndërsa në vend të dytë, 36% mendojnë se "ndërmjetësimi i Ramës nuk ka asnjë vlerë, por po bëhet vetëm për propagandë politike".

Ora 21:44
Pritja me plot nderime për Ramën në Turqi, 30 % e shqiptarëve thonë se duhet të shikojmë nga BE

Në vizitën e fundit të zhvilluar në Turqi Kryeministri Edi Rama u prit me nderime të mëdha nga Presidenti Erdogan. Në lidhje me këtë vizitë shqiptarët janë shprehur disi të ndarë në sondazhin e Piepoli dhe Report Tv. 42 % e tyre thonë se janë ndjerë krenarë, ndërsa 30 % kërkojnë që Shqipëria vëmendjen duhet ta ketë të përqendruar nga Bashkimi Evropian.

Ora 21:32
Kritikat e Ramës ndaj BE-së për vaksinën, 54 % e shqiptarë janë dakord me Kryeministrin, vetëm 28% kundër

Debati i krijuar në Shqipëri pas kritikave që Kryeministri Rama i ka bërë Bashkimit Evropian që nuk u treguan solidarë për shpërndarjen e  vaksinave anti-COVID me Ballkanin Perëndimor ka qenë një tjetër çështje për të cilën shqiptarët janë pyetur në sondazhin e publikuar në Report Tv.  54 % e shqiptarëve mbështesin e Ramës ndërkohë që  28 % e shqiptarëve nuk mbështesin sjelljen e kryeministrit.

Ora 21:24
Situata e pandemisë, 53 % vlerësojnë menaxhimin e qeverisë, 35% kundër masave të marra

Në sondazhin e Institutit Piepoli dhe Report Tv, 53 % e shqiptarëve kanë vlerësuar me nota pozitive masat e marra nga Qeveria për menazhimin e pandemisë së COVID. Nga këta 31% shumë pozitive. Ndërsa 35 % shprehen të pakënaqur. 

Ora 21:18
Sa do ta bënin vaksinën anti COVID sot?/ Mbi 56 % e shqiptarëve thonë 'Po', 27 % nuk duan! Të tjerët të pavendosur

Ndërkohë që në Shqipëri ka nisur tashmë fushata e vaksinimit, mbi 56 % e shqiptarë janë pro vaksinimit anti-COVID, ndërsa vetëm 27 % shprehen kundër tij. Ndërkohë që 15 % e shqiptarëve shprehen të pavendosur pasi kërkojnë më shumë informacion në lidhje me vaksinës. Në total 44% janë ende skeptikë. 

Ora 21:10
Si reagoi qeveria për fushatën e vaksinimit? Vetëm 34% e shqiptarëve mendojnë se e përballoi keq

Pyetja e parë që i është bërë shqiptarëve në sondazhin e Institutit Piepoli dhe Report Tv është çështja më e ndjeshme e ditëve të fundit, vaksinimi. Qytetarët janë të ndarë në lidhje me sjelljen e qeverisë për fushatën e vaksinimit anti-COVID-19, ku edhe pse përqindja më e madhe 43 % e ka vlerësuar pozitive se ka reaguar mirë dhe shpejt, ndërsa 34 % mendon se ka reaguar keq. Ndërsa 22 % shprehet se reagimi ka qenë i mirë por ka ndodhur me vonesë.

Ora 21:05
Sondazhi i dytë për 25 prillin/ Zv.Presidenti i Institutit Piepoli: Kampioni gjithëpërfshirës, marzhi i gabimit 4.4%

Zv/Presidenti i Institutit Piepoli Livio Gigliuto është pyetur për pikat kryesore të sondazhit. Ai ka thënë se ndryshe nga sondazhi i parë ku u pyetën 500 shqiptarë kësaj radhe kemi 900, një kampion shumë më i madh se në rastin e parë kështu që të dhënat do të jenë edhe me të rëndësishme.

Ai tha se ka pasur një kampion përfaqësues të popullsisë, 54% gra dhe 46% burra por edhe shpërndarjen e grupmoshave të popullsisë shqiptare.  Sa i përket marzhit të gabimit është +/- 4.4%, marsh gabimi klasik i sondazheve zgjedhore. Ky marzh na bën të mundur të inkuadrojmë më së miri situatën politike. Sondazhi është zhvilluar nga 14 deri më 22 janari kështu që të dhënat janë të përditësuara.

Menaxhimi i procesit të vaksinimit dhe krizës shëndetësore, situata ekonomike në vend, ndryshimet në qeveri apo dhe aksioni diplomatik i kryeministrit Rama janë disa nga temat për të cilat janë pyetur qytetarët shqiptarë në këtë sondazh të dytë. 

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben Tironci: 27/01/2021 23:55

    Edo je gjigand ec para....qente e dine vet lehjen... plasen .Mengjezi nu ze Monen Meten Lulin... natyrisht gelbazen Berishe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK