Rama: Basha premtonte nënë e babë dhe 'lekë, lekë, lekë', unë 'punë, punë, punë'! Pushteti s’ka qenë asnjëherë i imi, por i juaji

TIRANË- Pas Librazhdit, ndalesa e radhës e kryesocialisti Edi Rama, ishte Tirana, ku pasditen e kësaj të marte është ndalur në njësinë numër 1. Në fjalën e tij, Rama renditi pikat që sipas tij, bëjnë diferencën mes tij dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Për Ramën, ai premton gjithçka vetëm që të marrë pushtetin, e ndërsa Rama tha se objektiv i Partisë Socialiste të Shqipërisë është të shtojë vendet e punës me paga të mirëpaguara.

"Kur Basha doli në atë garë premtonte nënë e babë dhe më kujtohen dy premtime spektakolare, tramvajin dhe do ulë çmimin e bukës, pa iu dridhur qerpiku. Thotë kam ardhur të të takoj sy më sy dhe do vij prap sy më sy, në fakt pasi e mori si e mori, kjo është temë tjetër, sytë e tij nuk panë më askënd se u mbyllën për gjumë. Ajo që pësoi Tirana ishin 4 vjet të humbura. Sot thotë 'lekë, lekë, lekë,' të gjithë iu premton 'lekë, lekë', ndërsa unë them 'punë, punë, punë'. Kush iu premton lekë, nuk iu jep, jo lekë, por ju jep mbrapsht 2 gishtat në bebet e syrit, ndërkohë që kush premton punë, jo duke e thënë do ju jap punë dhe për vete duke fjetur gjumë, por duke punuar pa pushim, atëherë kur ke një punë vijnë dhe lekët, ndërsa kur shkon pas lekëve, jo vetëm që s'ke punë, por as lekë nuk merr", tha Rama.

Numri një i socialistëve në takimin me banorët e lagjes 'Ali Demi', tha në në këto 8 vite qeverisja pushteti ka qenë i shqiptarëve dhe jo i tij personal, apo i familjarëve, duke thumbuar kështu kundërshtarët e tij politik.

"Një gjë unë e kam themelin e krenarisë time, që qysh nga dita e parë në atë zyrë, unë kam qenë njeriu që hynë dhe del, pushteti i saj zyre ka qenë i juaji. Asnjëherë, në asnjë rast, nuk ka qenë i imi, i interesave të mia, por çdo ditë, natë, sidomos në ditët më të vështira, me çdo njeri që kam kontaktuar, pushteti juaj, pushteti i njerëzve", tha Rama. 

Mandatin e tretë, Rama shtoi se e kërkon për të mbyllur punët për të mirën e vendit.

"Duhet të vazhdojmë punën për ta bërë Shqipërinë me 4 aeroporte, me 4 porte të mëdha turistike, i Sarandës, Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit. Problemi ynë, imi, që duhet çdo ditë dhe natë të mbledhim me problemet e njerëzve, është problemi i të rinjve, jo mungesa e vendeve të punës, por mungesa e vendeve të punës të paguara shumë mirë”, u shpreh Rama.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rënia e rasteve me Covid-19 dhe efekti i vaksinimit, a duhet të hiqet ora policore?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Vrasje me armë zjarri në Tiranë pas një konflikti, ndërron jetë në spital 27-vjeçari! Disa të shoqëruar (EMRI+VIDEO)