Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të shtunë në rrjetin social “Instagram” një shprehje të ish-presidentit amerikan Barack Obamës, që lidhet drejtpërdrejtë me situatën aktuale në vend. Duke iu drejtuar studentëve të cilët pezulluan ditën e djeshme protestën e tyre prej më shumë se dy javësh ndërkohë që paralajmëruan edhe rikthimin në janar, Rama citon: Nëse mendoni se shkollimi është i shtrenjtë, shikoni sa shumë do t’ju kushtojë injoranca.
Përmes kësaj shprehjeje, Rama rithekson edhe njëherë nevojën për të dialoguar dhe konsideron refuzimin e bashkëbisedimit si një vendimmarrje që buron nga injoranca.
Dita e premte (21 dhjetor) ishte dita e 17 e protestës së studentëve, të cilët që prej fillimit të saj kanë kërkuar plotësimin e tetë kërkesave. Ndonëse kryeministri Edi Rama deklaroi se në janar shteti do të mbulojë 50% të tarifës për studentët e bachelorit e më tej publikoi edhe “Paktin për Universitetin”, ku garantohej plotësimi i pikave të parashtruara, një pjesë e studentëve sërish janë shprehur se nuk do të ulen në një tryezë të përbashkët me kryeministrin në rast se ky i fundit nuk do të plotësojë kërkesat. (Lexo këtu)