Shqipëria u ul në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, për t’i hapur rrugë zyrtarisht mbylljes së grupkapitujve, pas kalimit me sukses të një prej faza më të rëndësishme, piketave të ndërmjetme për grupkapitullin e Thelemoreve.

Optimist për atë që na pret përpara, Rama që në nisje e konisderoi si një prej momenteve më të rëndësishme për Shqipërinë.

“Gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, tha Rama.

I shoqëruar nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe 4 ministra, Rama mori në këtë tryezë vlerësim për progresin e Shqipërisë, ecuri që Komisionerja për Zgjerim Marta Kos dhe Zëvendësministrja e Qipros, si vendi që mban presidencën e radhës së BE, u kujdesën ta evidentonin qartë.

“Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Shqipëria duhet të konsolidojë reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend. Kur flasim për datën ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin”, tha Kos.

“Konferenca doli në përfundimin që Shqipëria ka plotësuar me sukses grupkapitullin e Themeloreve. Kjo është një arritje e rëndësishme. Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv, një bilanc të konsoliduar, rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. BE pret me padurim për të vazhduar këtë vrull reformash që e ka sjellë Shqipërinë këtu”, u shpreh Raouna.

Ndërsa Rama ishte i lumtur t’u tregonte skeptikëve në Shqipëri, se IBAR-i, piketat e ndërmjetme u kaluan me sukses, ndryshe nga sa opozita artikulonte prej disa muajsh.

“Ndihemi të inkurajuar, por me më shumë përgjegjësi sepse e dimë që s’është fundi, është vetëm fillimi i fundit. E dimë që duhet të bëjmë shumë më tepër punë, por t’u themi të gjithë shqiptarëve, fjala IBAR që u bë edhe më trendi sesa Botërori, kaloi. Ne do të jemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. Unë e di, e ndjej, do të luftoj së bashku me ekipin”, tha Rama.

Teksa në korridoret e Brukselit, mes vendeve anëtare, ka filluar të diskutohet zëshëm për një metodologji të re anëtarësimi për vendet kandidate, siç është letra e kancelarit gjerman Merz për një “anëtarësim të asociuar” për Ukrainën dhe gjetjen e një “zgjidhjeve inovative” për vendet e tjera kandidate, kryeministri Rama u tregua i hapur ndaj tyre.

“Unë jam i kënaqur me këtë sepse u bënë disa vite që mendoj se duhet gjetur një mënyrë krjuese. Letra jonë u është drejtuar vendeve anëtare. Duhet ta shohim gjerësisht, kandidatët nuk duhet të ndahen. Ne presim me padurim samitin BE-Ballakni Perëndimor dhe shpresjmë të kemi hapësirë ta bëjmë këtë diskutim”, tha Rama.

Ndërsa Komisionerja Kos u tregua e rezervuar mbi diskutimet që po bëhen, duke pranuar vetëm idenë e disa garancive shtesë për vendet e reja anëtare.

“Kam folur shumë herë për garancitë, sepse kur të pranojmë shtetet anëtare, duhet të jemi më të fortë. Sesi do të jetë kjo garanci, kjo është ende në diskutim. Vendet kandidate mund të dinë diçka nga diskutimet, por asgjë nuk është vendosur”, u shpreh Kos.

Me komisioneren Kos nuk munguan as batutat që në nisje të konferencës, me të cilën kryeministri Rama pati një përqafim tejet miqësor.

“Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE, dashuria e pashtershme, pa kushte, dashuri që sjell vuajtje”, tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:39
Begaj përshëndet Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE: Moment historik në rrugëtimin e pakthyeshëm europian të vendit tonë

1777982947_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj, përshëndeti Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, e cila hap zyrtarisht rrugën për fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane. Kreu i Shtetit e cilësoi atë si një tjetër moment historik në rrugëtimin e pakthyeshëm evropian të Shqipërisë.

Për Begajn, rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian vijon me më shumë përgjegjësi dhe përkushtim.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:

“Sot, Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt familjes evropiane.

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE është një moment historik në rrugëtimin e pakthyeshëm evropian të Shqipërisë.

Integrimi evropian është projekt kombëtar, është aspirata e brezave të shqiptarëve për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze në familjen evropiane.

Urime Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për këtë arritje të rëndësishme!

Rruga vazhdon me më shumë besim, përgjegjësi dhe përkushtim”.

Ora 21:09
Rama në Konferencën Ndërqeveritare: Shqipëria s’ka alternativë tjetër veç anëtarësimit! Ka ardhur koha ta luajmë lojën ndryshe

 

Shqipëria s’ka asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE, ritheksoi kryeministri Rama në Konferencën Ndërqeveritare. Ai tha se anëtarësimi gradual që është propozuar nga kancelari gjerman Merz nuk nënkupton krijimin e një Europe me 2 klasa, por vijimin ndryshe të rrugës.

“Ne të gjithë duhet të kuptojmë se ka ardhur koha ta luajmë ndryshe lojën tonë dhe kur vjen fjala te Shqipëria, nuk kemi asnjë plan B, nuk kemi asnjë alternativë dhe nuk duam të kemi sepse çdo alternativë për BE është përkundrejt lirisë së individit, duam të jemi pjesë e kësaj çfarëdo që të duhet e çfarëdo lloj gjëje. Ka pasur një përpjekje me Planin e Rritjes për këtë qasjen gjithçka ose asgjë. Nuk është ideja të krijojmë Europë me 2 nivele qytetarie, ka të bëjë me një Europë tërësisht të integruar duke respektuar plotësisht metodologjinë në fuqi”, tha Rama.

Ora 21:08
Marta Kos: Vendet kandidate kanë mundësi të anëtarësohen në BE, vetëm kur të përmbushin kushtet! Plan për garanci nga shtetet pretendente

 

Komisionerja Europiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur se të gjitha vendet kandidate kanë mundësi të anëtarësohen në BE vetëm kur të kenë plotësuar të gjitha kushtet. Komentet Kos i bëri nga Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel, ku tha se BE po planifikon që vendet e reja që do të anëtarësohen në BE, do të duhet të japin disa garanci.

Sipas Kos, nëse këto vende, pasi të bëhen anëtare të BE-së dhe ndjekin rregullat e Unionit, këto garanci nuk do të ndihen. Por e kundërta sipas saj do të ndodhë nëse shtetet që anëtarësohen në BE, nuk do të ndjekin rregullat. Megjithatë Kos shtoi se ‘garancitë’ për vendet pretendente për t’u anëtarësuar në BE janë ende në diskutim dhe akoma nuk është marrë vendim përfundimtar.

“Për mua sfida më e madhe e procesit të zgjerimit është sesi të ngushtohet hendeku midis parimit bazuar në meritë që kërkon kohë dhe si t’ju përgjigjemi situatave të sotme gjeopolitike. Ashtu si keni thënë zoti kryeministër, nëse nuk do të mund të integrojmë fqinjësinë apo hapësirat tona të kandidatëve, dikush tjetër mund të hyjë dhe t’i përdorë si armë ndaj nesh. Çdo diskutim nga shtetet anëtare është shumë i mirëpritur.

Të gjitha vendet tona kandidate kanë mundësi të anëtarësohen në BE, kur të plotësojnë të gjitha kushtet. Kjo është baza dhe kjo nuk ka ndryshuar aspak. Kam folur shumë herë për garancitë, sepse kur të pranojmë shtetet anëtare, duhet të jemi më të fortë. Sesi do të jetë kjo garanci, kjo është ende në diskutim. Vendet kandidate mund të dinë diçka nga diskutimet, por asgjë nuk është vendosur. Këto garanci do të jenë të padukshme për shtetet e reja anëtare, kur të behen pjesë, nëse ndjekin rregullat. Sepse nëse nuk ndjekin rregullat, do i ndjejnë fortë këto garanci”, tha mes të tjerash Kos.

Ora 21:00
Konferenca Ndërqeveritare, Rama për propozimin e Merz: Jam i kënaqur, është me interes! Jemi talebanët e Europës, do të bëjmë gjithçka për t’u anëtarësuar

 

Lidhur me propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate në BE, kryeministri Edi Rama tha se Europa e bashkuar është më mirë për të gjithë. Rama tha se kandidatët s’duhet të ndahen, ndërsa shtoi se Shqipëria është “talebane e Europës” duke rikonfirmuar qëndrimin për t’u anëtarësuar.

“Është shumë me interes dhe e mirëpritur vëmendja e veçantë që kancelari gjerman i kushton zgjerimit dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Ka qenë një temë që për disa ishte tabu dhe për ne nuk ishte tabu. Unë jam i kënaqur me këtë sepse u bënë disa vite që mendoj se duhet gjetur një mënyrë krjuese sepse jemi në një botë krejt të re. Europa ka një luftë me të cilën duhet të merret në tokën e saj dhe shumë sfida me të cilat duhet të përballet. Një Europë e bashkuar është më mirë për të gjithë. As qeveria e Shqipërisë, as e Ballkanit Perëndimor, por vetë Parlamenti Europian ka nxjerrë një raport që mbajtja jonë jashtë është më e kushtueshme sesa mbajtja brenda. Letra jonë u është drejtuar vendeve anëtare. Duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar ndokënd, kandidatët nuk duhet të ndahen. E dyta, po Moldavia? Moldavia u ka mbijeutar dy agresioneve ruse në dy fushata shumë të vështira e në dukje e brishtë, por një grua shumë e fortë i ka drejtuar me shumë guxim, me vullnet mjaft të fortë europian duke u premtuar moldavëve BE. Ne jemi talebanët e BE-së. Nuk do t’ hedhim sytë askund. Çfarëdo të duhet, do ta bëjmë për të hyrë brenda. Ka pika të dobëta që duhen marrë në konsideratë”, tha Rama.

Ora 20:53
Kos: Mbështesim Shqipërinë për mbylljen e negociatave deri në 2027-ën, pastaj do ngjis malin e Korabit bashkë me Ramën! Kryeministri: Më mirë të ngjisim Kullën Eifel

1779828564_uyfoio.JPG

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur se mbështet fuqishëm vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Nëse ky objektiv do të arrihet, Marta Kos premtoi se do të ngjisë malin e Korabit bashkë me kryeministrin Rama.

“Ne mblidhemi këtu sa herë që flasim për kapitujt. Por gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj, është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është edhe njëherë përparësi e BE-së. Nëse dikush e kupton se kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë, ky është vendi juaj. Dhe duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse që kam pasur sot”, tha mes të tjerash Kos.

Nga ana tjetër, me batura kryeministri Edi Rama i propozoi komisioneres Kos që në vend të malit të Korabit, të ngjisin Kullën Eifel.

“Mund të bëjmë një kompromis, mund t’i ngjitemi Kullës Eifel, kur Franca të thotë po, ‘mirëseerdhët në klub’. Do të jetë më e vështirë se Korabi”, u përgjigj Rama.

Ora 20:47
Rama në Konferencën Ndërqeveritare: Ndihemi të inkurajuar, është vetëm fillimi i fundit

 

Kryeministri Rama tha se miratimi i qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për IBAR-in është vetëm fillimi i fundit.

“Ndihemi të inkurajuar, por me më shumë përgjegjësi sepse e dimë që s’është fundi, është vetëm fillimi i fundit. E dimë që duhet të bëjmë shumë më tepër punë, por t’u themi të gjithë shqiptarëve, fjala IBAR u bë edhe më trendi sesa fjala botërore”, tha Rama.

Ora 20:44
‘Agapi mou’ e ‘Yubim te’, Rama e nis me batuta fjalimin në Konferencën Ndërqeveritare, Kos ia kthen me puthje (VIDEO)

Me batuta e nisi kryeministri Rama fjalën e tij në Konferencën Ndërqeveritare ku iu drejtua Zëvendësministres për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, në greqisht, kurse Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos në një variant “jo saktësisht slloven.” Në këmbim, Rama mori një puthje nga Kos.

“E dashur Marilena, agapi mou! Faleminderit shumë, e dashur Marta! Nuk më do mua? Po mendoja të thoja “Yubim te”, “Yubim te” nuk është saktësisht varianti slloven, por edhe mund të jetë. Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE, dashuria e pashtershme, pa kushte, dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi, por sigurisht jemi shumë të lumtur”, tha Rama.

Ora 20:42
Integrimi/ Marta Kos: Shqipëria, hapa të mëdha në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në BE, SPAK po jep rezultate

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa të suksesshme në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE. Komentet Kos i bëri gjatë fjalës së saj në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku tha se ky është një moment që çel një fazë të re të bisedimeve për zgjerimin dhe bën të mundur ecjen para të Shqipërisë në procesin e negociatave. Ajo vlerësoi punën e SPAK, duke thënë se po jep rezultate dhe se ka vërtetuar se mund të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri.

“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE-së.

Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm. Mbëtetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend.

Është koha të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve. Më shumë se 90 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Kremtoni arritjen dhe le t’i kthehemi menjëherë punës. Prej jush sa më shumë kapituj të mbyllen në rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, aq më i suksesshëm do të jetë edhe bashkëpunimi me BE-në”, tha mes të tjerash Marta Kos.

Ora 20:32
Konferenca ndërqeveritare/ BE konfirmon: Shqipëria përmbushi kushtet për 'Themeloret'

Shqipëria ka përmbushur kushtet e ndërmjetme për grup-kapitullin “Themeloret”, duke hyrë në një fazë të re të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh, zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, që mban presidencën e Këshillit të BE-së. Pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare, Raouna përgëzoi punën e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit duke thënë se ka shënuar një hap të madh. Raouna tha se tashmë nis një fazë e re, edhe më sfiduese.

“Gjatë presidencs së Qipros Këshilli ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë. Konferenca doli në përfundimin që Shqipëria ka plotësuar me sukses grupkapitullin e Themeloreve. Kjo është një arritje e rëndësishme. Ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të mbyllim provizorisht kapitujt. Zgjerimi është strategjik për presidencën e Qipros. Ne besojmë thellësisht te zgjerimi dhe jemi të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë vendimtare, me vlerësim e kushtëzim rigororz dhe të drejtë. Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por që ia vlen. Konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re edhe më sfiduese. Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv, një bilanc të konsoliduar, rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. BE pret me padurim për të vazhduar këtë vrull reformash që e ka sjellë Shqipërinë këtu sot. Komisioni Europian mbetet i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë dhe presidenca e Qipros do ta mbështesë”, tha Raouna.

Ora 20:12
Konferenca Ndërqeveritare/ Gjermania e Holanda: Pavarësia e gjyqësorit dhe lufta ndaj korrupsionit, të panegociueshme! Kujdes me imunitetin

Në kuadër të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Gjermania e Holanda kanë deklaruar mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Arritja e standardeve të përkohshme në grupkapitullin “Themeloret” shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratë.

Dy vendet vlerësojnë standardet e përkohshme për “Themeloret”, por thonë se pavarësia e gjyqësorit dhe lufta ndaj korrupsionit janë kushte të panegociueshme për anëtarësimin.

Gjithashtu kanë nënvizuar se vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Arritja e standardeve të përkohshme përbën pikënisjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës. Miratimi i IBAR-it shpreh pritshmëritë tona të qarta dhe inkurajimin për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe lufta e pakushtëzuar kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë, janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo përfshin gjithashtu garantimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, ato shtojnë se do të vijojnë me monitorimin nga afër të zhvillimeve.

Ora 18:48
Para Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama takim bilateral me kryeministrin e Belgjikës (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është pritur sot në një takim në Bruksel nga kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever.

Rama ndodhet në Bruksel sëbashku me një ekip negociator, pasi do të marrë pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për procesin e negociatave të anëtarësimit.

Konferenca e 8-të konsiderohet një moment i rëndësishëm në fazën aktuale të negociatave, pasi fokusohet në përmbylljen e kushteve të ndërmjetme që përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.