Rama: Dikur mjekët dhe infermierët i punësonte partia ndërsa sot meritokracia

Portali “Mjekë për Shqipërinë” do shërbejë si mundësi punësimi për mjekët specializantë. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mjekët siguroi se do ketë një proces punësimi transparent dhe pa ndërhyrje teksa shtoi se në spitale janë 112 vende pune.

Me krijimin e një sistemi online është e pamundur ndërhyrja nga jashtë, përmes parave, miqve, apo partive politike. Këtë theksoi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të portalit “Mjekë për Shqipërinë”.  

Ai ftoi mjekët e rinj të aplikojnë duke u garantuar se procesi i garës do të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë. Rama theksoi mes të tjerash se ka përfunduar koha kur mjekët dhe infermierët zgjidheshin nga partitë politike.

“Mësuesit, infermierët kanë hequr shumë keq për shkak të politizimit nga emërime, largime, transferime dhe për shkak të një mungese të plotë garancish për meritat si pasojë e politizimit. Portali e depolitizoi tërësisht sistemin duke e kthyer nga një sistem të mbyllur në një sistem të hapur transparent. Para disa viteve listën për regjistrimin e infermierëve e bënin partitë politike dhe rekrutimin e bënin në bazë të pozicioneve politike. Sot jemi në një situatë katërcipërisht ndryshe, sot përmes portalit infermierët ankohen në bazë të testimit dhe nëse hapet një vend pune, struktura përkatëse u drejtohet portalit dhe shikon klasifikimet.

Këto sisteme e bëjnë të pamundur ndërhyrjen. As leku, as miku, as partia, as cilido autoritet i lartë shtetëror s’mund të fusë pa radhë një student në fakultet. Sepse sistemi funksionin i pavarur nga influenca subjektive. S’mund të hysh në sistemin e mësimdhënies, para dikujt që e meriton më shumë se ti. Këtë e përcakton klasifikimi transparent në bazë të testimit kombëtar. Çdokush që aspiron të hyjë në sistemin e mësimdhënies testohet, merr pikët dhe në bazë të rankimit, çdo drejtori arsimore rekruton

Sot 1400 infermierë janë punësuar me këtë sistem. Pyetini se a janë punësuar pa kapur asnjë për krahu, por thjesht duke aplikuar në bazë të testimit të tyre. Portali  ‘Mjekë për Shqipërinë’ do të bëjë të njëjtën gjë.  Sot ka 112 vende të lira dhe të gjithë  mund të aplikojnë dhe në bazë të ranikimt do të punësohen. Proceduarat janë të shpejta dhe nuk ka shans  askush që mund t’i parakalojë në mënyrë të padrejtë. Nga janari i 2018 kemi punësuar 480 mjekë, nga të cilët 235 janë specialistë në spitale. Këto që ju dëgjuat nuk janë thjesht fjalë”, tha Rama.

Fjala e plote e Rames

 

Do të nënvizoj disa nga aspektet e këtij procesi, pjesë e të cilit është edhe ky portal i ri për mjekët, si një instrument në dorën e të gjithë atyre që me të drejtë, - e dëgjova edhe nga të rinjtë që folën këtu, - kanë pasur në vijimësi shqetësimin e mungesës së informacionit dhe të kanaleve të dedikuara e transparente për të kërkuar të marrin një punë, duke u angazhuar në sistem dhe e mungesës së një pasqyre mbi të cilën të mund të shihet sesi funksionon sistemi nga brenda.

Kur ne nisëm sprovën e parë në këtë drejtim me mësuesit, sigurisht që u munduam t’i japim përgjigje një tërësie problemesh që në themelin e tyre kishin pasigurinë në punë.

Mësuesit, infermierët kryesisht, kanë hequr shumë keq për vite të tëra për shkak të politizimit në emërime, në largime, në transferime dhe për shkak të një mungese të plotë garancish për meritën, si pasojë e politizimit të sistemit. Portali “Mësues për Shqipërinë” e depolitizoi tërësisht sistemin, duke e kthyer nga një sistem i mbyllur, jo transparent, në një sistem të hapur dhe të lexueshëm nga të gjithë. Ky është elementi më i rëndësishëm i këtyre sistemeve, sepse janë sisteme të hapura. Nuk ka nevojë të kërkosh lart e poshtë, duke pyetur, duke u munduar të gjesh të njohur që të mund të të ndihmojnë të hapësh një derë, duke u përpjekur ta marrësh vesh nga të tjerët se si janë kanë bërë që kanë patur akses në sistem, sepse sistemi këtu hapet dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të marrin informacion, që duan të aplikojnë për t’u marrë në konsideratë dhe që në fund fare shohin se kush punësohet dhe çfarë avantazhesh ka ai që punësohet, në raport me atë që nuk punësohet.

Sot, mësuesit, së pari, janë të palëvizshëm për arsye që nuk kanë të bëjnë me kontributin, me meritën dhe me garancitë e tyre në punë. Së dyti, nuk mundet dot të hysh sot në sistemin e mësimdhënies përpara dikujt që e meriton më shumë se ti dhe se kush e meriton m shumë nuk e përcakton një autoritet politik, apo një autoritet shtetëror, por e përcakton klasifikimi transparent në bazë të testimit kombëtar. Çdokush që aspiron të hyjë në sistemin e mësimdhënies testohet, merr pikët dhe rankohet dhe në bazë të atij rankimi, çdo drejtori arsimore rekruton në bazë të pikëve e gjithmonë prioritet ka ai që ka pikë më shumë dhe vetëm kur ai që ka pikë më shumë refuzon një vend që i ofrohet për arsye të ndryshme, atëherë i vjen radha tjetrit.

Ishte sukses që ne e replikuam me infermierët. Tani është e paimagjinueshme, por është e vërtetë që deri përpara disa vitesh, listat e punësimeve për infermierët i bënin partitë politike dhe rekrutimin e infermierëve në punë, autoritetet e bënin në bazë të proporcioneve politike. Pra, që të hyje në punë si infermiere, nuk kishe shans të kapërceje pragun, nëse një parti politikë nuk të propozonte. E nga ana tjetër, nëse një parti politike të propozonte, nuk ishte pothuajse fare e mundur që autoriteti përkatës të thoshte, “nuk je për këtë punë”.

Sot jemi në një situatë katërcipërisht ndryshe.

Sot, përmes portalit, infermierët rankohen në bazë të testimit dhe nëse hapet një vend pune, struktura përkatëse publike që ka nevojë për infermierë i drejtohet portalit në bazë të rankimit, shikon klasifikimin dhe nuk mund të marrë dot më poshtë, për të lënë ata që janë më lart, sepse, në ndërkohë, gjithë përmbajtja është publike. Nëse të ka ardhur radha për t’u punësuar, e kontrollon procesin dhe e konstaton që dikush tjetër hyri pa radhë, në rast se kjo ndodh. Por kjo nuk ndodh edhe për faktin se sistemi lë gjurmë. Duke qenë se fillimisht pati disa keqkuptime, por dhe abuzime me rekrutimet nga portali “Mësues për Shqipërinë”, ne portalin e kthyem në ligj.

Sot, portali është një instrument ligjor dhe në rast se dikush e shkel, faktikisht shkel ligjin. Kjo është arsyeja pse ndonjë zyrtar, jo vetëm është larguar nga puna, por është çuar edhe për ndjekje penale, për shkak se ka cenuar të drejtën e dikujt, duke shkelur ligjin dhe i ka dhënë dikujt tjetër diçka që nuk e meriton.

Të njëjtën eksperiencë ndoqëm me ekselentët që u rekrutuan në administratë. 373 ekselentë që sot janë rekrutuar dhe punojnë në administratë ishin 373 të parët, sipas fushave. Ne, për të zgjeruar pak gamën e mbështetjes, e zgjeruam kornizën e ekselencës nga 10.00 në 9-10, por kjo do të thotë që, nëse për një vend pune aplikojnë dikush që është 10.00 dhe dikush që është 9.99, ai që është 10.00 e merr punën, përpara atij që është 9.99. E kështu me radhë.

Këto sisteme të automatizuara e bëjnë të pamundur ndërhyrjen, realisht të pamundur. Sot, sistemi i automatizuar i rekrutimit në universitet, që funksionon tanimë prej dy vitesh, viti i tretë është sivjet, ka bërë që as leku, as miku, as partia, as cilido autoritet i lartë shtetëror nuk mundet dot të fusë pa radhë, një student në fakultet. Është e pamundur, sepse sistemi funksionon i pavarur nga influencat subjektive. Fakti që vitin e shkuar, - se vitin e parë kur filloi, kishte ankesa, ngatërresa, keqkuptime, - nuk ka pasur asnjë ankesë, zero, në mijëra e mijëra studentë që kanë hyrë, ose nuk kanë hyrë në një proces rekrutimi në vitin e parë në universitet, lidhet me faktin që sistemi është automatik. Ti ke rezultatet, rezultatet janë shifra, shifrat futen në kompjuter, procesohen dhe nuk ka asnjë mundësi që djali apo vajza me baba të njohur, apo me baba me lekë, ta kalojë djalin apo vajzën e një çobani. Sepse, nëse vajza apo djali i çobanit kanë më shumë avantazh në shifra, janë të paparakalueshëm. 

Sot, 1400 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore janë punësuar me këtë sistem. Pyetini dhe do të dëgjoni që janë punësuar pa pasur nevojë të bëjnë asgjë tjetër, të kapin asnjë përkrahu, të fusin dorën në xhepin e asnjë prindi, por thjeshtë duke aplikuar në bazë të testimit të tyre.

“Mjekë për Shqipërinë” do bëjë të njëjtën gjë. Sot ka 112 vende vakante për mjekë të përgjithshëm dhe për specialistë dhe 79 vende të lira për mjekë nëpër spitale. Të gjithë mund të aplikojnë dhe mbi bazën e rankimit do punësohen. Shumë e thjeshtë. Informimi është në kohë reale, procedurat për aplikim janë të shkurtuara dhe të shpejta dhe nuk ka më shans që dikush të të parakalojë nëse ti e meriton më shumë se ai, ose se ajo.

Kjo hap rrugë edhe për ata mjekë nga diaspora që duan të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri. Kemi disa raste dhe ka interesim në këtë drejtim, por si në rastin që tregoi ministrja, më ka ndodhur dhe mua në 2-3 raste që thonë, “do dëshiroja ta konsideroja këtë gjë, por nuk di ku të shkoj”. E faktikisht ku të shkojë? Të shkojë në ministri? Të gjejë drejtorin? Kurse kështu komunikon drejtpërdrejt me sistemin vetë, pa filtra, pa pengesa.

Nga janari i 2018-s kemi punësuar 480 mjekë, nga të cilët 235 janë specialistë në spitale. Po ndodh faktikisht ajo që u kthye në një problem të madh. Mungesa e specialistëve në spitale, sidomos jashtë Tiranës, për shkak se ju e dini mirë, u mbyllën kurset e specializimit për 4 vjet dhe u deshën 4 vjet që të dilte grupi i parë dhe pas atij bllokimi dhe bllokimit për këtë shkak të shumë shërbimeve të specializuara ka filluar është rikthyer numri i shërbimeve të munguara në spitalet rajonale dhe bashkiake.

Ka një bonus mbi rrogën dhe nuk është pak, është 2.5 milionë lekë të vjetra mbi pagën, në muaj, për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë në një spital jashtë Tiranës dhe faktikisht marrin një rrogë, që po të heqim taksat që do të paguanin po të ishin në Gjermani, është më e madhe se në Gjermani, gjithmonë në rast se do punësoheshin sa të arrijnë në Gjermani në spital. Në xhep ju mbetet më shumë në muaj sesa do ju mbetej në Gjermani dhe faktikisht dhe po funksionon.  

Pagat e mjekëve janë rritur dhe duhet të vazhdojnë të rriten e do të rriten, nuk diskutohet, por më e rëndësishme është që po rriten kapacitetet për t’i vënë në dispozicion mjekëve, infrastrukturë dhe instrumente të denjë për ushtrimin e profesionit.

Shumëkush shkon në një qendër shëndetësore dhe të themi të vërtetën, ashtu siç u katandisën qendrat shëndetësore është njësoj si të shkosh të punosh në ferr. Edhe pse thonë që në ferr ka mjekë gjithmonë në krye të detyrës dhe është një profesion që është krijuar pikërisht për të luftuar djallin brenda trupit të njeriut gjatë gjithë kohës. Por, realisht, në ato qendra shëndetësore, përveç heroizmit, pasionit dhe asaj që mund të vërë vetë njeriu, kur është një mjek i ndërgjegjshëm, asgjë tjetër nuk mund të ketë. Për këtë arsye kemi nisur programin e rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore. 80 janë bërë vitin e shkuar, 100 bëhen sivjet dhe 120 bëhen vitin tjetër, ekzaktësisht për të pasur të gjithë instrumentet kryesorë dhe infrastrukturë që është e denjë për t’u quajtur qendër shëndetësore.

Ashtu sikundër modernizimi në vazhdim i QSUT-së, ndërtimi i spitalit të ri të Kirurgjisë, spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, rindërtimi i plotë dhe pajisja e plotë e spitalit Pediatrik, janë një vlerë e shtuar në këtë drejtim. Në drejtimin e jo thjesht dhënies së një mundësie për të punuar në sistem, por dhe krijimit të kushteve brenda sistemit që puna të ketë cilësi.

Nuk e di sa e keni ndjekur prezantimin që bëmë para pak ditësh me ministren të HUB-it teknologjik për edukimin në vazhdim. Faktikisht është e njëjta gjë, edhe pse në atë rast, nga pikëpamja teknologjike është një fazë më e avancuar e teknologjisë, sepse është teknologjia “block chain” që bën që të gjithë edukimin në vazhdim, të detyruar me ligj, të çdo mjeku, jo vetëm ta bëjë me shumë më tepër cilësi, me programe ndërkombëtarisht të akredituara dhe të certifikuara si të cilësisë më të lartë, por të mos kemi më hile dhe gënjeshtra për marrjen e atyre krediteve. Nëse një mjek nuk ndjek të gjithë programin, programi e nxjerr ngelës. Pra, sistemi tregon të gjithë ndërveprimin me mjekun si individ dhe programit dhe është sistemi vetë që të jep të gjitha kreditet, përndryshe nuk i merr. Kjo bën të mundur që të krijojmë një zinxhir, nga biblioteka dixhitale, që tani universiteti në tërësi e ka në dispozicion, - në Universitetin e Mjekësisë, sot është në dispozicion me një mori titujsh, librash dhe punimesh shkencore të panumërt, - tek edukimi në vazhdim, që është një pjesë e pandarë e procesit të punës së çdo mjeku, deri kur del në pension.

Për të ndryshuar një regjim, mund të mjaftojnë dhe disa ditë, por për të ndërtuar një sistem të ri duhen vite. Modernizimi i sistemit të funksionimit të shtetit në sektorin e shëndetësisë nuk është një fjalë goje, por është një proces që kërkon vitet e veta. Ama është e sigurt që sot, ne kemi të gjitha bazat e këtij modernizimi dhe ndërtimi i këtyre sistemeve na jep mundësinë që të modernizojmë burimet njerëzore dhe të rrisim cilësinë e kapitalit tonë njerëzor. Më vjen shumë mirë për një fakt, se tradicionalisht studentët e mjekësisë shquhen për të qenit ndër më të mirët, është si të thuash ajka e studentëve dhe të paktën, me sa unë di, edhe procesi i mëtejshëm, pas hyrjes në universitet, është një proces që nuk është i lehtë dhe ambiciet janë të mëdha dhe përgjithësisht hyjnë tek grupi i studentëve që studiojnë. Kjo është arsyeja pse sistemi duhet t’i përgjigjet edhe pasi të dalin nga universiteti. Nuk duhet të dekurajojë zhvillimin e mëtejshëm profesional dhe intelektual, duke ua bërë këtë të pamundur për shkak se mund të mbarosh në mënyrë të shkëlqyer, do që të rrish në vendin tënd, do që të shërbesh si mjek në vendin tënd dhe përfundon në një qendër shëndetësore pa lidhje, që faktikisht nuk të motivon. Kurse me këtë sistem, me HUB-in teknologjik që nuk ka rëndësi fare se ku je, mund të jesh në Tiranë, mund të jesh në Tropojë, mund të jesh në Konispol, mund të jesh në fund të botës, mjafton të kesh mrrokllën që kam unë në xhep dhe vazhdon njësoj si kolegët e tu në Londër apo New York, të jesh i informuar dhe të rrisësh kapacitetin tënd profesional.

Besoj që është një ditë e mirë kjo për mjekësinë. Ju falënderoj shumë për durimin! Ju uroj shumë sukses dhe mbi të gjitha, ju siguroj për një gjë, që të gjitha këto që dëgjuat nuk janë thjesht fjalë që tingëllojnë bukur, por janë çka ju do të keni përpara, qoftë si studentë që doni të hyni në sistem, qoftë si pjesë e sistemit që do të vazhdoni me edukimin tuaj profesional, që nuk mbaron kurrë.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Infermieri Gjermani: 28/05/2019 14:52

    Mos fol budallëqe Z. RAMA se kështu tregon që nuk e njeh fare realitetin e punësimeve të paktën të infermierve sepse jam vet dhe këtë e di. Infermerët janë punësuar nga partia punësohen dhe do të punësohen gjithmonë nga partia në pushtet, prandaj është dhe kjo dyndje për në Gjermani ku luten për infermier profesionistë. Infermierët i keni detyruar të mbushin pallatet e sportit sa herë ju keni pasur mitingje, të mbushin sheshet dhe cdo lloj salle tjetër. Ps: Pa merak se nuk jam me PD dhe nuk i kam votuar kurrën e kurrës sepse janë më keq se ju.

    Përgjigju
  • Ana: 28/05/2019 13:34

    Mund te genjesh me keto deklarata ndonje person qe jeton ne fshat te izoluar prej 30 vitesh. Sepse e dime te gjithe qe jetojme ketu qe kjo nuk eshte fare e vertete. Eshte plotesisht e kontrolluar nga Ministrja ose sekretari i pergjithshem. Kush ka aplikuar e di, keshtu qe me mire hesht sesa te flasesh mashtrime. Kujt ja thua kete ti? Atyre mjekeve qe kane aplikuar dhe e kane pare vete? Ministrja merret edhe me 1 infermiere per pune...e dime shume mire kete gje

    Përgjigju
  • Mjeku: 28/05/2019 13:23

    Mos doje të thoje? Sot i punëson Gjermania

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin