Kurrë në jetën time nuk kam parë natyrë të qetë me armë. Një pikturë të tillë e pashë në hollin kryesor të Pallatit “Srbia”, në kohën kur bashkë me mbi 300 kolegë të tjerë që ishin akredituar për të ndjekur vizitën e Ramës në Beograd çapiteshim në ambientet e rezidencës më të rëndësishme shtetërore serbe në pritje të përfundimit të bisedimeve mes dy delegacioneve. Ky detaj periferik do më ishte dukur thjesht një atraksion turistik siç mund të ofrojmë ne bunkerët e luftës së ftohtë, nëse nuk të bën përshtypje jo vetëm mendësia militare që prodhon një makabritet të tillë, por mbi të gjitha vendi ku është ekspozuar. Telajoja me një mbulesë mbi të cilën ishte shtrirë një kallash dhe një pagure ushtari e ca fishekë në mes, ishte varur në një nga vendet më të dukshme mu përballë derës ku zhvilloheshin bisedimet. Kjo ishte pjesa e dekorit të selisë ku janë marrë vendimet më të rëndësishme në Beograd.
 
Në këtë seli u zhvillua konferenca e shtypit mes dy kryeministrave, për të cilën thuajse të gjithë kanë rënë dakord se ishte historike. Për Ramën nuk është historik vetëm fakti se shkoi në Beograd 68 vjet pas Enver Hoxhës, por për atë që deklaroi aty. I kërkoi Beogradit të njohë Kosovën si shtet të pavarur, pikërisht në selinë ku është marrë vendimi për të nisur luftërat që shpërbënë Jugosllavinë. Rama deklaroi se Kosova është një realitet i pamohueshëm, pikërisht prej andej nga është urdhëruar sulmi mbi Kroaci dhe gjenocidi në Bosnjë e Kosovë. Pikërisht në selinë ku ende ekziston mentaliteti se një kallash e një pagure ushtari mund të ekspozohen si nature morte. Rama nuk kishte rrugë tjetër. Nëse nuk do përmendte Kosovën e pavarur në Beograd do pritej në Tiranë e Prishtinë si Fatos Nano kur u kthye nga Kreta. (Në fakt Nano u kryqëzua politikisht në vitin 1997, jo dhe aq se takoi Milosheviçin, por pse i deklaroi këtij të fundit se kryeqyteti i Prishtinës është Beogradi). Rama u soll pa kompleksin që kanë patur ndaj Beogradit Zogu, Hoxha, Nano, e Berisha. Që në momentin kur bomba e parë e NATO-s ra mbi Serbi dhe Kosova filloi të bëhej e pavarur, gjithë shqiptarët e ndjenë se mori fund historia diskriminuese e tyre, dhe se nuk do jenë më shtet i dorës së dytë në Ballkan. Filluan të reflektojnë dinjitetin e munguar ndaj fqinjëve. Vetëm klasa politike shqiptare nuk veproi kështu. Shkaku i vetëm ishte kompleksi se mund të konsideroheshin si nacionalistë nga faktori ndërkombëtar dhe mund të humbisni pushtetin. Rama vendosi t’i japë fund këtij kompleksi. Rama vendosi të rrezikojë. Kjo është një arsye përse e bën vizitën e tij në Beograd historike. Ky është dhe shkaku pse iu rezervua një banjë turmash në Kosovë.
 
Çdo kryeministër shqiptar e ka të lehtë sfidën me Zogun dhe Enverin në raport me Serbinë. Hoxha u përzgjodh nga jugosllavët dhe udhëtoi në Beograd si një vasal në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ndërsa Zogu u kthye në pushtet me ndihmën ushtarake të Pashiçit. Fatura: Vermoshi dhe Shën Naumi. Me Berishën historia është komplekse . Në ditën e parë të tij si kryetar partie, deklaroi se Kosova do ishte ylli polar i tij. Por vitet që pasuan e kthyen yllin në një kometë. Ylli polar i tij u bë qëndrimi me çdo kusht në pushtet. Bjerja e këtij qëndrimi arriti kulmin në dimrin e largët të vitit 1996. Ishte komplet i izoluar nga Perëndimi për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve. I duhej një lëvizje e fortë, një lëvizje që të pranohej nga ndërkombëtarët si lider i domosdoshëm i gjithë shqiptarëve në rajon. Me këtë synim thirri Rugovën për konsultime në Tiranë. Ishin ditët kur opozita serbe e drejtuar nga Xhinxhiç protestonte çdo ditë . Edhe Milosheviçi sapo kishte vjedhur zgjedhjet.

ilir ne serbi
(Në foto: Drejtori i A1Report, Ilir Babaramo. Në sfond, piktura në hollin kryesor të Pallatit qeveritar “Serbia”)

 
Zajedno, kështu quhej opozita e atëhershme serbe, zbuloi një aleat të papritur. Bashkohuni me Zajednon, i kërkoi Berisha Rugovës. Presidentit të Kosovës kjo kërkesë ju duk një çmenduri. Për disa vite me radhë kishte arritur të ndërtonte një shtet paralel, që bënte zgjedhjet e veta dhe kishte krijuar institucionet e veta ndonëse simbolike. Berisha i kërkonte Rugovës të hiqte dorë pikërisht nga kjo simbolikë dhe të njihte sovranitetin e institucioneve serbe në Kosovë, qoftë ajo dhe opozita. Rugova ka ndërprerë menjëherë bisedën. I lebetitur është larguar nga “Vila 31” ku qëndronte sa herë vinte në Tiranë dhe u gdhi në godinën e ambasadës së Kosovës. Pak ditë më pas Berisha bashkë me ministrin e Jjashtëm Tritan Shehu ka thirrur në Tiranë gjithë ambasadorët shqiptarë, të cilëve u kërkoi të mos lobojnë më për LDK dhe Rugovën , por për Adem Demaçin. Pavarësisht këmbënguljes së vazhdueshme të Berishës për t’u takuar, i vetmi kontakt që kanë patur më pas ishte pjesëmarrja e Berishës në funeralin e Rugovës 12 vjet më vonë.
 
Rama sapo ka hyrë në skenën rajonale. Përveç ambicies për të bërë histori dhe për t’u krahasuar me politikanët më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, Rama ka dhe rrethanat në favor. Tashmë është e qartë se vizita e tij në Beograd është organizuar nga Uashigtoni dhe Brukseli. Vizita e Ramës në Beograd u vendos në Samitin e Berlinit.
 
Kancelaritë më të rëndësishme të botës kanë vendosur të bëjnë Ballkanin një rajon normal. Dhe normaliteti nis nga komunikimi, nga vizitat zyrtare mes kryeministrave pavarësisht konjukturave të politikës së brendshme. Rama e pati më të lehtë të shkonte në Beograd sesa Vuçiçi ta priste. Kryeministri serb, jo vetëm për shkak të moshës, ngjason pak me ata sekretarët e rinisë që kishte Shqipëria kur u shemb regjimi komunist.
 
Sekretarët e partisë së Vuçiçit janë dy dinozaurë të nacionalizmit. Ka qenë nënkryetar i partisë së Sheshelit dhe ministër i Informacionit të qeverisë së Milosheviçit. Pavarësisht se Serbia prej pak vitesh ka filluar të hapet në kancelarinë e Beogradit ende vazhdon të jetë si fantazmë mentaliteti se mund të ketë në një kancelari evropiane natyrë të qetë me kallash e pagure ushtari. Ky mentalitet dhe kthimi i Sheshelit nga Haga mund të jenë shkaku i makthit që Vuçiç nuk u mundua ta fshehë për asnjë çast në konferencën për shtyp. Rama e pati më të lehtë dhe për një arsye. Vuçiç e ka humbur Kosovën. Thjesht ai i kërkoi Ramës mos t’i vinte gishtin në plagë. Për këtë arsye mediat e kontrolluara prej tij u hapën me titujt: Rama në Beograd i pabesë. Por plagët e Ballkanit, si të gjitha plagët, mund të kurohen vetëm duke i prekur.
 
Me përfundimin e konferencës për shtyp, shumë vetë besuan se përfundoi dhe vizita e Ramës në Beograd. Pritej një dështim total. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Ndodhi krejt e kundërta. Vuçiç e ftoi Ramën në një darkë që nuk ishte parashikuar në protokoll. Gjatë darkës, Daçiç tregoi talentin e tij si një këngëtar lirik dhe gjithçka u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes së njohjes reciproke të diplomave, një marrëveshje që është tërësisht në favor të shqiptarëve.
 
Të krijohej përshtypje se Rama dhe Vuçiç u sollën në atë tavolinë si dy dronë të telekomanduar. Vuçiç duket se nuk e kishte erën në favor. Megjithatë, u tregua pragmatist vendosi të pranojë karotën që i kanë ofruar ata që kishin pultin e dronit. Samiti i Berlinit ende nuk është harruar dhe miliarda euro presin në Bruksel.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)