Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza nuk duhet të ketë më kufizime buxhetore për plotësimin e nevojave të saj. Nga spitali i ri i Kardiokirurgjisë, kryeministri Edi Rama tha se synimi i qeverisë është që në buxhetin e vitit të ardhshëm të mos kenë një tavan financiar për QSUT-në.

“Ajo që është e qartë nga ana ime është që nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t'i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te projekti i parkimit të ri pranë kësaj qendre spitalore. Hapësirat që janë aktualisht të “zaptuara” nga automjetet do të kthehen në zona të gjelbra.

“Me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty me sa unë kuptova janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin. Ndërkohë që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy vjetëve”, shtoi Rama.

Rama foli gjithashtu për një partneritet të ri, i cili pritet të mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive profesionale.

"Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje të domethënëse dhe të të ardhurave tuaja. Ky është plani. Jemi në negociata. Ministrja po bën diskutimet. Kemi goxha arsye të jemi optimistë”, tha Rama.

Spitali i Kardiokirurgjisë është zgjeruar me tre shtretër, duke e çuar numrin e tyre nga 35 në 38. Struktura përfshin 15 dhoma, me nga dy shtretër, të konceptuara për të garantuar kushtet e nevojshme të higjienës. Në strukturën e re është krijuar edhe një dhomë e dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur nevojën për realizimin e tyre në reanimacion.

Ndërsa blloku operator përfshin pesë salla, dy për kirurgjinë vaskulare, dy për kirurgjinë kardiake dhe një sallë hibride.