Kryeministri Edi Rama tha se paratë e mbledhura nga Konferenca e Donatorëve, (1.15 miliardë europërmes granteve), projekte apo edhe huave, ishin përtej pritshmërive të tij, aq sa siç u shpreh ai, i duhet të gjejë një hudhër për të mos e marrë më sysh, siç është traditë në Shqipëri. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek vlera e dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 4.7 milionë dollarë, kur tha se edhe pse një vlerë modeste ishte mbi parashikimet e tij. Por sqarimi që Rama dha ishte mjaft interesant. Amerikanëve u vlejnë standardet tha ai - e në këtë linjë - bëri për herë të parë të ditur, se ka marrë garanci për ngritjen e një strukture që ai e quajti "Akademi Transparence", e cila do të monitorojë të gjithë procesin e rindërtimit. Por jo vetëm kaq, kjo akademi me standarde monitoruese amerikane, do të shërbejë edhe në vijim në Shqipëri, në procese të rëndësishme publike që duan 'syrin' e mirë vëzhgues, siç janë tenderët dhe prokurimet publike.
"Jemi ende duke përbrendësuar këtë tronditje mjaft të këndshme të ditës së sotme. Nuk do të doja të kërkoja më shumë për në mars, sesa të gjej një hudhër e ta vendos në mur, kundër syrit të keq. Se kur merr një lajm kaq të mirë ke frikë se mos ndodh ndonjë gjë e keqe. Më lini të gjej një hudhër njëherë,pastaj të flasim për negociatat. Sepse nuk dua të kemi një tjetër mallkim të historisë që vjen. Për bisedime, ju e shihni që ne po flasim e po bëjmë komunikime, si në këtë konferencë. Kam dëgjuar atë çfarë tha presidentja e KE duke përmendur disa nga dëshirat tona të përbashkëta, që ajo që rindërtohet të jetë më e mirë se ajo çka humbi, me standarde. Na duhet të fillojmë të punojmë së bashku. Miqtë tanë amerikanë nuk erdhën me shumë para, por me argumente me mënyrën si të sigurohemi që kaq shumë para të përdoren në mënyrë transparente. Ata janë bujar për të eksportuar standarde. Unë i kërkova që paratë, që ishin shumë më bujar seç prisja, i kërkova për një akademi transparence e cila do të nisë me rindërtimin dhe dot ë zhvillohet si strukturë që do të vlerësojë kriteret e tenderëve dhe procedurave publike. Jemi në shoqëri kaq të mirë e jam kaq i lumtur e i përulur nga gjithçka, ne nuk duam që t'i lëmë në baltë miqtë tanë në rindërtimin e Shqipërisë. Dua që Ursula dhe Komisioni ta përdorin këtë si një histori suksesi. Jam shumë krenar për ekipin tonë, për prezantimet, qoftë nga ministri, nga koordinatorja e përgjithshme për vlerësimin e gjendjes së katastrofës, u ndjeva kaq mirë, dhe po mendoja pse nuk jemi pjesë e BE, kemi njerëz kaq të mirë", u shpreh kryeministri Edi Rama.
Siç ambasada amerikane në vendin tonë sqaroi, një pjesë e kontributit të fundit prej afro 5 milionë dollarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të shkojë edhe për themelimin e akademisë së transparencës "e cila do të ndihmojë Shqipërinë për administrimin në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse të donacioneve të pas tërmetit dhe fondeve të tjera publike".
Matthew Palmer, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euro-Aziatike, gjatë Konferencës së Donatorëve në Bruksel, tha se ky kontribut i dhuruar nga qeveria amerikane, do të shkojë për "punën rimëkëmbëse dhe konservuese për monumentet kombëtare në Durrës, Krujë dhe Prezë; si dhe për mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, e cila do të ndihmojë Kryqin e Kuq Shqiptar në ngritjen e një Qendre Operacionale Emergjencash për koordinim të bashkërenduar dhe më të theksuar në përgjigje të emergjencave të ardhshme".
Lajmi kryesor: