TIRANE-Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme se është optimist sa i përket bashkëpunimit me opozitën, në funksion edhe të integrimit europian. Ai paralajmëroi se në shtator, në nisje të sesionit të ri parlamentar do të ketë një ofertë bashkëpunimi për opozitën.

Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa. Rikthim mbrapa te reforma në drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji vettingut nuk ka për të patur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi

Edi Rama

Për fatin e marrëveshjes së 17 majit me Bashën, Rama është optimist se mund të përsëritet dhe se mund të funksionojë sërish, pavarësisht se Basha ka deklaruar se ka vdekur.

Unë nuk mendoj se është e pamundur, por nga ana tjetër sic e keni parë dhe siç e kanë parë të gjithë opozita është pa lidership, pa vizion, pa strategji, pa program dhe ecën kuturu pa menduar për hapin e tretë, të katër, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur. Nuk shkohet më tutje pa strategji dhe magjia mund të përsëritet kur opozita të gjendet përsëri ngjitur me murin dhe të shikojë se nuk ka më asnjë mundësi për të ecur më tutje sepse është muri përballë.

Edi Rama

I pyetur në RTSH se çfarë bisedoi me Presidentin Trump në Bruksel, Rama nuk ka preferuar të tregojë, por u shpreh se pret një lajm të mirë sa i përket marrëdhënieve me SHBA duke lënë të nënkuptohet bazën.

Unë asnjëherë nuk preferoj që gjërat që zhvillohen prapa dyerve me partnerët ndërkombëtar t’i ekspozoj nëpër televizor, siç bënte paraardhësi im, sepse nuk është korrekte. Në një kohë jo fort të qartë për shumë gjëra, por unë besoj që konkluzioni ishte solid dhe uniteti i NATO-s është solid. Unë kështu besoj. Unë asistova për shkak të detyrës në atë samit.

Ishte diçka shumë e veçantë për nga pikëpamja e intesitetit të shkëmbimit dhe debatit. Nuk mund të them që nuk më vjen mirë që u bëra objekt i vlerësimit të Presidentit amerikan dhe pastaj edhe i … Nuk mund të them që nuk më vjen mirë, por thelbi nuk është ky. Thelbi është që NATO kaloi një proces intensiv diskutimi të brendshëm dhe përfundimi ishte shumë pozitiv.

Shqipëria është në pozicion pozitiv edhe në raport me këndvështrimin e administratës amerikane dhe patjetër... Unë shpresoj që së shpejti të kemi një lajm shumë të mirë për marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara në pikëpamje të mbrojtjes. Nuk mund të them më shumë

Edi Rama

Disa muaj më parë në Asamblenë e PS, Rama paralajmëroi se në shtator mund të ketë ndryshime në qeveri, por si po ecën procesi i analizës?

Para disa ditësh ne kemi bërë disa analiza. Kemi edhe disa analiza që duhet t’i bëjmë në gusht ndërsa në fund të gushtit do të bëjmë një bilanc. Pastaj do të shohim se si do të hyjmë në shtator.

Edi Rama

Në fund Rama komentoi edhe vendimin e Presidentit Meta për të kthyer ligjin për Teatrin Kombëtar.

Ky është një diskutim që unë e kam zhvilluar para 20 vjetësh dhe ka 20 vjet që ka mbetur pezull. Këtu nuk ka asgjë të re për të zbuluar. Këtu nuk ka asgjë të re për të diskutuar. Këtu është shumë e qartë: po, jo. Do mbajmë këtë ngrehinë të marrë fund që nuk ka asnjë lidhje me një teatër të standardeve europiane dhe ku është shumë e thjeshtë…

Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:06
Oferta për opozitën, reagon Basha: Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë!

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se është gati që të përsëritet marrëveshja e 17 majit me Lulzim Bashën dhe se në fillim të shtatorit do të ketë një ofertë për opozitën për bashkepunim, ka reaguar kryetari i PD.

Basha shprehet se nuk do të pranojë kurrë që të bëjë koalicion me Edi Ramën. E ndërsa statusin e shoqëron me nje foto nga protestat, lideri i opozitës shprehet se detyra e tij është që të largojë Ramën dhe të nxjerrë para drejtësisë politikanët e lidhur me krimin. 

Kurrë! Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë! Detyra ime, e PD  është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe nxjerrja e tij bashkë me Tahirin, Gjiknurin, Dakon, Sejdinin dhe të gjithë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë!

Lulzim Basha


Statusi i Lulzim Bashes pas propozimit te Rames per bashkepunim