Letra e dytë/ Asnjë lëkundje nga 30 qershori! Rama-Bashës: Rrënimi juaj ogur i mirë, por tani duhet të ktheni rrugë

Kryeministri Edi Rama thotë se e priste refuzimin e dialogut nga ana e liderit demokrat Lulzim Basha, pas ftesës që i bëri përmes një letre publike ditën e djeshme. Po sot, në një letër të dytë publike, kreu i qeverisë thotë se është detyrë e tij të mos humbë durimin dhe të këmbëngul për dialog pa kushte dhe pa humbur kohë teksa më 31 maj nis fushata për betejën e 30 qershorit, një datë për të cilën Rama sërish shprehet se nuk e ka në dorë ta ndryshojë, përsa kohë është caktuar me dekret të Presidentit dhe nuk mund të dalë mbi kushtetutën.

Kryeministri Rama thotë se qëllimi i tij për dialog nuk lidhet aspak me fatin politik të PD-së, madje siç ai thekson, rrënimi me duart e tyre i partisë është ogur i mirë për të ardhmen e institucionit të opozitës. Por thotë se në këtë moment të veçantë për Shqipërinë, në prag zgjedhjesh, dhe në prag të vendimeve të rëndësishme për të ardhmen integruese të vendit në BE, duhet hequr dorë nga "aventurat antidemokratike".

LETER E DYTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend (shumica dërrmuese, përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi - pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi - madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës - por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Edi Rama

23 maj, 2019

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nik: 24/05/2019 05:18

    Ne nje shtet ligjor demokratik kjo opozite me gjithe ate dhune qe ka ushtruar dhe kercenimet e hapura qe ben per prishjen e dhunshme te zgjedhjeve do t'i ishte ndalur me ligj aktiviteti kriminal dhe Basha me ca kokrra te tjere duhet te ishin te akuzuar direkt nga prokuroria e shtetit!

    Përgjigju
  • Ermm: 23/05/2019 18:36

    Basha ka vendim ne biruc

    Përgjigju
  • toni: 23/05/2019 17:46

    mire ti qe i shkruan,po a di lyli te lexoj??

    Përgjigju
  • Bravo: 23/05/2019 16:59

    C'ti besh se duhet thene, po sikur te rrine me kete mendje, do shpetoje nje popull, edhe ata qe se kane kuptuar deri me tani...

    Përgjigju
  • TONI TIRANE: 23/05/2019 16:11

    LUli cuni i Berishes nuk ben asnje hap pa i thene babi. MJAFT me keta plehra, Basha, Berisha, Kryemadhi dhe te gjithe qe kane vjedhur te procedohen. Te gjithe qe kane vjedhur politikanet. Problemi eshte se provat jane prishur dhe vetem ka dyshime.

    Përgjigju
  • Popull: 23/05/2019 15:27

    Te lumte Z Rama ,kjo eshte demokracia

    Përgjigju
  • Luli: 23/05/2019 14:30

    Rama mbasi e nguci Bashen mire e mire nga mbrapa i kerkon me kortezi dhe nje pipa per garnityre. Hahaha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim