Kryeministri Rama mblodhi të shtunën për disa orë deputetët socialistë dhe ministrat në Pallatin e Brigadave. Takimi me dyer të mbyllura, kishte në fokus çështje të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe avancimin e projekteve në fusha të ndryshme dhe prioritare për zhvillimin e vendit.

Deputetët dhe ministrat me udhëzim të kryeministrit Rama do të nisin javën e ardhshme një tur takimesh në të gjithë vendin të quajtur  “Punët për Shqipërinë”.

Ndër temat e para të diskutimeve do të jetë ajo për çështjen e integrimit evropian për të vijuar më pas me tematika te ndryshme.

Takimet do të vijojnë në të gjithë vendin deri më 12 qershor kur shënohet dhe 35-vjetori i krijimit të PS.

Ky tur konsiderohet si një “fushatë paraprake”. Ndërkohë edhe kryetarët e bashkive pritet të zhvillojnë takime me qytetarët për të dhënë llogari mbi premtimet e bëra dhe realizimin e tyre.

Gjatë mbledhjes kanë raportuar Drejtoresha e Kadastrës Lorena Goxhobelli dhe bashkëkryetari i reformës territoriale Arbjan Mazniku

Bashkëkryetari i reformës territoriale ka prezantuar para mazhorancës 4 variante të hartës territoriale që janë në diskutime. Versionet janë nga shkrirja e bashkive të vogla me ato të mëdha, te ruajtja  e atyre ekzistuese e deri te konsolidimi i bashkive të vogla.

Ajo çka bie në sy është edhe raportimi i Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobellit dhe jo para Kuvendit, por para grupit socialist në Pallatin e Kongreseve. Një raportim jo i zakontë për “Kadastrën”, institucion në varësi të kryeministrit.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe strategjia e komunikimit publik dhe me qytetarët, që u prezantuar nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:51
“Karriget nuk janë kurrë qëllim”, Erion Braçe pas mbledhjes së PS: Ishte e qetë, partia forcohet duke u hapur

Erion Braçe ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave. Në postimin e tij, ai thotë se mbledhja ishte shumë “e mirë” dhe “e qetë”, u trajtuan shqetësime qytetare dhe të vetë partisë.

Deputeti socialist thekson forcimin e PS përmes hapjes dhe pranimit, i cili ka qenë një qëllim i diskutuar në këtë mbledhje dhe për të do të flitet edhe më tej. Në fund nënvizon se “karriget s’janë kurrë qëllim.”

“Partia Socialiste është shtëpia jonë; edhe e imja! PS5 është thelbi, origjina!

Sot me Asamblenë e PS5 kemi bërë një mbledhje shumë të mirë-të qetë, duke folur për shqetësime qytetare dhe të vetë partisë në këtë njësi, sy më sy e me qëllim të qartë zgjidhjen e tyre; respekti për mundin e sakrificën e gjithkujt në këtë organizatë, është jetik për të tashmen e të ardhmen; puna është thelbi ynë dhe për të folëm, secili dhe të gjithë bashkë, duke u përqendruar veçanërisht tani në të-koha ikën e nuk kthehet, ndaj vlen shumë tani.

Forcimi i PS duke u hapur, pranuar, përfshirë të majtë që duan të zhvillohen e zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS, ishte një tjetër qëllim i mirë për të cilin folëm e do flasim edhe më tej!

Karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë!”, shkruan Braçe.

 

Ora 19:59
Reforma territoriale, Mazniku prezanton 4 variante të hartës para grupit parlamentar të PS! S’ka version përfundimtar, dëgjesa në të gjitha qarqet

Bashkëkryetari i reformës territoriale Arbjan Mazniku ka zbuluar katër skenarët e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale. Të prezantuara në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist në Pallatin e Brigadave, katër variantet përfshijnë konsolidimin funksional, atë të dencentralizimit, forcimin e qarkut dhe rajonet strategjike.

Sipas variantit të parë, bashkitë e vogla bashkohen me ato më të mëdha fqinje, ndërsa qarqet mbeten si nivel koordinues.

1. Konsolidimi funksional

•Bashkitë e vogla bashkohen me ato më të mëdha fqinjë

•Qarqet mbeten si nivel koordinues

Në skenarin e dytë atë të decentralizimit, propozohet krijimi i bashkive të mëdha në nivel të ish-rretheve. 

2. Konsolidim dhe decentralizim

•Krijohen bashki të mëdha (në nivel ish-rrethesh)

Skenari i tretë parashikon forcimin e qarkut me zgjedhje të drejtëpërdrejtë, ku ruhen bashkitë ekzistuese ruhen dhe qarku bëhet nivel ekzekutiv më i fortë.

3. Forcimi i qarkut

•Ruhen bashkitë ekzistuese

•Qarku bëhet nivel ekzekutiv i fortë

Skenari i katërt, ai i rajoneve strategjike, i propozuar nga bashkëkryetari socialist i reformës territoriale parashikon konsolidimin e bashkive shumë të vogla. Sipas këtij variant, krijohen katër rajone për zhvillimin e infrastrukturës dhe menazhimin e fondeve të Bashkimit Europian.   

4. Rajonet strategjike

•Bashkitë shumë të vogla konsolidohen

•Krijohen 4 rajone për zhvillim infrastrukture dhe menaxhimin e fondeve të BE-së.

Megjithatë, asnjë prej varianteve nuk është preznatuar si më preferencial apo përfundimtar nga ana e mazhorancës. Gjatë muajve prill dhe maj Komisioni i reformës territoriale do të organizojë dëgjesa me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha qarqet e vendit. Ndërkohë kanë nisur punë edhe ekspertët të cilët do të asistojnë në punën e këtij komisioni. Në total nga PS dhe Opozita janë propozuar 26 ekspertë, prej të cilëve 8 të nivelit të lartë.

Ora 19:47
Spiropali përplaset me Ismailin në mbledhjen e grupit të PS! Rama i jep paralajmërimin e ashpër: Mos më detyro të të nxjerr jashtë!

Brenda takimit me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS, ka ndodhur një përplasje mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismailit, dhe deputetes Elisa Spiropali.

Në momentin që Ismaili ka marrë fjalën për të folur për strategjinë e komunikimit, mësohet se ka pasur një reagim prej Spiropalit. Nuk dihet ekzaktësisht çfarë mimike ka bërë deputetja, e cila më pas ka nxitur një ndërhyrje prej Ismailit.

“Ka ndonjë gjë për të qeshur këtu?”, i është shprehur Ismaili, që më pas është mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit duke i thënë se s’mund të ndërhyjë ndërsa flet ministrja.

“Gjërat duhen marrë me përgjegjësi dhe komunikimi ka po ashtu rëndësi dhe nuk është gjë për t’u marrë me të qeshur. Kështu e morën me të qeshur para 12 vitesh disa, edhe kur fliste Endri Fuga, por disa prej tyre nuk janë këtu.”

Më pas, situata ka përshkallëzuar, çka ka bërë që Rama të ashpërsojë tonet ndaj Spiropalit:

“Mos më detyro të vij vetë aty të të nxjerr jashtë.”

Sjellim në vëmendje që së fundmi, Spiropali iu përgjigj Ballës pas deklaratës së tij për mungesën e ish-deputetes gjatë seancës së 12 marsit në Kuvend kur do të votohej për imunitetin e Belinda Ballukut.

Balla tha se mungesa e Spiropalit do të vendosej para votimit të socialistëve.

“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha ai.

Nga ana e saj, nuk vonoi përgjigjja duke shprehur gatishmërinë, ndërsa kërkoi që të flitej troç:

“Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”, shprehej Spiropali.