I ashpër u tregua kryeministri Edi Rama ndaj akuzave për korrupsion në drejtim të qeverisë së tij. Teksa bënte një krahasim me qeverinë e mëparshme, atë të Sali Berishës, Rama u ndal edhe te masakra e Gërdecit, që mori 26 jetë dhe plagosi 300 persona të tjerë.
Pa përmendur emra, por dukshëm duke iu referuar kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës, Rama tha se me paratë e “fabrikës së vdekjes” u financua një televizion që sot kurdis “bombat çudibërëse” antiqeveri, duke pasur parasysh Syri TV, median e familjes Berisha.
Kryeministri u ndal edhe tek një televizioni tjetër, të cilin e akuzoi se ushqehet nga paratë e “evazionit marramendës fiskal” dhe se ka “marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë”.
“E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato 'bombat çudibërëse' anti-qeveri, 'Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni'.
E di edhe që një tjetër televizion “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, i ushqyer nga paratë e evazionit marramendës fiskal, ka marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë, ku në vend se të thirret evazori i madh për të dhënë llogari për milionat e detyrimeve ndaj shtetit, prokurorët e trembur dhe të tredhur prej tij, hapin çështje për të trembur punonjësit e tatimeve që denoncojnë evazorin”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)











