TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se premtimi i tij për të dhënë 500-1000 euro shpërblim do të jetë vetëm për ata mjekë dhe infermierë që janë në vijën e zjarrit dhe jo të të gjithë bluzave të bardha në spitalet në vend. Ky reagim vjen pas peticionit të mjekëve të Urgjencës së Lezhës, me këta të fundit që refuzuan shpërblimin prej 5 mijë lekësh, me argumentin se u ishte premtuar ndryshe. 

Në deklaratën e tij, ku thotë "e kam thënë shqip", Rama i referohet deklaratës së tij të dhënë më 10 mars, i cili ka bërë me dije se do të përfitojnë nga ky shpërblim mjekët dhe infermierët që punojnë në spitalet COVID në Shqipëri, që aktualisht në funksion janë Spitali Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi". Gjithashtu përfitojnë vetëm mjekët dhe infermierët që shkojnë për vendosjen e tamponëve që marrin analizat tek zona e blinduar e infektivit, sanitarët dhe shoferët e ambulancave.

Kryeministri Rama ka pasur edhe një përgjigje për PD-në, e cila i mbështeti duke e quajtur si një tregues i qartë që Rama është mashtrues që nuk mban premtimet e dhëna.

"Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë! Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cenon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim", tha Rama. 

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Ditën  e sotme, mjekët e spitalit të Urgjencës në Lezhë i kanë dërguar një peticion Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkojnë që të paguhen 500-1000 euro me argumentin se deri tani kanë trajtuar 14 pacientë me COVID-19 dhe janë mjaft të rrezikuar në punën e tyre. Ato refuzuan shpërblimin prej 5 mijë lekësh që u është dhënë për muajin mars, duke u shprehur se janë të indinjuar për mungesën e vlerësimit. Për këtë reagoi edhe Partia Demokratike, të cilët e quajtën një mashtrim publik nga ana e kryeministri Edi Rama, e ndërsa presidenti Ilir Meta ka qenë më i rezervuar në reagimin e tij, duke thënë se heziton të bëjë një koment pasi nuk ka informacion të saktë. Nga Lezha, Meta tha se është i bindur që qeveria do të mbajë premtimin e dhënë për bluzat e bardha në këtë periudhë emergjene të shkaktuar nga COVID-19.