Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, një organizim i zhvilluar nën kujdesin e Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Rama u shpreh se në vendin tonë, 95% e shërbimeve publike ofrohen online.
Sipas kreut të qeverisë, inteligjenca artificiale po ndihmon në transformimin e legjislacionit të BE, teksa më parë, vendet duhet të kishin një ‘ushtri’ me përkthyes apo juristë.
Rama shtoi se “Diella”, ministrja e Inteligjencës Artificiale, do të bëjë prokurimet publike.
"E kemi nisur në fakt paksa nga ana e kundërt në përpjekje për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia digjitale, për shkak të shumë problemeve që i trashëguam sa i takon ofrimeve të shërbimeve të mira të administratës, teknologjia digjitale na lejoi të ndryshonim tërësisht mënyrën sesi funksionon administrata përkundrejt qytetarëve. Prej disa vitesh tashmë 95% e shërbimeve tona ofrohen në internet, pra elektronikisht, i kemi mbyllur të gjitha zyrat e kontaktit të shërbimeve në vend, pra nuk ke më zyrë të shkosh, fizike, nuk ka radhë, nuk ka kohë të humbur. E merr shërbimin online qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë Shqipërie.
Ndërkohë me inteligjencën artificiale ne po e përdorim pra atë për të gjithë procesin e transferimit të legjislacionit të BE në korpusin tonë ligjor sepse është në fakt po themi një pushtim në thonjëza sepse që të hysh në BE të duhet të miratosh çdo ligj, çdo rregullore në të njëjtën mënyrë. Për të gjitha vendet ky ka qenë një volum i jashtëzakonshëm pune, me përkthyes, me juristë, me hartues, me korrektor ndërkohë që me inteligjencën artificiale ne po e bëjmë këtë gjë shumë shpejt, në mënyrë shumë të saktë. Dhe po kështu kemi dhe një ministre të inteligjencës artificiale, jo për inteligjencën artificiale por të inteligjencës artificiale. Kemi një doktor Sultan, por është grua dhe është inteligjenca artificiale.
Ajo punon për shërbimet dhe po punon për transferimin e korpusit ligjor të BE dhe po punon për diçka që ne besojmë do të jetë diçka e fjalës së fundit që është prokurimi publik me inteligjencë artificiale, për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimi të kryhet nga inteligjenca artificiale. Deri më tani kemi ecur mirë.", theksoi kryeministri.
Lajmi kryesor:
Abu Dhabi/ Rama pjesë e samitit për Zhvillimin e Qëndrueshëm: Drejt sovranitetit energjitik, bashkë me Emiratet dhe Italinë do të furnizojmë Evropën









