Rama: Në Janar kalojmë anti-KÇK-në! (Lista e prioriteteve për 2020)

Në fillim të Vitit të Ri, në muajin janar qeveria do të kalojë aktin normativ anti-KÇK-së (lexo ketu), që ishte planifikuar për në muajin dhjetor, por u shty pas tragjedisë së tërmetit që goditi vendin. Në përfundim të mbledhjes së gjatë, kryeministri Rama përsëriti 7 prioritetet që janë në objektivin e qeverisë për vitin 2020 (lexo ketu te plotë 7 prioritetet), nga rrugët, te aeroportet, energjia, ligji për tokën bujqësore, por edhe Pakti për Universitetin. Fokusi i veçantë është padyshim rindërtimi pas tërmetit tragjik. Brenda 6 muajve të vitit 2020, tha Rama do të strehojmë me banesë të re ata që kanë pasur banesë individuale dhe u është shembur nga tërmeti.

"Ne kishim mbledhjen e fundvitit dhe siç e dini edhe ju, ne, në fund të çdo sesioni parlamentar, në prag të pushimeve të verës dhe në fund të vitit, në prag Vitit të Ri, bëjmë një përmbledhje të gjatë ku kalojmë në revistë të gjithë aktivitetin e ministrive, të institucioneve, duke u përqendruar nga njëra anë te problematikat dhe nga ana tjetër te prioritetet e periudhës në vijim.

Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. Kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6-mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesat individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Ndërkohë që, sigurisht, ata që do të hyjnë në apartamente në lagjet e reja që do ndërtohen, do vazhdojnë të qëndrojnë në sistemin e  qirasë, deri kur të jenë gati për të ardhur në shtëpitë e reja.

Sigurisht kemi diskutuar për ato që ju i keni parë si 7 prioritetet e qeverisjes deri në mbyllje të mandatit. Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe njëkohësisht do vijojmë punën me Paktin për Universitetin. Ka nisur procedura dhe në pranverë do jemi në kantier për kampusin e madh universitar të Tiranës që do përfshijë ish-Qytetin Studenti, Akademinë e re të Sigurisë dhe Akademinë e Arteve.

Në rastin e Akademisë së Sigurisë do ketë një rindërtim të rëndësishëm ku do përfshihet edhe laboratori shkencor, që do të jetë një risi e rëndësishme për punën e Policisë së Shtetit, por edhe për vetë Akademinë, ndërsa në kompleksin ekzistues të Akademisë së Arteve do rindërtojmë nga e para gjithë pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane.

Sa i përket energjisë dhe infrastrukturës, kemi nisur procedurën për Aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do shpallet procedura për Parkun e  madh të Fotovoltaike në zonën e Divjakës. Shumë shpejt do shpallet procedura për rrugën e re që do ndërtohet tërësisht nga e para, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, pra, një segment, Thumanë-Rrogozhinë. Po ashtu, po punohet dhe shpejt do shpallet procedura për tunelin e Llogarasë, që është një tjetër vepër e rëndësishme publike, pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipoja, e të tjera vepra goxha të rëndësishme.

Për procesin e legalizimeve, shpejt kalojmë në Parlament Ligjin e ri për Tokën dhe do i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën të të gjithë atyre zonave ku nuk ka funksionuar 7501-shi dhe nuk ka konflikte pronësie e kanë njohur reciprokisht kufijtë e vjetër, sepse jemi ndeshur vazhdimisht, qoftë në fushata, qoftë në kontakte me njerëzit dhe prej 30 vitesh nuk i është dhënë zgjidhje përfundimtare. Do i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe njëkohësisht edhe regjistrimit të tokës bujqësore në përgjithësi mbi bazën e 7501-shit, duke respektuar rekomandimet e KiE" tha ai.


Lajmi kryesor:

Rama bën bilancin e vitit, kritika dhe porosi për ministrat: Në janar kalojmë anti-KÇK-në! Shpërblim për pensionistët? Vendosim nesër


  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Altin Dumani me daljen në media sfidoi hapur presionet politike dhe mediatike! Ka fituar besimin e publikut dhe kanë qenë të suksesshëm

Spahiu: Altin Dumani me daljen në media sfidoi hapur presionet politike dhe mediatike! Ka fituar besimin e publikut dhe kanë qenë të suksesshëm