Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria sot është shoqëria më pro-europiane në kontinent.
Komentet Rama i bëri nga një konferencë në Tokyo, kryeqytetin e Japonisë, ku tha se Shqipëria dikur ka qenë ‘Koreja e Veriut’ e Europës, me mungesë demokracie dhe bashkëpunimi me vendet e tjera.
Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, për kryeministrin Edi Rama është një zhvillim shumë i rëndësishëm për të gjithë popullin shqiptar.
Kryeministri gjatë fjalës së tij falënderoi Japoninë për kontributin e dhënë për vendin tonë, gjatë tërmetit të nëntorit 2019, i cili u mori jetën 51 personave në Shqipëri dhe la shumë të tjerë të pastrehë.
“Gjatë tërmetit të 2019 Japonia qëndroi pranë nesh dhe kurrë nuk do ta harrojmë këtë gjë. Ajo që e bën Japoninë të paçmar për ne është fuqia e shembullit të saj si burim frymësimi i pashtershëm. Japonia është bërë një partner i rëndësishëm në integrimin europian të Shqipërisë. Urat e njohurisë rezultojnë më të qëndrueshme se ato të çelikut. Sot Shqipëria është shoqëria më pro-europiane e kontinetit. Jemi të dashuruar. Nga Koreja e Veriut të Europës, në vend kandidat për në BE dhe aleat i NATO-s, në harkun e një jete të jetuar, është diçka mjaft e rëndësishme”, tha mes të tjerash Rama.
Për Ramën, Japonia është një shembull frymëzimi për qëndresën dhe forcën e ringritjes, pas shkatërrimeve masive nga lufta e Dytë Botërore, ku në Hiroshima dhe Nagasaki u hodhën 2 bomba bërthamore.
“Kurioziteti dhe partneriteti ynë shtrihet shumë përtej Europës. Ne kemi shumë për të mësuar nga Azia. Mençuria e Ballkanit Perëndimor mban vlerë shumë të veçantë, për bashkëjetesën mes kombëve. Japonia ofron mësime në diçka edhe më të jashtëzakonshme, për fuqinë e qëndresës. Pak kombe kanë përjetuar një shkatërrim të tillë dhe kanë arritur një rimëkëmbje të tillë. Pak kombe kanë përjetuar kaq shumë transformim. Madhështia nuk matet me mungesën e zmbrapjseve, por me aftësinë për t’u ringritur”, vijoi më tej Rama.
Në përfundim kryeministri duke bërë batuta tha se ndihej i keqardhur që nuk kishte arritur të çonte pak diell nga Shqipëria në Tokyo. Kryeministri ftoi të gjithë të rinjtë e pranishëm në konferencë, por edhe qytetarë të tjerë të Japonisë të vizitojnë Shqipërinë.
“Isha i vetëdijshëm ta mbaja këtë fjalë të premten dhe e premtja është shumë e rrezikshme për të mbajtur një fjalim, sepse të gjithë mezi presin të largohen, jo të dëgjojnë fjalim. Më vjen keq që nuk arritëm të sjellim pak djell në Tokyo, sepse në Shqipëri ka shumë diell. Por mund të vini ta shijoni”, përfundoi Rama.
Lajmi kryesor:
Integrimi/ Rama nga Tokyo: Të martën konferenca ndërqeveritare, do të 'martohemi' me BE










