Rama: Opozita do të marrë pjesë në zgjedhje!... Rrëfen çastin më të vështirë dhe më të bukur të 2019-ës

Rama: Opozita do të marrë pjesë në zgjedhje!... Rrëfen çastin më të vështirë dhe më të bukur të 2019-ës

TIRANË -  Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar vitin 2020 si një fillim të ri. "2020 është një vit kyç, më i shënuar i qeverisjes sime për shkak të rindërtimit që është kryefjalë, një procesi historik në betejën me krimin që nis në ditët në vijim për të çuar një tërmet nga shteti në themelet e botës së krimit në raport me pasurinë e paligjshme të elementëve kriminalë", u shpreh kryeministri.

Vitin që lamë pas, Rama e cilësoi si periudhë e vrasjes politike të opozitës. Ai thotë se pas asaj që ndodhi, nuk do të ketë më në Shqipëri një forcë politike që të bëjë të njëjtin gabim si bojkoti, shantazhi apo braktisja e dialogjeve.

Kryeministri Edi Rama beson se opozita shqiptare që në 2019-ën mori vendimin e paprecedentë për të djegur mandatet dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, tashmë do të reflektojë dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. I ftuar në emisionin "Java" në RTSh me moderatorët Preç  Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, kreu i qeverisë u shpreh: "Unë shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Në këndvështrimin tim kanë filluar të ndryshojnë. Se me sa duket ka rënë teza që o ik o s’ka dhe s’kemi punë me institucionet dhe me procesin demokratik brenda institucioneve. Mendoj se opozita do marrë pjesë në zgjedhje, nuk ma ha mendja që do kemi parti politike që do të lëshojnë territorin pa luftë politike ose që do tentojnë ta lëshojnë betejën në fushën e përplasjeve e me kërkesa anti-demokratike".

Përballë gjykimit të kritikëve se ishte ai personi që e shtyu opozitën drejt 'vetëvrasjes' politike, shefi i mazhorancës, ndan këtë qëndrim:

"Unë nuk kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as që të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Kam detyrën që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet, natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë. Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i mungesës së një largpamësie strategjike, nuk më bën autor i kësaj vendimmarrje, dhe as më bën të ndihem i keqardhur. Kësaj opozite nëse i ka munguar diçka, s’ka qenë si rezultat i ushtrimit të pushtetit, por i ka munguar mendja për të pasur një skuadër dhe lidership të fortë".

Kryeministri zbuloi edhe komunikimin e fundit që ka pasur me liderin demokrat, Lulzim Basha.

"Në ditët pas tërmetit i kam çuar një mesazh për t'i sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Para këtij momenti komunikimi i fundit ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament", tha Rama.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë të gjitha akuzat për kapje të sistemit të drejtësisë së re nga mazhoranca.

"Nëse ne do të kishim pasur tendenca kapje të sistemit të ri të drejtësisë nuk do të ishte e mundur që ata që e kanë sponsorizuar politikisht dhe financiarisht të mos kishin ngritur zërin, SHBA, o ne i kemi kapur të gjitha edhe drejtësinë edhe Amerikën edhe Europën, ose këtu ka diçka që nuk shkon në logjikë", tha Rama.

Shefi i mazhorancës tha se brenda vitit 2020 do të jenë ndërtuar lagjet e reja për të prekurit nga tërmeti që ju dëmtua shtëpitë dhe ju kthyen në të pabanueshme, dhe tha se këtë qeveria do ta realizojë edhe sikur të mos vijë asnjë donacion nga konferenca që do të organizojë Komisioni Evropian këtë muaj.

"Kemi dy skenarë bazë, një sikur mos të marrim asnjë euro nga donatorët, dhe një skenarë me disa përshkallëzime të mundshme si rezultat i kontributit të donatorëve. Këto do i bëjmë edhe sikur donatorët të mos japin asnjë qindarkë", tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Çasti më i vështirë dhe momenti më i bukur në 2019-ën...Kush është personazhi i vitit për kryeministrin Rama

1578172707_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk mban një ditar, megjithatë ka të shënjuar në kujtesën e tij disa ngjarje të rëndësishme të vitit që lamë pas, të vështira, të hidhura e momente të lumtura.

Çasti më i vështirë për të është ora 4 e mëngjesit e datës 26 nëntor, ku tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë.

Ngjarja më e bukur për të është ditëlindja e djalit të tij, Zahos, në përvjetorin e tij të pestë.

Më e keqja në 2019-ën ishte nata e mbledhjes së Këshilli Evropian, kur u nda fati për Shqipërinë dhe mos çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

A ka marrë një mesazh që e ka tronditur, që e ka lënë pa gjumë? Rama përgjigjet: Kam marrë kaq shumë mesazhe në telefon saqë në përgjithësi janë ndikim i drejtpërdrejt në pagjumësinë time se e kam këtë zakon që dua t'i përgjigjem të gjithëve.

Personazhi i vitit sipas tij është Ermal Mamaqi dhe për këtë arsyeja është qe realizoi një nga ëndrrat e tij, të aktronte.

"Zgjedh Ermal Mamaqin, se më ka bërë aktor tek filmi 'I Love Tropoja'. Duke qenë se më dha mundësinë të heq edhe një merak timin të luaja në një film për mua është personazhi i vitit që kaloi", tha Rama.

Në emisionin "Java" në RTSH, shefi i qeverisë ndau edhe një urim për gazetarët: "Të shpifin sa më pak. nuk kam asnjë armiqësi, me shtypin kam pamundësinë që të sillem si politikan, sepse vij nga një kohë kur kam milituar në radhët e shtypit të lirë dhe e ndjej si të pamundur të më sfidojnë në atë fushë duke më treguar edhe arat shpesh herë përmes broçkullave. Kam bërë paqe të plotë".

Duke komentuar me moderatorët Preç  Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, pamjen e tij, mjekrën e zgjatur, atletet por edhe çitjanet, pyetjet se "me këto mendoni se do të marshoni drejt mandatit të tretë?", Rama u përgjigj: Me opinga, po.  "Po të shkosh më larg, janë munduar të kapen dhe pas hallateve të mia. Por kjo gjë duhet të mbyllet, jo u vesh kështu, jo ka vesh opinga. Për sa i përket mjekrës nuk kam dhënë asnjë përgjigje për anën time të jashtme, kështu që pyesni mjekrën time. Është një çështje individuale dhe duhet të mbyllet. Jam duke bërë edhe opinga të cilat janë komode shumë të mira", shtoi Rama.

A do të ketë rritje rrogash dhe rritje të pensioneve në 2020-ën? Rama tha se kjo pritet të ndodhë në vitin tjetër, 2021, ndikuar edhe nga procesi i rindërtimit pas tërmetit.

"Me siguri në vitin 2021 ndërsa duke qenë të imponuar nga axhenda e rindërtimit mendoj se do të ishte e nxituar po të thoja se kjo gjë do të ndodhte në 2020-ën", u shpreh kryeministri.

Zgjedhje të parakohshme në 2020? "Sot për sot nuk e shoh, zgjedhje mund të ketë vetëm nëse vendos PS të shkojë në zgjedhje se rrugë tjetër dhe mënyrë tjetër nuk ka", thotë Rama.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri