Rama: Pagat dhe pensionet, lëmë
pas Kroacinë, Malin e Zi e Kosovën

Rama: Pagat dhe pensionet, lëmë<br />pas Kroacinë, Malin e Zi e Kosovën
Në rubrikën "Komunikimi i Javës" në Facebook, kryeministri Edi Rama ka analizuar procesin reformator të qeverisë së drejtuar prej tij.

Rama ka theksuar se reformat e ndërmarra kanë për synim të bëjnë shtet, ndërsa shtoi se askush nga paraardhësit e tij në qeveri nuk besonte se Shqipëria mund të bëhej. 
 
"Prej tre vjetësh jemi angazhuar në një proces reformash të thella, për të bërë shtet. Reforma të cilat, askush përpara nesh, jo thjesht nuk i nisi, por as nuk mendoi se mund të bëheshin. Sepse, sot e besoj përfundimisht, ata që qeverisnin më parë, nuk kishin si t'i dinin peripecitë e këtyre reformave të vështira përderisa nuk e besonin as vetë se Shqipëria mund të bëhej. Në një vend ku drita e semaforit ka të njëjtën ngjyrë si për njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe për njerëzit me pushtet. Ata nuk e besonin se Shqipëria mund të bëhej një vend ku mund të ndalohen njëherë e mirë ndërtimet pa leje në tokën e shteti apo në tokën e tjetrit, ose bëhet ky vend ku mund të ndalohet duhani në ambientet publike. Ata nuk e besonin se Shqipëria mund të bëhej një vend ku të paguhej nga të gjithë energjia që konsumohej. Apo ku diploma merret me dije dhe jo me para. Ata nuk e besonin se Shqipëria mund të bëhej një vend ku uji të shkonte në çdo parcelë dhe turistët mund të duan të shkonin gjithnjë e më të shumtë në çdo qytet të këtij territori plot mrekullira. Madje ata as nuk e besonin as se Shqipëria mund të kishte më shumë se një qytet të vetëm, Tiranën, më shumë se sa një shesh qyteti, një muze dhe një teatër dhe këto sa për të larë gojën në kryeqytet. Më shumë se një stadium normal dhe atë në gjendje jo të mirë, por në Tiranë. Ata që e qeverisën këtë vend më parë nuk besojnë as sot e gjithë ditën dhe s'kanë për ta besuar asnjëherë që Shqipëria mund të ketë një sistem drejtësie ku ligji dhe jo leku, andaj se kush ka të drejtë e kush ka faj. Prandaj, vazhdojnë ta pengojnë duke i gjuajtur me gurë e herë duke hedhur gurë e fshehur dorën. Ata besonin dhe besojnë te pushteti dhe jo te Shqipëria ku shteti u shërben qytetarëve dhe njerëzit me pushtet janë në shërbim të shtetit", u shpreh Rama.

Ai theksoi se bindja për të bërë shtet e mban atë në krye të detyrës së Kryeministrit. Ai theksoi se nëse reformat e këtyre tre viteve do të ishin nisur para 20 vitesh, Shqipëria sot do të ishte një vend tjetër. 
 
"Pikërisht, besimi se Shqipëria bëhet më ka sjellë mua në këtë zyrë dhe bindja se Shqipëria jo vetëm duhet, por do të bëhet shteti që na ka munguar në 20 e kusur vite pa rend ligjor e pa rend rrugor, më mban mua në krye të kësaj detyre. Dhe me këtë bindje, që ne duhet dhe mund të bëjmë shtet, kemi qeverisur dhe do të vazhdojmë të qeverisim, duke nisur e çuar përpara reforma të cilat, mendojeni pak, po të ishin filluar para 20 e kusur vitesh më parë, do ta kishin bërë sot Shqipërinë një vend krejt tjetër nga ky që kemi, plot plagë të mëdha e probleme të panumërta, të trashëguara që prej se kemi marrë detyrën qeverisëse, vetëm tre vjet më parë", tha Rama.
 
Kryeministri iu përgjigj edhe kritikëve të reformave, duke i cilësuar si shtresat e kalbura të politikës së vjetër që duan të ruajnë status quo-në. 

"E gjithë ngrehina e shtetit sot është përfshirë në një kantier reformash, ku erës së ndryshimit i kundërvihen korente presionesh antireformistë nga më ndryshimit, nga një anë rezistenca, inercia e mënyrës tradicionale e të parit dhe të bërit të gjërave në këtë vend, nga ana tjetër rezistenca e qendrave të çfarëdollojshme të interesave të prekura apo të kërcënuara nga ndryshimi i status quo-së që sjellin reformat dhe përballë orë e çast rezistenca e të gjitha shtresave të kalbura të politikës së vjetër që jeton në baltë dhe baltos ku mundet, sa mundet, kë të mundet".
 
Duke i quajtur reformat si operacione të dhimbshme, Rama tha se ato kanë filluar të japin rezultatet e para. Kreu i qeverisë theksoi se rritja e buxhetit të shtetit me 100 milionë dollarë të cilat do të shkojnë për rritjen e pagave dhe pensioneve, është pikërisht fryt i reformave. Rama tha se, nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, me këtë rritje, Shqipëria ia kalon Kroacisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ndërsa i afrohet Maqedonisë sa i takon nivelit të pagës së ulët.

Sipas kryeministrit, rritja e rrogave dhe pensioneve, do largojë Shqipërinë nga vendi i fundit në rajon për nivelin e rrogës mesatare dhe maksimale.

"Ka ardhur koha jo vetëm për të rritur rrogat për mësuesit, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët dhe të gjithë punonjësit, por është koha për t'i dhënë po ashtu përmes një rritje shumë të ndjeshme të rrogave, të gjithë kësaj force të madhe mbështetëse të reformave, të gjitha familjeve që punojnë për shtetin dhe Shqipërinë që duam të bëjmë, mesazhin e qartë të vetëdijes time dhe të kësaj shumice qeverisëse, se roli i tyre është i pazëvendësueshëm për t'i çuar përpara reformat. Familjet e tyre meritojnë të marrin sot një shpërblim domethënës nga reformat që vërtetë jemi ne që i udhëheqim, por është mbështetja e madhe e këtyre njerëzve që i bën të mundur. Ka ardhur koha po ashtu për t'u dhënë të gjithë pensionistëve një mesazh kuptimplotë respekti në radhë të parë, për madhështinë njerëzore që përballojnë jetën e tyre aspak të lehtë, në radhë të parë për shkak të pensionit kaq të ulët edhe pse në këtë pikë dua ta bëj shumë të qartë vetëdijen time se, sado të bëjmë ne për pensionistët s'do të jetë asnjëherë aq sa do të donim ne të ishte, e lere pastaj aq sa prindërit tanë kanë merituar me kohë e me vakt. Shqipëria nuk do të jetë më e fundit në rajon për rrogën më të ulët dhe për rrogën mesatare. Niveli i pagës më të ulët në vendin tonë do t’ia kalojë Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë dhe do t’i afrohet asaj të Maqedonisë. Ndërsa rroga mesatare do të bëhet më e lartë se sa në Kosovë dhe Serbi dhe do të jetë më afër mesatares në Maqedoni", tha Rama.
 
Për rritjen e pagave dhe pensioneve qeveria ka shtuar në buxhetin për vitin e ardhshëm 100 milionë dollarë. 
 
"Kjo është shuma më e madhe e vënë ndonjëherë nga ndonjë qeveri për rritjen e pagave dhe pensioneve në një vit të vetëm. Qeveria e mëparshme ndau për rroga e pensione në buxhetin e shtetit në 8 vjet, 124 milionë dollarë, ndërsa ne jo vetëm i ndajmë në një vit buxhetor, por duke llogaritur edhe 100.4 milionë dollarë që janë ndarë në këto tri vite nga ulja e taksës mbi rrogën, plus 40 mln dollarë nga i njëjti mekanizëm i uljes së taksës vitin e ardhshëm, arrijmë që falë kësaj faze të parë reformash të spostojmë në xhepat e punonjësve tanë dhe pensionistëve, 240.4 milionë dollarë brenda një mandati të vetëm", tha Rama.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Dhunuan modelen, dy motrat Berisha ende në kërkim! Sekuestrohen dy mjetet me të cilat lëvizën, sipas TIMS rezultojnë në Shqipëri

Dhunuan modelen, dy motrat Berisha ende në kërkim! Sekuestrohen dy mjetet me të cilat lëvizën, sipas TIMS rezultojnë në Shqipëri