Rama për zgjedhjen e Trump: Le të mos bëhemi histerikë, Zelenskyt i thashë të mos shqetësohej! Herën e parë thanë NATO do dobësohet, por u forcua!

 

Kryeministri Edi Rama, duke folur për gazetarët, sot në Budapest

Teksa në Budapest të Hungarisë po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, për çështjet e sigurisë, i pranishëm ndodhet edhe kryeministri Shqiptar, Edi Rama.

Ai u takua edhe me homologun hungarez, Viktor Orban, kurse Shqipëria merr stafetën për ta organizuar samitin e radhës në vendin tonë vitin tjetër.

Rama njoftoi se vitin tjetër ky Samit mbahet në Shqipëri dhe foli shkurtimisht për mediat në lidhje me këto çështje, por edhe për raportet e NATO-s me SHBA-të, pas zgjedhjes së presidentit Trump.

Prononcimi i plotë i Edi Ramës nga Budapesti:

-Samiti i tjetër i komunitetit është në Shqipëri. Cilat janë objektivat, ndryshimi i klimës, të tjera?

 Kryeministri Edi Rama: Po. Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen, dhe sigurisht ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim.

 -Pyetje lidhur me zgjedhjen e Presidentit  të ri të Amerikës?

 Kryeministri Edi Rama: Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta, jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.

 -Po çfarë do t'i thoni Zelenskit sot, kur të vijë? Çfarë do t'i thoni të atij?

Kryeministri Edi Rama: Ja kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t'u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t'i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë.

Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese. Në të kundërt, mund të jetë një mundësi e madhe për të bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën.

 -Po lidhur me stabilitetin në Gjermani, me rënien e koalicionit?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha. Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bën ndonjë dallim të madh, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që ne jemi shumë më pak të prekur nga këto lloj emocionesh, sepse për ne është e njëjta gjë.

-Si e shihni propozimin për migrantët?

Kryeministri Edi Rama: Pyesni Giorgia se po vjen tani...

*** 

Kryeministri Edi Rama: Unë jam më i gjati mes të gjithë tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të flas për gjëra të tilla kaq të mëdha, si ajo çfarë po ndodh në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në fund të fundit, besoj që Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha këto vende të mëdha janë mjaftueshëm të forta për t'i kapërcyer të tilla situata dhe ndoshta në një farë mënyre, kjo do të ndihmojë gjermanët, të bëjnë më shumë, e po kështu të kuptojnë se kanë një vend të madh.

Besoj se ajo çfarë është thënë, ajo çfarë është diskutuar intensivisht përpara zgjedhjeve evropiane, shkoi shumë larg dhe ndërkohë ajo çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shtete e Bashkuara të Amerikës mund të përbëjë një mundësi për të riformësuar shumë gjëra, për ta parë botën paksa ndryshe, për ta parë vetë Europën paksa ndryshe sepse Evropa po bëhet më e vjetër. Ka nevojë për më shumë energji, për më pak rregullime dhe ndoshta është mundësi për të vënë në lëvizje gjërat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendoj se janë më të forta se çdokush që është në Shtëpinë e Bardhë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, e thashë, ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.


Lajmi kryesor:

Zgjedhja e Trump, Rama nga Budapesti: U bë shumë zhurmë, të mos bëhemi histerikë! Kur ishte President, NATO u bë më e fortë! Për Shqipërinë s’ndryshon asgjë


A.Q/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë