Rama ultimatum bizneseve pa leje në bregdet: Largohuni me dëshirë, ose ju heqim me pahir e ju konfiskojmë çadrat e shezlongët! Vrasjet dhe aksidentet? Policia s'dënon, gjykatësit japin vendime abuzive

Bizneset pa leje, që kanë zaptuar vijën bregdetare, kanë marrë sot ultimatumin e prerë të kryeministri Edi Rama, i cili i tha të largohen me dëshirën e tyre, ose në të kundër do t'i largojnë me pahir dhe do i konfiskojnë të gjitha çadrat e shezlongët, për të mos ia kthyer më. Ndërsa kthimin e vijës bregdetare në një ‘moll sherri’ mes bizneseve që përfundojnë  në vrasjet tragjike si ajo në Velipojë, për Ramën janë ngjarje tepër të rënda, por që nuk mund të parandalohen dot nga policia e shtetit.

“Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir dhe unë dua t’i bëj thirrje sot të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull. Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojnë çdo lloj çadre a shezlongu tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në garantimin e një sezonin turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht. Subjektet që nuk janë të vendosura sipas ligjit duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruara për biznesin e tyre, pasi do ju merrte dhe nuk do ju jepet më mbrapsht. Kjo është ajo që doja të thoja shkurtimisht”, tha Rama.

Edhe pse i cilësoi si ngjarje tronditëse, Rama tha se nuk është i shqetësuar për trendin e kriminalitetit apo aksidenteve në vendin tonë dhe se këto nuk do të ndikojë në sezonin turistik që është edhe mortori i ekonomisë së vendit në këtë periudhë.

Për Ramën, Policia e Shtetit nuk mund të ofendohet në mënyrë të përsëritur dhe nuk mund të behet me faj për çdo gjë që ndodh në vend, sepse ajo nuk mund të shmangë një aksident kur një i papërgjegjshëm i jep makinës me shpejtësi të lartë, apo kur pas mesnate ndodh një sherr i papritur mes fqinjëve. Ashtu si dhe ministri Çuçi një ditë më parë, edhe Rama tha se fajin e kanë gjykatësit që nuk kanë kaluar vettingun me vendimet abuzeve që japin duke i liruar kriminelët dhe se policia nuk mund të dënojë, duke shtuar se do të ketë hetim pasuror të personave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor me makina luksoze.

Lidhur me vrasjet  e fundit në vend dhe rritjen e aksidenteve tragjike me vdekje, Rama e hodhi poshtë në mënyrë të prerë shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke theksuar se institucioni që ai drejton nuk është problematik. Megjithatë, shtoi Rama, po përgatitet plani për ristrukturimin e Policisë së Shtetit për të rritur fuqizimin edhe më të madh të saj.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe kallëzimin që 3 efektivë të policisë i kanë bërë kryebashkiakut të Lezhë, Pjerin Ndreu pasi i ka penguar në kryerjen e detyrës. Rama tha se nuk ka asnjë tolerim në ofendimin e policisë dhe se kushdo që gabon, qoftë edhe zyrtarët e lartë duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.  

Kryeministri Edi Rama- Komunikim me median e plotë

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
'Policia e Shtetit direkt përgjegjëse', Rama flet për përplasjen me armë tek bar 'Orange' në Sarandë: Ulëritëse dhe e pajustifikuar! Struktura është ndëshkuar

Kreu i qeverisë Edi Rama ka bërë përgjgjeës direkt Policinë e Shtetit, për ngjarjen e pak ditëve më parë në Sarandë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri biznesmeni Spiro Iljadhi, pronari i bar 'Orange' dhe aksidentalisht shqiptari me pasaportë amerikane, Marin Jano.

Kreu i qeverisë thotë se ky rast është ulëritës dhe i pajustifikueshëm për policinë e Sarandës, e madje është ndëshkuar struktura nga brenda policisë dhe janë marrë masa. Sipas Ramës, në këtë rast nuk ka përgjegjësi gjykata, por policia.

“Rasti i Sarandës është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Policisë së Shtetit dhe për këtë arsye janë marrë masat dhe janë bërë goditje brenda policisë së shtetit

Rasti i Sarandës është përgjegjësi e policisë së shtetit. Merr informacioni sa efektivë policie kanë shkuar para ligjit, sa policë janë hetuar nga ana administrative dhe pastaj penalisht si rezultat i punës së bërë nga SHCBA në Policinë e Shtetit.

Rasti i Sarandës është një rast ku nuk ka përgjegjësi as gjykata as media, as askush tjetër sa Policia e Shtetit.

Rasti i Sarandës është i pajustifikueshëm dhe struktura në Sarandë është ndëshkuar nga brenda policisë. Është ndëshkuar, janë marrë masa dhe merren masa vijimisht për raste të tilla.

Rasti i Sarandës është absurd. Nuk ka ndodhur në ndonjë cep. Rasti i Sarandës është flagrant, ka ndodhur në qendër, pranë shëtitores, në një lokal me muzikë dhe me të gjitha. Është rast ulëritës për stukuarën e policisë Sarandë”, u shpreh Rama në konferencën me gazetarët.

Ora 14:17
Makinat luksoze thyejnë rregullat e qarkullimit, Rama: Unë vet qëndroj në çdo semafor, shoferët e ministrave janë gjobitur nëse s’i kanë respektuar

Kryeministri Rama tha se pjesa më e madhe e popullsisë e respekton qarkullimin rrugor dhe se një pjesë e vogël nuk e bën por që bën zhurmë shumë të madhe. Rama tha se ai vet respekton çdo semaforë që kalon dhe se shumë shoferë të ministrave të tij janë gjobitur nëse nuk e kanë respektuar.

“Kur te kapin makinën time apo autokolonën, apo makina të ministrave që nuk respektojnë semaforët atëherë hajdeni më bëni moral mua këtu. Unë qëndroj në çdo semafor me përjashtim të ndonjë rasti kur ka ndonjë urgjencë.  Shoferët e ministrave kanë marrë gjobë për moszbatim të qarkullimit rrugor, por të flitet këtu sikur jemi në kohën e atyre që nuk donin të dinin për semaforë dhe në Shqipëri kishte më shumë vrasje se sa ditë viti, kjo nuk vlen. Lënia e turpit për çdo gjë te policia e shtetit jo vetëm që nuk ndihmon për të zgjidhur gjërat, por ndihmon ata që shkelin ligjin, teoritë që këtu vetëm populli i varfër ndalohet në rrugë se të tjetër lëvizin si të duan, në fakt këto shtojnë potencialin që njërit të shkelin ligjin dhe ofendojnë policisë, dhe faktet nuk janë kështu, pjesë dërrmuese nuk e respekton, ajo është shumë e vogël por bën zhurmë shumë të madhe, ne jemi duke punuar”, tha Rama.

Ora 14:17
Rama: Kush shkel rregullat me mjete luksoze, do i hetohet pasuria! Operacioni për ndërtimet pa leje vijon në kohë

Kryeministri Edi Rama tha se do të ketë hetim pasuror për këdo që shkel në mënyrë të përsëritur rregullat e qarkullimit rrugor me makina luksoze.

“Për të rinjtë e të rejat që përdorim mjete luksoze dhe që shkelin rregullat nuk do mjaftohemi me gjobë ose heqje patente, por do të hetohen për të ardhurat nëse i kanë ilegjitime”, tha Rama.

Në lidhje me ndërtimet pa leje, Rama tha se ky është një operacion që vijon në kohë dhe nuk bëhet një herë e aty përfundon gjithçka.

“Ndërtimet pa leje nuk kam bërë aksion ndonjëherë, por është proces i vazhdueshëm që zhvillohet me operacione të herëpashershme pasi nuk është proces që e bën njëherë dhe mbaron, në tërësinë e tyre nuk mund të bësh krahasime me kohën ku u bë boom i madh i veprimtarisë pa leje”, tha ai.

Ora 13:44
Ristrukturimi i policisë, Rama: Ndryshimet në strukturat e larta drejtuese do të bëhen më shpejt seç ishin planifikuar

Ndryshimet në ristrukturimin e policisë së shtetit do të ndodhin më shpejt seç ishin planifikuar. Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp tha se procesi i ndryshimeve në strukturat e larta drejtuese do të bëhet më shpjet nga seç ishte planifikuar.

'Ne jemi në një fazë intensive pune për të gjithë sektorët jo vetëm për sektorin e punëve të brendshme, për tu përgatitur për mandatin e tretë. Është koeçidencë, por nuk ka asnjë problem në këtë aspekt. Unë dua të nënvizoj që mos të krijohet asnjë keqkuptim. Çdo ngjarje është një arsye për të menduar sesi gjërat mund të bëhen më mirë në tërësi. Sulmi ndaj policisë së shtetit është absurd dhe nuk kam parasysh që mund të bëjë shumë mirë punën e vet. Por nuk është vetëm policia në një vend demokratik, ajo që garanton gjithçka. Ndërkohë ristrukturimi i policisë dhe në aspektin e drejtimit që nga niveli i drejtuesve në qarqe është një proces që ka nisur të diskutohet dhe do të ristrukturohet më shpejt seç ishte menduar. Procesi i ndryshimeve në strukturat e larta drejtuese do të bëhet më shpjet nga seç ishte planifikuar.'- tha Rama.

Ora 13:44
Do shkarkohet Veliu pas ngjarjeve të fundit? Rama: S'ka krizë në Policinë e Shtetit! Nëse do i hiqnin njerëzit nga një rast, s'do kishte ngel asnjë për të marrë detyrën

 

Kryeministri Edi Rama u tregua i prerë, pasi u pyet nëse do të shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pas ngjarjeve të fundit që janë regjistruar në vend.

Kryeministri theksoi se Polici e Shtetit nuk është në asnjë situatë problematike dhe se nëse do të nisej nga një rast për të larguar njerëz, nuk  do të kishte mbetur më asnjë për marrë detyrën, duke nënkuptuar se nuk flitet për një largim të Veliut nga posti që ai mban.

Sipas Ramës, ristrukturimi në Policinë e Shtetit ka të bëjë me fuqizimin e saj dhe jo sepse ka një krizë.

"Nuk e di, nuk e di sesi të shpjegoj që rastet konkrete shikohen në kontekst, nëse ne do të niseshim nga rastet për të hequr njerëz, nuk do kishte ngel më njeri që të merrte një detyrë. Policia e Shtetit nuk është në asnjë situatë problematike, është vetëm në një proces rritje dhe fuqizimit të mëtejshëm. Nuk ka asnjë problematikë më të madhe se ç'kishte para këtyre ngjarjeve kur gjërat dukeshin normale. Nëse i referohemi disa ngjarjeve që kanë të bëjnë me ngrëniet e kokave mes njëri-tjetrit të kriminelëve, edhe aty duhet të shikojmë reagimin e Policisë së Shtetit, nuk ka një krizë në Policinë e Shtetit, kjo është fare e qartë, puna e Policisë së Shtetit nuk hidhet dot poshtë se ndodhën disa ngjarje tragjike, ku mësimet për t'u nxjerrë kanë të bëjnë me se çfarë do të bëjë secili", tha Rama.

Ora 13:39
Pjerin Ndreu i quajti policët barkderra, Rama: Asnjë tolerim për ofendimin e efektivëve, kush gabon do përgjigjet për veprimet e tij 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe kallëzimin që 3 efektivë të policisë i kanë bërë kryebashkiakut të Lezhë, Pjerin Ndreu pasi i ka penguar në kryerjen e detyrës. Rama tha se nuk ka asnjë tolerim në ofendimin e policisë dhe se kushdo që gabon, qoftë edhe zyrtarët e lartë duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.  

“Kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka atë drejtë dhe nuk mund t’ia hedh lehët pa u përpallur me ligjin për ofendim e policisë, por kur i bëhet dhe një ofendim i vazhdueshëm kur i hidhet faj  për çdo gjë që ndodh, ky është një ofendim shumë më i madh se sa ai individual i një personi ndaj 2 apo 3 efektivëve. Unë do të shqetësohesha nëse polica dhe strukturat përkatëse nuk do të kishim ndjekur rrugën ligjore, të gjitha gabojmë, të gjithë të përgjigjen për gabimet e tyre, nuk kemi një tolerim të rastit, ku një zyrtar i lartë ofendon një grup të efektivë, por ofendimi i madh është ofendimi i përditshëm dhe mungesa e mbështetjes. Duhet ta përsëris ne jemi të shqetësuar çdo ditë që puna të bëhet më mirë, por të thuash që disa ngjarje shumë të rënda dhe fatkeqësisht na e bëkan Shqipërinë të kthehet pas është shumë qesharake, asnjë turistë nuk po kthehet pas”, tha Rama.

Ora 13:36
Vrasjet e aksidentet, Rama: Policia e Shtetit nuk dënon, por ndalon! Gjykatësit që nuk kanë kaluar vetingun japin vendime abuzive

Në të njëjtën linjë me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi ishte edhe kryeministri Edi Rama, teksa foli për ngjarjet e fundit në vend, që kanë tronditur opinionin publik. Në një konferencë për mediat, Rama tha se Policia nuk mund të dënojë, po të çojë para gjykatësve ata që kanë shkelur ligjin, duke i akuzuar ata për vendime abuzive. Sipas Ramës, gjykatës që ende nuk e kanë kaluar procesin e vetingut, nuk po i dënojnë personat që shkelin ligjin as me minimumin e parashikuar në ligj.

Duke i konsideruar tronditëse ngjarjet e fundit, Rama tha se megjithatë ata nuk përcaktojnë shkallën e kriminalitetit në vend dhe se një apo dy ngjarje të veçuara, nuk përcaktojnë nivelin e sigurisë apo pasigurisë.

"Nuk jam i shqetësuar në aspektin e trendeve të kriminalitetit apo aksidenteve sepse trende shikohen përtej një ngjarje, dhe trendet janë krejt brenda një limiti që përcakton edhe shkallën se si kriminaliteti apo aksidentet ulen apo ngrihen he nëse këto janë brenda kufijve të arsyeshme. Ngjarjet e ndodhura janë tronditëse, por për turistët atmosfera e një vendi ku me demek turistët nuk duhet të vijnë sepse rrezikojnë të vriten rrugëve, është në ekran, jo në realitet. Një ngjarkje, në vetvete tragjike, nuk përcakton niveli e sigurisë apo pasigurisë në një vend. Të thuash që është bërë me keq sesa të kishte COVID, kjo është komplet..., duhet të jemi shumë realistë dhe të kuptojmë mirë sesi është dinamika e çdo ngjarje dhe me çfarë lidhet.  Ne nuk jemi në asnjë sekont të kënaqur me punën tonë, strukturave tona, që nga puna ime te puna e cilido që ka për detyrë t'i çojë gjërat përpara. Por që të kalojm në ekzagjerime, nuk zgjidhim asgjë. Unë nuk e di si policia mund të shmangi një aksident që është rezultat i çmendurisë së një individi në rrugë, apo se si mund të gjendet pas mesnate në një vend ku bëjnë sherr dy fqinj. Përtej dy ngjarjeve, apo 3 apo 4, ka gjëra patjetër për të kuptuar dhe shfrytëzuar në funksion të përmirësimit. Policia e Shtetit nuk dënon, reagon, ndalon dhe çon para gjykatës persona që shkelin ligjin dh enë rast se, fjala vjen, mund të konsiderohet një arsye e një tragjedie fakti që personat e përfshirë në tragjedi kanë armë pa leje, patjetër që armëmbajtja pa leje këtu dënohet, nuk është Policia e Shtetit që mund të çojë në burg ata që çon para gjykatësve dhe ata nuk i dënojnë as me minimumin që i jep ligji. Mediat duhet të bëjnë demaskimin e këtyre gjykatësve sepse janë fakte skandaloze që ndodhin dhe që Gjykatat, at atë cilët janë akom anë detyrë sepse nuk kanë kaluar vetingun dhe abuzojnë, nuk ka një instrument qeveria që t'i bëjë zap dhe shumë mirë që nuk i ka sepse kemi zgjedhur të jetojmë në një vend demokratik. Duhet të gjithë të bëjnë pjesën  e tyre, e jona është e qartë, vazhdimi i procesit të reformimit dhe të fuqizimit të Policisë së Shtetit, në sensin e ristrukturimit të vazhdueshëm, për të arritur objektivat që kanë të bëjnë me moshën, integritetin, performancën e secilit dhe në teknologji në mënyrë që shumëçka, në aspektin e monitorimit të territorit të bëhet më mirë. Nuk është çështje e lënies së fajit, jetojmë në një sistem ku përgjegjësitë janë personale, kush shkel ligjin duhet të ndalohet dhe dënohet dhe nëse një nga hallkat nuk funksionon, bëhet më e vështirë", tha Rama.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tani: 30/06/2021 06:00

    Edhe dy hotelet nr velipoje ku mbeten te vrare 4 personat duhen te shemben....

    Përgjigju
  • Genti: 29/06/2021 16:04

    O zoti kryeminister, ti rehato pllum gjoken ne velipoje, se ne te tjeret te hane bare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

112 vite diplomaci shqiptare, ministri Hasani: Forcojmë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

112 vite diplomaci shqiptare, ministri Hasani: Forcojmë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare