Rama: Tërmeti i shtetit do bjerë mbi KÇK 26 Nëntori momentum i fillimit të ri! Nuk jam i varfër, s'ëndërroj të bëhem i pasur

TIRANË - Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2020, në një video-mesazh shpërndarë në rrjetet sociale, ku nuk mund të ndodhte ndryshe: Kryefjalë e urimit të tij ishte tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit me 51 viktima e qindra të plagosur dhe ringritja pas tij përmes rindërtimit. Mrekulli nga dora e Zotit ishte për kryeministrin Edi Rama fakti që tërmeti tragjik nuk shkaktoi një bilanc edhë më të përgjakshëm, e po ashtu ishte edhe mrekulli e miqve që iu gjendën Shqipërisë në ditë të vështira.

Rama tha se ky tërmet, mes dhimbjes që la pas, shënon edhe një mundësi të artë për një fillim të ri. Energjia pozitive që gjeneroi pas tërmetit, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam, tha Rama. "Nuk duhet ta humbim kurrsesi këtë momentum të ri, për të kapitalizuar mundësinë e thellimit të procesit të rilindjes ekonomike e sociale, që ka krijuar ky fundvit kaq dramatik. Nuk kemi kohë për të humbur! Duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe të bëjmë pa humbur kohë, tani, përditë çdo punë që s'duhet lënë më për nesër", u shpreh shefi i mazhorancës.

Brenda 2020-ës kush ka humbur shtëpinë do hyjë në shtëpi të re. Deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja. Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm, theksoi Rama. "Me rindërtimin e shtëpive, si kryefjalë e vitit që po hyn, duhet ta kthejmë Vitin e Ri në një vit rezultatesh domethënëse për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë që duam. Viti 2020, duhet të jetë viti i kurimit shembullor të plagëve të shkaktuara nga tërmeti. Deri në fund të vitit 2021 ato plagët duhet të jenë kthyer në shëmbëlltyra të forcës, besimit, shpresës shqiptare tek e ardhmja.", tha Rama.

Por një tërmet i vërtetë pritet të jetë ai i janarit për të gjithë ata që Rama i quan të fortët e pandëshkuar që me karshillëkun e tyre në shoqëri kanë nxirë imazhin e vendit në sytë e botës. E këtu i referohet paketës ligjore Anti-KÇK që pritet të marrë jetë nga janari duke goditur pasuritë e personazheve të njohur të botës së krimit që në aleancë me sektorë të drejtësisë, veçanërisht prokurorët që Rama i etiketoi "Kap çfarë të kapësh" deri sa të 'ngecin' në vetting, ia kanë dalë të mos ndëshkohen.

"Viti 2020, duhet të shënohet si viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi e trafiqet e çdo lloji. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t'i përballim me Forcën e Ligjit. Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë, ose duhet ta humbasë pasurinë" tha Rama.

Rama foli edhe për veten e tij, ku nuk munguan batutat dhe autokritika, duke treguar se si di të qëndrojë afër shqiptarëve dhe të bëhet një me ta, ashtu si në situatën post tërmetit."Unë s'jam i varfër. Por s'kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur. Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes", tha Rama.

Për kreun e qeverisë, shqiptarët kaluan edhe një tërmet psikologjik, që ishte ai i refuzimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Everopian. "Më duhet t'ju rrëfehem se ideja e këtij momenti si një mundësi për një fillim të ri më ka pushtuar pak e nga pak, qysh se plasi konflikti absurd politik i gjysmës së parë të vitit. Më tej, kur refuzimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë shkaktoi një tërmet psikologjik, mbi këtë shoqëri të lidhur pazgjidhshmërisht me ëndrrën europiane, ky mendim mu përforcua si nevojë për një fillim të ri. Por tërmeti i 26 nëntorit, me forcën reaguese dhe energjinë përbashkuese që gjeneroi, u bë vetë momenti i fillimit të ri për Shqipërinë që duam", tha Rama.

2020-a për shefin e mazhorancës duhet të shënojë edhe një vit kthese historike sa i përket shërbimeve për qytetarët, ku nga janari nis të zbatohet blloku i parë i shërbimeve që merren në rrugë dixhitale. "Boll me ecejaket e panumërta, ryshfetet e padurueshme, radhët e pafundme dhe stresin e njeriut të zakonshëm, sa herë që, tash 30 vjet, niset për të nxjerrë një copë letër në zyrat e këtij shteti. Fundi i vitit 2020 duhet të jetë edhe fundi i këtij kapitulli 30-vjeçar vargmalesh të pafundmë me letra nën sqetullën e popullit, që kërkon shërbim në sportelet e shtetit", u shpreh kryeministri.

Në prioritetet e qeverisë për vitin 2020 është edhe administrimi i pasurisë së madhe kombëtare të bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë. "Zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik, apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund. Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës sonë bregdetare në një burim fuqie ekonomike transformuese dhe krenarie kombëtare", tha Rama.

"Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë, çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë mbi këtë tokë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd juve ju do zemra. Gëzuar Vitin e Ri 2020 dhe ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë!", përfundoi kreu i qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:47
Rama: Politikanët në Kosovë e dinë se ç'duan për vete, por jo për popullin...karriget e pushtetit i kanë më të rëndësishme (VIDEO)

Në mesazhin e tij të fundvitit, kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që janë reshtuar kundër Shengenit Ballkanik. Nga zyra e tij, kreu i qeverisë ka deklaruar se Shengeni Ballkanik nuk është një Jugosllavi të re, siç është interpretuar nga politika në Kosovë; nuk është një formë për të rritur ndikimin ekonomik të Serbisë në rajon dhe mbi të gjitha nuk është as një program për të harruar krimet serbe. Teksa shprehet se ka "dështuar" të luaj rolin se atdhetarit të zjarrt, që sipas tij shumë e bëjnë, Rama ka kritikuar ashpër politikanët në Kosovë.

"Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi. Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.

Unë tradhtar, o motra e vëllezër nga Kosova? Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë! Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun.

E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike) dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Por koha jo, kona nuk është me ta, koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrësesi nuk mund të treten e të zhbëhen.

Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri. Po shyqyr që janë të bashkuar bukur mirë madje, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër "vëllaut të Vuqiqit" në Shqipëri, duke i'a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike. Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i'a marrin fytyrën e po i'a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t'i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!

Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të amnistuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit. Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran. Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s'do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën mbase e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, gabon.

Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë por jo vetëm e jona, shqiptarëve por krejt vendeve të këtij rajoni, është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet. Veç ata që s'duan ta shohin a s'dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet. Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë.

Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, të drejtë e të plotë për njohjen saj nga Serbia po përkundrazi, e ndihmon. Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet. Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme në nivelin më të lartë e ka qenë gjithnjë dakord në tryezë?

Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë në të njëjtën kohë. Ditën që Serbia nuk do t'i qëndronte kësaj pike themelore, s'do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.

Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrsesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike. Tani ndjesë po nëse flasim me argumente e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vetëm racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, në Europë e nëpër botë, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i'a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, por që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë personalisht as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t'u shfrytëzuar, jo për t'u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës", tha Rama.

Ora 17:29
Rama: Nuk jam i rënë nga qielli e pa të meta! S'jam nga soji i politikanëve që gënjen për vota, jam i racës së... (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama në një reflektim fundviti, ka folur gjatë edhe për veten e tij, duke spikatur pjesët e punës por edhe të karakterit të tij, të etiketuar si arrogant. Kreu i qeverisë thotë në video-mesazhin e urimit të fundvitit, se ndjen privilegj që i ësëhtë besuar nga populli detyra e rëndësihme për të udhëhequr vendin drejt së ardhmes, dhe shprehet se fuqinë e gjen pikërisht tek besimi që i është dhënë nga qytetarët. Duke përmendur edhe një shprehje deri diku ironizuese për presidentin Ilir Meta (*Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit por i racës së Avn Rustemit), kryeministri Rama tha se ai është i "racës së politikanëve që në politikë e ka futur ëndrra për ndryshim"

"Dy fjalë për veten time: Unë nuk jam i rënë nga qielli. Nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta. Përkundrazi, kam më shumë se ju, ndoshta edhe sepse jam më i gjatë! Nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, jam më i gabueshëm se sa ju, për shkak të detyrës më duhet të marr shumë më tepër vendime se secili prej jush, pra probabilitetin e gabimit e kam shumë më të madh se çdonjëri nga ju.

Po ama asnjëherë, kurrë, nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm, për të përfituar çfarëdo qoftë, në dëmin e popullit apo të këtij vendi që kam nderin e madh të drejtoj. Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua, e di se unë nuk këmbëngul asnjëherë në një opinion a drejtim të gabuar.

I dëgjoj kundër argumentat shumë më tepër se sa duket. Kur janë bindëse tërhiqem. Nuk e kam të vështirë të kërkojë ndjesë, kur kam lënduar dikë apo kam gabuar në vlerësimin e një vendimi - mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë ndonjë paraardhësi im, por nuk është ky sidoqoftë metri me të cilin e mas veten dhe as ju kërkoj të më masni me këtë metër. Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë. Ka edhe ndonjë premtim që ende nuk kam arritur t'a mbaj dot. Po ama në asnjë rast të vetëm, nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet - për të kaluar radhën apo thjesht për vota, siç mendohet rëndom kur flitet për premtimet e politikanëve. Kurrë!

E para, sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po jam i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim. Dhe e dyta, mendojeni edhe vetë pak, kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t'i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë! E di që jam i kritikueshëm, duhet ta dini se jam më i pakënaqur se çdokush tjetër me punën time, edhe me qeverinë që drejtoj. Po ama, balta e pafundme për hajdutërira e pisllëqe thjesht nuk më përket.

Përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, gjysma tjetër e të vërtetës është se unë s'jam i varfër. Por s'kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur. Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes.

Shumë e shumë prej jush, miq në faqen time sociale, pyesnit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit, ku e gjen këtë fuqi? Po ja pra, tek ndjesia në çdo qelizë e privilegjit që kam për të qenë i zgjedhuri juaj në detyrën më të lartë dhe pasioni për të bërë të pamundurën, për këdo që mundem, që ky vend të bëhet më i mirë për ju, për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj. Shumëkujt ndër ju i dukem arrogant. Mbase sepse besoj tek bindjet jo tek konsensusi dhe jam shumë këmbëngulës në bindjet e mia. Por mbase edhe sepse kokëfortësia për t'i mbrojtur bindjet a për t'u shkuar gjërave deri në fund, më bën të dukem arrogant. Mbase edhe jam xhanëm, nuk e di, po kjo nuk më bën më pak të ndershëm në kryerjen e detyrës", tha Rama.

Fundvitin nuk e mbylli pa përmendur edhe paketën ligjore "anti-shpifje" prej së cilës mori kritika të shumta nga shoqëria civile, gazetarë e drejtues mediash.

"Unë armik i lirisë së fjalës? Po pse kur ka ndodhur që fjalëtarët e lirë ta kenë mundur fjalën time të lirë? Jo, unë nuk jam armik i fjalës së lirë. Jam po, armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit, që kanë infektuar edhe burimet e lirisë së shprehjes në këtë vend, duke ju helmuar përditë të gjithëve ju, e familjen time po njësoj, me gjithfarësoj ligësish e monstruozitetesh. E meqë jemi këtu, as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, një ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjëmb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cënuar publikisht dinjitetin njerëzor të kujt t’iu teket", u shpreh Rama.

Ora 17:25
Rama: Nëntoka e vendit ndryshim historik për ekonominë...'Track and Trace' do zbulojë marifetet e informalitetit (VIDEO)

Një ndryshim historik për ekonominë shqiptare e quajti kryeministri Edi Rama qasjen e re të qeverisë për zbulime të reja nafte në Shqipëri me kontrata në favor të shtetit -siç tha ai - teksa shtoi se përmes instalimit të sistemit "Shëno dhe Gjurmo" do të dalin zbuluar abuzimet endër vite të tregtisë informale.

"Presim zbulime të reja nafte Kompania Shell vijon investimet, ndërsa kompania ENI nis investimet në vitin 2020 në bllokun e Dumresë.

Brenda vitit 2021 ne do të fillojmë të arkëtojmë sasi të rëndësishme në arkën e shtetit, falë zhvillimeve tejet pozitive në sektorin e naftës dekada që po nis do të sjellë një ndryshim historik për ekonominë shqiptare.

I kemi forcuar ndjeshëm kontratat në favor të shtetit dhe do të luftojmë vendosmërisht në vijimësi, për një ndarje sa më të drejtë të fitimit mes kompanive dhe shtetit, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.   

Sot këto fjalë, mund të duket si fantazi festash të fundvitit! Por jo, parashikimet realiste dhe jo ato më optimiste, flasin për një dhjetëvjeçar që do të përmbysë pozitivisht parametrat ekonomikë të Shqipërisë falë zhvillimeve të reja nga nëntoka e vendit.

Jo vetëm kaq, revolucioni digjital do të shtrihet në fushën e luftës kundër informalitetit dhe përveç fiskalizimit online të transaksioneve, viti 2020 duhet të jetë edhe preludi i një transformimi rrënjësor përmes instalimit të sistemit, "Track and Trace", "Shëno dhe Gjurmo"; ky sistem jo vetëm do t'i nxjerrë zbuluar më në fund, të gjitha marifetet 30 vjeçare në shitjen e naftës, pijeve alkoolike, kafesë, ujit, cigareve, medikamenteve por edhe do të forcojë shumëfish sigurinë ushqimore të këtij vendi", tha Rama.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vera: 01/01/2020 19:51

    TI JE BUDALLA O RAMA ,,NUK JE PER KRYEMINISTER,,I KE ZENE VENDIN NJE TJETRI.....

    Përgjigju
  • Ersi: 31/12/2019 13:28

    Mafia ka kap cdo hallke te shtetit sepse mafia eshte ne krye te shtetit.Mafia thot do zhduk mafien.Urime popullit shqiptar dhe lum ai qe e ka rrisk te iki sa me par nga ky vend.

    Përgjigju
  • Cani:: 30/12/2019 19:14

    Cani: Neqoft se behet ndoj here ai vend,vetem dora Edi Rames mund ta bej..

    Përgjigju
    • Vikingu: 30/12/2019 22:16

      Jo koka?

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës