U firmos në Vlorë, ‘Memorandumi i Bashkëpunimit’ mes gjigandit italian të industrisë detare Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia”, me synim prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman.
Prodhimi i anijeve pritet të nisë në vitin 2027, ndërsa të gjithë studentët që do të përzgjidhen nga shkolla Pavarësia do të trajnohen në Itali nga kompania Fincantieri.
“Na duhen njerëz të aftë për këtë industri. Sot nënshkruajmë një memorandum në mënyrë që të jemi sa më efektiv për bashkëpunim, se si të bashkëpunojmë edhe pas studimi, që të jemi në gjendje gatishmërie në 2027-ën. Na duhen personat që na bëjnë punën. Mendojmë të ndërtojnë 10 mjete lundruese/anije deri në 2030, me gjatësi deri në 80 metra”, tha Pierroberto Folgiero CEO i Fincantieri.
I pranishëm gjatë nënshkrimit, Kryeministri Edi Rama tha se në këtë projekt në Pashaliman do të krijohen 500 vende të reja pune.
“Janë 500 vende pune të mirë paguara, janë 500 vende pune në këtë sistem të ri që po ndërtohet. Dhe duhet pas parasysh që të gjithë ata të cilët do të përfshihen në këtë sipërmarrje nuk do të jenë thjesht njerëz që zotërojnë një zanat, por do të jenë dhe njerëz që do të do të shikohen edhe nga ana e figurës së tyre, sepse do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Misioni për të ringritur industrinë ushtarake tha Rama do të pasohen edhe me investime të tjera të mëdha, teksa njofton shtim të buxhetit për mbrojtjen me aktin normativ që do ti bëhet buxhetit këtë të martë.
“Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, shpenzimin tonë për mbrojtjen, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të gjithë ata, të cilët janë pjesë e strukturës sonë të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura, por edhe të gjithë ata, të cilët do t'i bashkohen hap pas hapi kësaj rritjeje të jashtëzakonshme të kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe të sigurisë, pjesë e të cilës është edhe rritja e industrisë ushtarake”, tha Rama.
Investimet e huaja tha kryeministri duhen mirëpritur dhe se qeveria është e angazhuar për t’i shtuar ato në shërbim të rritjes ekonomike.
“Të gjitha vendet dhe të gjitha shtetet një nga garat kryesore që kanë me njëri-tjetrin është gara e tërheqjes së Investime të huaja. Kush tërheq më shumë investime të huaja? Të gjithë. Qofshin demokraci, qofshin vend mbretëri, janë të tëra vende që luftojnë për tërhequr investimet tuaja. Pra, ideja që investimet e huaja i bie ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe të cilës i duhet qëndruar vendosmërisht me kurriz”, tha Rama.
Bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Fincantieri ka nisur që prej fillimit të vitit të kaluar, kur janë nënshkruar marrëveshjet e para. Fincantieri është ndërtuesi më i madh i anijeve në Evropë.

Me premtimin se qeveria do të bëjë çmos për rritjen e investimeve që fuqizojnë ekonominë, kryeministri Rama tha se të gjitha shtetet garojnë mes tyre për të tërhequr investimet e huaja. Ai tha se idetë që investimet e huaja janë kundër atdheut, janë “të marra.”
“Të gjitha vendet dhe shtetet, një nga garat kryesore që kanë me njëri-tjetrin, është gara e tërheqjes së investimeve të huaja, të gjithë. Ideja që investimet e huaja i bien ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe së cilës i duhet qëndruar vendossmërisht me kurriz”, tha Rama.
Kujtojmë që prej një muaji, përpara kryeministrisë zhvillohen protesta të përditshme të cilat kërkojnë shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, nisur nga kundërshtimet për resortin në Zvërnec.

Marrëveshja me Fincantieri do të gjenerojë 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit. Kryeministri Rama tha se këta profesionistë do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së vendit. Ata do të jenë të informuar për shumë gjëra, për të cilat duhet të tregohen diskretë.
“Janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, ekspertizë dhe janë të mirëpaguara. Të gjithë ata që do të përfshihen në këtë sipërmarrje nuk do të jenë thjesht njerëz që zotërojnë një zanat, por që do të shikohen edhe nga ana e figurës së tyre sepse do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Do të marrin informacion, do të dinë shumëçka ndodh këtu brenda dhe që do të duhet të mbetet po këtu brenda. Unë besoj se në Vlorë ne i kemi burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna. Fincantieri do të organizojë programin e vet të trajnimeve në burim, nxënësit e shkollës, sipas programit dhe përzgjedhje do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe do të punojnë me mjeshtrat që ka kompania”, u shpreh Rama.
Komente









500 afrikane re rinj, gëzuar Vloraaaaa.
PërgjigjuZoti Rama duhet te shkoni urgjente ne parlamente se ju kerkon Bardhi qe te jepni llogari per protestusit lereni investimin se po i bie bilbilit ne telefon Bardhi
Përgjigju