Humbën familjarët/ Emrat që përfitojnë përjetësisht 100 mijë lekë pension, Rama: Brenda 15 dhjetorit të gjithë të strehuar në hotele (VIDEO)

TIRANE-Kryeministri Edi Rama zhvilloi mëngjesin e sotëm në orën 07:00 mbledhjen e pestë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave pas tërmetit tragjik dhe shpalljes së emergjencës në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe në Laç. Në mbledhjen e sotme qeveria mori disa vendime të rëndësishme. Kreu i qeverisë zbuloi emrat e personave që do të përfitojnë një pension special pasi humbën familjarët e tyre nga tërmeti.

"Sot miratojmë dy projektvendime si fillim për një trajtim të posacëm financiar lidhur me fatkeqët më të mëdhenj në këtë histori që kanë nevojë për një ndihmë me karakter të përhershëm, për të gjithë jetën. Si rezultat tragjedisë që u ka shkatërruar familjen dhe për ata që janë në moshë të thyer dhe përvec pensionit të tyre duhet të ndihmohen me një trajtim plus sa tetëfishi i pensionit social dhe i barabartë me pensionin e posaçëm që në masën më të lartë shkon në 60 mijë lekë të reja" tha Rama. 

Lista e personave që përfitojnë nga 100 mijë lekë në muaj për të gjithë jetën;
Lindita Cara
Albert Cara
Aleks Çupi
Albert Lala
Denisa Greku
Marjana Rexhepi
Femi Vata
Pranvera Qato

Gjithashtu kryeministri theksoi se do të ketë një trajtim special plus pensionit prej 60 mijë lekë në muaj për ata që janë më të moshuarit në këto familje të shpartalluara nga tërmeti, "që duhet t'u qëndrojmë pranë jo vetëm me ndihmë financiare, por edhe morale. Mbrëmë kemi filluar sistemimin e tyre në shtëpi të reja, për të cilat familjet duhet të përfundojë brenda 15 dhjetorit maksimumi. Falenderoj Danjën që po kujdeset personalisht për sistemimin e tyre". Të gjithë qytetarët banesat e të cilëve janë shembur dhe dëmtuar nga tërmeti dhe që tani janë akomoduar nëpër hotele pas Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do të zhvendosen në apartamente me qira të cilat do të mbulohen nga shteti. Rama kërkoi kujdes të veçantë edhe për banorët në zonat rurale duke apeluar që të pajisen me çadra dhe tenda të cilësisë maksimale.

E ndërsa theksoi se njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike pas tërmetit tragjik, Rama u kërkoi të gjithë ndërtuesve në qytetin e Durrësit që sot të paraqiten dhe të marrin përsipër dhe të riparojnë të gjitha dëmet e shkaktuara tërmeti, në të kundërt, ai dje paralajmëroi burg. Ndërkohë që kërkoi shumë shpejt të hartohet raporti me të gjitha katet e shtuara mbi leje të pallateve. Gjithashtu do të rishikohet buxheti i vitit 2020, për të marrë përsipër faturën, për rindërtimin e banesave.

'Do t’u japim njerëzve garanci që godinat nuk përbëjnë rrezikshmëri dhe njëkohësisht duhet të vëmë në kryq të gjithë godinat që duhen shembur" tha në vijim ai, duke njoftuar se ditën e premte do të ketë një konferencë nga inxhinierët për të qartësuar banorët e prekur.  Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të miratojë një marrëveshje me Francën në mënyrë që në Shqipëri të themelohet dhe të ushtrojë aktivitetin Agjencia Franceze e Zhvillimit, e njohur për kapacitet financiare dhe për veprimtarinë e saj në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit, por me fokus në situatën aktuale tragjedinë pas tërmetit.

VIDEO/Mbledhja e pestë e jashtëzakonshme e qeverisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:46
Rama: Sot të gjithë ndërtuesit në Durrës të paraqiten për riparuar dëmet nga tërmeti (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u bëri një apel të fundit gjithë ndërtuesve në Durrës, që ishte një nga dy zonat më të prekura nga tërmeti, që sot të paraqiten dhe të marrin përsipër dhe të riparojnë të gjitha dëmet e shkaktuara tërmeti. "Sot brenda ditës të merret në bashkinë e Durrësit lista e ndërtuesve të pallateve të ndërtuara dhe të gjithë të njoftohen nëse nuk paraqiten që të marrin përsipër dhe të riparojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nën supervizimin e rreptë të grupeve të inspektimit. Kush do ti shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtëpërdrejtë përpara organeve të drejtësisë, do ta çojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri.

Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi banueshmërinë e saj dhe që kanë të bëjnë me abuzime të ardhura pas,  gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit. Është e vërteta e sigurt që ndërtimet e reja të bëra që nga mesi i viteve '90 dhe pas, 99% e tyre kanë qëndruar më së miri. Pjesa tjetër, shumë e vogël, në 99% të rasteve është abuzivizëm nga individë dhe jo kompani që kanë ndërtuar shto ujë dhe shto miell dhe në një për qindje të vogël nga kompani që kanë abuzuar me vetë lejen" tha Rama duke paralajmëruar për herë të fundi, pasi dje u shpreh qartë se i pret burgu.

Ora 07:46
Tërmeti/ Çuçi: Databaze online për të gjitha banesat e inspektuara (VIDEO)

Të gjitha inspektimet për dëmet e shkaktuara nga tërmeti nga dita e nesërme do të bëhen në kohë reale dhe të dhënat do të transferohen në një databaze qendror që për cdo njeri që ka akses mund të shoh sa pallate dhe banesa janë inspektuar. Gjithashtu Çuçi tha se gjithsej janë strehuar në hotele në Durrës dhe në Shëngjin 2573 persona, por disa prej tyre duhet të largohen.

"2573 në hotelet e Shëngjinit dhe Durrësit e Golemit. Po bëjmë intervistimin e të gjithë njerëzve që janë atje. Aty ka edhe persona që nuk kanë lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti, por duke i mirëkuptuar fazën e parë të shokut, duhet të shkojmë në zgjidhjen përfundimtare për ata që u janë shkatërruar prona dhe banesa. Rezultojnë 10 veta që kanë qenë të pastrehë apo kanë qenë me qira, janë 120 veta. Në fazën e parë do i kalojmë, por gradualisht duhet të hyjmë në një proces normal.

Deri tani ekipi një ekip prej 61 inxhinierësh të huaj, i kemi ndarë miks me shqiptarët dhe dje për herë të parë të huajt, 10 grupe filluan inspektimin në Lezhë. Presim një fluks tjetër që do të na vijë. Nesër me ekipin turk do të shpërndajmë një mijë IPAD, inspektimi do të jetë në kohë reale në një databaze qendror për cdo njeri që ka akses që mund të shoh sa pallate dhe banesa janë inspektuar, nesër fillojmë hedhim në këtë format të dhënat".

Ndërkohë që kryeministri kishte një kërkesë për aplikacionin. "Për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme, platforma e bashkëqeverisjes do të vendoset në dispozicion të njerëzve që kanë nevojë lidhur me banesën. Njerëzit të shpjegohen si do të bëhet inspektimi dhe kur do të vijë grupi, në aplikacion të jetë mundësia edhe për të dërguar foto. Edhe dicka, njerëzve në fshat t'u plotësohen të gjitha kërkesat për cadra, pasi ata nuk mund të ikin dot atje se atje kanë gjënë e gjallë" shtoi Rama.

Ora 07:44
Rama: Sot vendosim për buxhetin, barrë të jashtëzakonshme për tërmetin (VIDEO)

Buxheti i shtetit do të mbajë barrën më të madhe pas tërmetit tragjik. Sot, tha Rama do të ketë një takim me Anila Denajn dhe Arben Ahmetajn për të vendosur piketat për buxhetin që duhet të kalojë në parlament në 5 dhjetor në parim, por me shumë ndryshime nga ai që ishte planifikuar pak javë më parë për shkak të situatës së jashtëzakonshme dhe ndihmës për familjet në nevojë nga tërmeti.

"Sot kemi një takim me ministrinë e Financave dhe Kryetarin e Komitetit të Rindërtimit për të parë si do të riorganizojmë buxhetin, pasi duhet të miratohet në parlament në datën 5 dhe duhet të ketë brenda edhe atë fokusin tek fatkeqët dhe rindërtimin.

Buxheti ka një barrë të jashtëzakonshme për të mbajtur të gjitha nevojat, sepse jeta normale do të kthehet dhe dielli do të dalë prapë dhe asgjë nga ato që bëhen nuk mund t'u privohet njerëzve. Idetë janë të mira dhe skema që po formësohet është fituese, buxhet-donatorë dhe kontributet e njerëzve që janë të papërfillshme në raport me të tërën, por janë të nevojshme" tha Rama.

Ora 07:31
Rama: Pas Vitit të Ri të gjithë të prekurit nga hotelet në apartamente (VIDEO)

Pas Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri të gjitha familjet e prekura nga tërmeti dhe banesat janë bërë të pabanueshme do të kalojnë në apartamente me qira. "Kam një merak për ata që janë në zonat rurale për nevojën për t'u garantuar cilësi maksiamle. Duhet të fillojë identifikimi i apartamenteve që shteti do të marrë me qira, ku do të qëndrojnë deri kur të bëhet rindërtimi, që do të zgjasë, nuk bëhet sa hap dhe mbyll sytë.

Pasi të kalojën Krishtlindjet edhe Vitin e ri në hotele si njerëz dhe në Janar të kalojnë në apartamente që të ketë minumimin jetik, jo të shtrihen përtokë në cimento, por me pajisjet e nevojshme, me dyshekë. Mendoj që brenda 2020 duhet të jenë të gjithë të sistemuar, masa e madhe që i kanë banesat e dëmtuara që mund të riparohen, ndërkohë që ata që do të rindërtohen totalisht, do të jetojnë në kushte normale deri kur të kthehen në shtëpitë e tyre, ku do të bëhen të reja ose diku tjetër" tha ai.

Ora 07:30
Rama: Raport për të gjitha katet e shtuara mbi leje të pallateve (VIDEO)

Thuajse të gjitha godinat që u rrafshuan nga tërmeti ishin ndërtuar në mënyrë abuzive. Për këtë shkak, Edi Rama kërkoi sot që qeveria në bashkëpunim me bashkitë të përgatisë një raport për katet e shtuara pa leje për cdo pallat. "Kam kërkuar edhe një raport të cilin duhet ta përgatisim me pushtetin vendor për katet e shtuara mbi leje. Janë një sërë katesh të shtuara mbi leje që duhet të regjistrohen dhe me të cilat duhet të ndërmarrim një nisëm të vecantë më pas" tha ai.

Ora 07:29
Ndërtimet abuzive, Rama: Njësia speciale kundër korrupsionit po identifikon përgjegjësit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama njoftoi se njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike pas tërmetit tragjik. Ai tha se të gjithë ata që janë shkelur ligjin duke abuzuar me ndërtimet do të përgjigjen para ligjit.

"Jemi duke punuar edhe për kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim. Ndërkohë që njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike, por dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe që sot hyjnë te godinat e dëmtuara, por jo të rrezikshme, që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t'i paguar vetë godinat një për një riparimet.

Nga ato sipërfaqësore te dëmet materiale që u kanë shkaktuar njerëzve. Shumë shpejt do të jetë vonë për ta, kush do i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejt përpara drejtësisë dhe do ta cojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri. Bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndureshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi dhe që kanë të bëjnë me abuzime dhe të ardhura gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit. E vërteta e sigurt që ndërtimet e reja nga mesi i viteve 90 dhe më pas kanë qëndruar" tha ai.

Ora 07:26
Presidenti mbledh Këshillin e Sigurisë, Rama konfirmon praninë: Na ka thirr Meta (VIDEO)

"Mos vonohemi se kemi edhe një takim më pas me kërkesë të zotit Ilir Meta. Ata që janë pjesë e Këshillit të Sigurisë në 08:30 duhet të jenë në atë mbledhje, të tjerët në frontin e luftimit të kësaj fatkeqësie" tha Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ora 07:19
‘Në kryq gjithë godinat që duhen shembur’/ Rama: Të premten inxhinierët shpjegim ku duhet të ketë kujdes (VIDEO)

Ditën e premte do të organizohet një konferencë publike ku inxhinierët dh ekspertët do të paraqesin për publikun informacion dhe raste konkrete, se nga cfarë duhet të kihet shqetësim dhe nga cfarë jo për banesat e dëmtuara. "Edhe e treta në kuadrin e shpërndarjes së ndihmave kemi goxha gatishmëri dhe solidaritet në shumë vende. Në të gjitha kontaktet që kam pasur edhe dje nga grupet e ekspertëve inxhinierë, mbresat nga skuadrat tona janë jashtëzakonisht pozitive.

Grupet e terrenit vijojnë punën, të tjera erdhën dje dhe të tjera pritet që të vijnë për t'u dhënë njerëzve garanci për shumicën dërrumuese të rasteve. Kemi nisur përgatitjet për një konferencë publike ditën e premte. Do t’u japim njerëzve garanci që godinat nuk përbëjnë rrezikshmëri dhe njëkohësisht duhet të vëmë në kryq të gjithë godinat që duhen shembur. 

Dua ta dëgjojnë të gjithë njerëzit që duan informacion të sigurt dhe të vërtetë dhe ajo ata të kanaleve mediatike që vijnë me prurje toksike. Ditën e premte përfaqësues të grupeve të ekspertimit të godinave do të paraqesin për publikun informacion dhe raste konkrete, tipologji për të shpjeguar se nga cfarë duhet të kihet shqetësim dhe nga cfarë jo. Mediat të adresojnë pyetjet te këto grupe në terren, ti kërkojnë dhe ti pyesin". 

Ora 07:15
Gati marrëveshja me Agjencia Franceze të Zhvillimit, Rama: Macron do të investojë në Shqipëri (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të miratojë një marrëveshje me Francën në mënyrë që në Shqipëri të themelohet dhe të ushtrojë aktivitetin Agjencia Franceze e Zhvillimit, e njohur për kapacitet financiare dhe për veprimtarinë e saj në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit, por me fokus në situatën aktuale tragjedinë pas tërmetit.

"Kemi kërkuar nga Franca një ndryshim dhe për këtë arsye duhet të miratojmë sot në parim një marrëveshje që qeveria e Shqipërisë mund të firmosë me Francën në mënyrë që në Shqipëri të themelohet dhe të ushtrojë aktivitetin Agjencia Franceze e Zhvillimit, e njohur për kapacitet financiare dhe për veprimtarinë e saj në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit. Presidenti i Francës është i angazhuar personalisht për t'i dhënë një shtysë të fortë në funksion të rritjes së bashkëpunimit në kuadër të programit për investim, tani me fokus emergjent situatën post katastrofë.

Natyrisht që kjo shkon përtej kësaj situate, por të gjitha këto mjete, që deri kur të jenë shëruar plagët e mëdha do të adresohen në këtë drejtim. Është konfirmuar edhe një adresim i imi në konferencën e rajonit lindor, që Presidenti i Turqisë ka adresuar duke kërkuar solidaritet maksimal edhe nga sipërmarrja e pranishme në atë konferencë që zhvillohet cdo vit, por që do të ketë një sesion të vecantë për tërmetin në Shqipëri" tha Rama.

Ora 07:15
Rama: Arsimi dhe Shëndetësia do u kërkojnë ndihmë homologëve europianë (VIDEO)

Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë do u kërkojnë ndihmë homologëve europianë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në sektorët përkatës, të institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.

"Ministria e Arsimit do t'u drejtohej homologëve europianë me një informacion të përmbledhur mbi goditjet që tërmeti ka dhënë në infrastrukturën shkollore dhe nivelin psikologjik dhe me një kërkesë të përulur për ndihmë.

E njëjta gjë me ministritë e shëndetësisë, disa prej vendeve janë shprehur të interesuar të dinë cfarë ka dëmtuar tërmeti në infrastrukturën e shëndetësisë. Nuk janë serioze, por janë disa" tha Rama.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Trala zura nje gale: 02/12/2019 09:36

    I pari qe ďuhet te shkoje jo ne burg por ne litar eshte Vangjush Dako shkaktari kryesor i shkaterrimeve ne Durres qe plazhin me te madh ne vend dhe nje nga me te medhenjte ne rajon e shkaterroi.

    Përgjigju
    • ARIU: 02/12/2019 13:17

      Po keta Vangjush Dako jane te gjithe. Ti lutemi Zotit mos na dhent më të tilla katastrofa thuaj.

  • Lexues: 02/12/2019 09:23

    Duhen kaq viktima qe te vendosni ligjin???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sherr me sende të forta mes të rinjve në Tiranë, dhunohet djali i oficerit të Krimeve të Rënda

Sherr me sende të forta mes të rinjve në Tiranë, dhunohet djali i oficerit të Krimeve të Rënda