/ATSH-Z.Tosku/- Raporti rajonal kërkimor me pjesëmarrjen e të rinjve romë dhe jo romë thekson se të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë janë të përjashtuar nga shoqëria dhe të diskriminuar në nivel individual, institucional dhe shoqëror.

Ky raport kërkimor u prezantua sot në aktivitetin përmbyllës të projektit rajonal "Të rinjtë romë në veprim" i organizuar nga "Save the Children".

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të ndërgjegjësimit e fuqizimit të të rinjve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo sociale, me aftësi praktike dhe të përshtatshme për tregun e punës dhe përmirësim të jetës së tyre.

Në takim morën pjesë Henry Jardine, Zv. Shef i Misionit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Zv. Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Bardhylka Kospiri, Drejtoresha e "Save the Children" në Shqipëri Anila Meço, si dhe përfaqësues të misioneve të USAID, BE, UN, UNICEF .

Analiza e përjashtimit social u bazua në përkufizimin e Komisionit Evropian për përjashtimin social, kur njerëzit pengohen nga pjesëmarrja e plotë në jetën ekonomike sociale dhe civile. Në situata të tilla njerëzit nuk janë në gjendje të kërkojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore.

Sakaq, komuniteti rom përballet me varfëri ekstreme, diskriminim social dhe ekonomik; veçanërisht lidhur me arsimimin, mbrojtjen, kujdesin shëndetësor, punësimin dhe strehimin.

Raporti rajonal i kërkimit rekomandoi që të rinjtë romë duhet të inkurajohen me politika mbështetëse në nivel lokal dhe qendror, të cilat nxisin shkollimin e përgjithshëm.
Projekti rajonal "Të rinjtë romë në veprim" u zbatua në 10 komunitete në tre vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes qasjeve inovative, projekti LYRA iu mundësoi 60 liderëve të rinjë rom dhe jo-rom, zhvillimin e kapaciteteve për komunitetet rome.

Në raport u theksua se fuqizimi i të rinjve përbën potencial për angazhim të mëtejshëm të të rinjve romë në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.