Raporti/47 bashki fshehin
vendimet, ja problematiket

Raporti/47 bashki fshehin<br />vendimet, ja problematiket
Bilanc i zi sa i takon transparencës së veprimtarisë së pushtetit vendor. 57 bashki nga 61 të tilla, nuk janë transparente për qytetarët dhe mediat, duke sfiduar hapur Kushtetutën dhe ligjin nr. 119/2014, për të drejtën e informimit. Ndërkaq, 47 bashki fshehin vendimet dhe aktet me impakt në jetën e qytetarëve. Nga 61 bashki, vetëm 9 prej tyre kanë adaptuar programin e transparencës në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit. Këto janë disa nga gjetjet në raportin e INFOÇIP, mbi monitorimin e pushtetit vendor në Shqipëri. Gjetjet u prezantuan pikërisht në 3 Maji, në Ditën Botërore të Shtypit të Lirë.

“Nga vlerësimi i realizuar nga INFOÇIP, rezultoi se nga 61 bashki të krijuara nga reforma, vetëm 24 prej tyre kanë faqe zyrtare interneti. Një vit pas skadimit të afatit që caktonte ligji 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”, vetëm 9 bashki kanë adoptuar Programet e Transparencës. Nga vlerësimi rezultoi se vetëm 6 bashki kanë tashmë të publikuar një regjistër të tillë, konkretisht Himara, Kavaja, Lezha, Vlora, Vora dhe Shkodra. Ligji 119/2014 i cakton bashkive detyrimin për caktimin e koordinatorëve të Informimit. Nga të dhënat, rezultoi se deri në 30 prill 2016 janë caktuar në këtë funksion 41 persona. Ende 20 bashki nuk e kanë përmbushur akoma detyrimin ligjor”, thuhet në raport.

Konstatimi
Sipas raportit të monitorimit, ligji i ri “Për të Drejtën e Informimit” nuk gjeti zbatim të menjëhershëm në nivel të qeverisjes vendore për shkak të reformës administrative. Ai ishte i kondicionuar objektivisht të fillonte pas bërjes efektive të ndarjes së re admisnitrativo-territoriale, praktikisht pas zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015. Konstituimi i organeve të reja vendore përfundoi në Korrik-Shtator 2015, ose rreth një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për të Drejtën e Informimit”. Me konstituimin e organeve drejtuese në bashki, rifilloi edhe ecja e afateve për caktimin e koordinatorëve të të drejtës së informimit dhe adoptimin e programeve institucionale të transparencës.

Besnik Dervishi
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, gjatë fjalës së tij, renditi disa arsye se pse shumica e njësive vendore sfidojnë ligjin për të drejtën e informimit. Ai tha se administrata e disa bashkive është e paaftë profesionalisht për të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar. Një tjetër arsye sipas Dervishit ka të bëjë me mosnjohjen e ligjit të ri dhe detyrimet që burojnë prej tij. Por, arsye kryesore sipas Dervishit është mungesa e dëshirë dhe vullnetit për të dhënë informacionin. “Ka bashki që nuk duan ta japin informacionin. Nga 61 bashki, vetëm katër rezultojnë të jenë transparente. Bashkitë dhe këshillat bashkiake, si autoritete publike, kanë sfiduar ligjin. Ligji për të drejtën e informimit ndriçon anët e errëta të administratës. Është një nga ligjet më të mira në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Dervishi.

Detyrimet ligjore
Sipas pikës 1 të nenit 4 të ligjit të ri, autoriteti publik, jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit ose nga krijimi i tij, vë në zbatim një program institucional të transparencës, ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni. Sipas nenit 8, autoriteti publik krijon, mban dhe bën publik një regjistër të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre. Ky regjistër përditësohet çdo 3 muaj dhe publikohet në faqen e internetit të autoritetit publik. Neni 10 parashikon që me qëllim bashkërendimin e punës për garantimin e së drejtës së informimit, autoriteti publik cakton një prej nëpunësve si koordinator për të drejtën e informimit. Shumica e bashkive nuk kanë përmbushur asnjërën pikë. 

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Kievi lëshon ‘shi’ dronësh ndaj Moskës! Forcat ruse bombardojnë një depo municioni në Ukrainë

Lufta/ Kievi lëshon ‘shi’ dronësh ndaj Moskës! Forcat ruse bombardojnë një depo municioni në Ukrainë