9 nga 10 studentë pranojnë se korrupsioni është i pranishëm në universitetet publike, ndërsa 7% e studentëve thonë se të paktën një herë u është kërkuar seks në këmbim të notës.

Të dhënat e publikuara në raportin e “Qëndresës Qytetare” u bazuan në anketimin e 750 studentëve nga tetë universitetet kryesore publike në vend.

“Forma dominuese mbetet ryshfeti i drejtpërdrejtë, ose pagesa në këmbim të notës, e pohuar nga 46.6% e të anketuarve, detyrimi për blerjen e librave të pedagogëve i pohuar nga 22.6% dhe skema të tjera përfitimi. 7 për qind e të anketuarve thanë se u ishin kërkuar favore seksuale në këmbim të notës”, thotë Kolindo Vjerdha.

Me shqetësim shihet fakti se 8 ish-gjyqtarë dhe prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë për shkak të procesit të Vetingut apo shmangies ndaj tij, janë rikthyer në jetën akademike si pedagogëuniversitete publike dhe private.

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit nënvizoi se duhet më shumë ndërgjegjësim, duke theksuar se në një pjesë të rasteve janë vetë studentët që nxisin praktikat korruptive.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e SPAK tha se duhet rritur numri i denoncimeve për të luftuar korrupsionin në universitete. Pavarësisht përhapjes së fenomenit, raportimi mbetet tepër i ulët: 43.87% e studentëve deklarojnë se rastet nuk denoncohen, ndërsa 27.47% shprehin hapur frikën për të raportuar.

Në 4 vitet e fundit janë akuzuar për korrupsion nga organet e hetimit penal 50 pedagogë dhe punonjës universitetesh, kryesisht në universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Bujqësorit.