Hetimi ndaj Belinda Ballukut ka ekspozuar SPAK-un, ndaj sulmeve politike, evidenton Komisioni Evropian në raportin për 2026 për shtetin e së drejtës.

“Pezullimi i një zyrtari të nivelit të lartë nga detyra i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut, në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për të hequr imunitetin parlamentar të zyrtarit të lartpërmendur, shkaktoi reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Institucionet e gjyqësorit lëshuan deklarata publike, duke denoncuar presionin politik mbi gjyqësorin.”

Dokumenti, i cili është miratuar pa ndryshime të rëndësishme nga drafti që Report Tv ka raportuar më herët, thekson se edhe votimi i parlamentit kundër dhënies së autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit të pushteteve.

“Në mars 2026, Parlamenti hodhi poshtë një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një Anëtari të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.”

Nga ana tjetër, raporti përmend edhe nismën e Kryeministrit Edi Rama, Ulsi Manjës e Taulant Ballës për një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që synojnë zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga funksionet e tyre, si masë paraprake gjatë hetimit, nismë që ka mbetur në sirtarët e Kuvendit.

Për Komisionin Europian, këto ndryshime ligjore “ngritën shqetësime se ato mund të pengonin efektivitetin e hetimeve penale, duke përfshirë hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë.”

Në raportin e shtetit ligjor për 2026 vlerësohet puna e SPAK, duke thënë se po dëshmon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit teksa përmend shifrat e larta të hetimit të zyrtarëve publikë.

Raporti përmend edhe kërcënimet fizike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, teksa 8 magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, konkretisht: dy gjyqtarë e gjashtë prokurorë.

Duke sjellë rastin e vrasjes së gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit, raporti thotë se po bëhen përpjekje për të rritur sigurinë në gjykata, por ende ka punë për t’u bërë.

Ndërsa u ndalur tek klima politike, Komisioni Europian thekson se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e punës parlamentare, duke evidentuar se opozita thirri edhe disa protesta të dhunshme.

Lexo raportin e plotë