Gjatë qëndrimit të tij në qelitë e burgut 313 në Tiranë, Ilir Meta, figura më e lartë shtetërore në historinë e vendit e arrestuar nga SPAK, ka kryer mijëra telefonata e qindra takime.

Megjithatë, ai është ankuar tek Avokati i Popullit për trajtim çnjerëzor në burg. Inspektimi dhe raporti i nxjerrë nga Avokati i Popullit, tregon disa të dhëna interesante.

“Për sa i takon numrit të telefonatave, për periudhën 26 Tetor 2024 deri më 18 gusht 2025, Z. Ilir Metaj rezulton se ka kryer 3005 telefonata, me kohëzgjatje që varion nga minimumi 1 minutë deri në maksimumi 34 minuta. Sipas informacionit të dhënë nga IEVP “Jordan Misja”, për periudhën tetor 2024 – 14 tetor 2025, Z. Ilir Metaj ka realizuar: 118 takime me përfaqësuesin ligjor; 3 takime me noter; 49 takime me familjarët; 2 takime me persona jashtë rrethit familjar, në total 172 takime, ose 14 takime në muaj”.

Problemet e Ilir Metës nisën mbrëmjen e 9 qershorit të këtij vitit, ku, sipas raportit, ai  ka shfrytëzuar kontrollin mjekësor në infermieri për të kryer një telefonatë me Tedi Blushin dhe përmes tij ka folur drejtpërdrejt me një studio televizive.

Për këto, Meta u ndëshkua duke mos i lejuar më takimet me z. Blushi dhe duke e përjashtuar nga aktivitetet sportive. Këto masa vijojnë të jenë në fuqi, pasi burgjet dyshojnë se Meta ka tendencë për të përsëritur përdorimin e telefonatës me Blushin, për të komunikuar me median.

Pas marrjes së ankesës institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer hetim administrativ duke bërë disa konstatime kritikuese ndaj administratës së burgjeve.

“Kufizimi i takimeve të të burgosurve në vetëm 4 takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale të të burgosurve (p.sh. distanca e familjes, nevoja sociale, statusi shoqëror dhe publik, probleme shëndetësore, apo mungesa e kontakteve të tjera), përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të drejtës për t'u organizuar.  Ndalimi i vizitave konfidenciale të të paraburgosurve me Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Eurodeputetë, duke kërkuar miratimin paraprak të prokurorit, vjen në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj.  Janë vendosur pengesa të pambështetura në ligj për komunikimin e të burgosurve me median”,-thuhet në raport.

Avokati i Popullit, në raportin drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për të lehtësuar gjendjen e të paraburgosurit Ilir Meta, i cili u arrestua tetorin e vitit 2024, i dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Rekomandimet:
1.Të rishqyqrtohet menjëherë masa e kufizimit të komunikimeve telefonike dhe takimeve ndaj Z. Ilir Metaj.
2. Shuarjen e menjëhershëm të “masës së përkohshme” për ndalimin e komunikimit të Z. Ilir Metaj me Z. Tedi Blushi.
4. Të garantohet e drejta që të burgosurit të kryejnë më shumë se 4 (katër) vizita në muaj, kur kjo varet nga kapacitetet e IEVP, veçanërisht në rastet kur të burgosurit kanë nevojë të veçantë familjare, publike ose sociale.
5. Zbatimin me korrektësi të Ligjit nr. 81/2020, për të siguruar që deputetët të kryejnë vizita në IEVP dhe takime konfidenciale me të paraburgosurin, pa miratimin e prokurorit.
6. Të sigurohet që bisedat telefonike të të burgosurve të kufizohen vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
7. Marrjen e masave për të mos vendosur pengesa jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me telefon me median, ku nuk kërkohet miratimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe i prokurorit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:09
Raporti i Avokatit të Popullit për Metën/ Deputetja Xhixho: Gjetjet janë tronditëse

1763047013_xhxixho.JPG

Një raport i Avokatit të Popullit ka gjetur shkelje në trajtimin e Ilir Metës në burg, dhe kërkojn nga Drejtoria e Burgjeve reflektim të menjëhershëm. Raporti evidenton më shumë se 3000 telefonata të bëra nga Meta dhe mbi 170 takime nga qelia.

Deputetja Erisa Xhixho thotë se raporti tregon shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës së trajtimit të Metës.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos: 

Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti per shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në "Jordan Misja", ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.

I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë.

Gjetjet kryesore të raportit janë tronditëse:

Avokati i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj si minimumi i parashikuar në ligj duke e kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik, përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për t’u organizuar politikisht.

Ndalimi i padrejtë i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, duke kërkuar autorizime që ligji nuk i parashikon – një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e standardeve ndërkombëtare.

Parashikimi në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, shpreh qartë faktin se deputetët mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.

Kufizimi i komunikimit politik dhe pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë, pa asnjë bazë ligjore por vetëm zbatim i urdhrit politik të Edi Ramës.

Ndërhyrja dhe bllokimi i komunikimit me median, një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe transparencës.

Raporti i Avokatit të Popullit thote qartë se të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave, edhe për shkak  të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Të gjitha këto janë praktikë e një shteti represiv, që përdor burgjet dhe institucionet e drejtësisë si instrument politik për të ndërtuar një regjim arbitrar dhe policor.

Këto janë faktet që dëshmojnë për një sistem që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe vepron mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo mbi bazën e ligjit.