/ ATSH - Në ambientet e  Ministrisë së Kulturës u zhvillua dje konkursi "Parku i Artit". Nisma e Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arkitekturës realizuar edhe me bashkëpunimin e  Universitetit Politeknik të Tiranës, Universitetit POLIS dhe Universitetit EPOKA, nisur që në muajin janar 2015, përfundoi sot me prezantimin e projekteve në këtë konkurs për përshtatjen e territorit të ish-Kinostudios në "Kopshtin e Artit".
Gjatë fjalës së rastit,  ministrja Kumbaro pasi përgëzoi studentët për punët dhe idetë e guximshme të realizuara nga ata,  theksoi se  "Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi, që do të sjellë më shumë pjesëmarrje dhe projekte në të ardhmen".
Më pas, juria e përbërë nga vetë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me cilësinë e kryetares dhe anëtarëve si Arta Dollani, Adelina Greca, Artan Shabani, Drejtor i GKA dhe Joli Mitrojorgji,arkitekte, shqyrtoi katër projekte nga UPT, dy projekte nga POLIS dhe dy projekte nga EPOKA.
Projekti i vlrësuar me çmimin e dytë
Pasi e cilësuan si "një garë jo të lehtë, brenda vetë universiteteve, por edhe jashtë tyre" juria dha edhe vlerësimin dhe motivacionet për  tre projektet fituese.
"Ky park nuk është një park" ishte dhe projekti i cili u vlerësua me çmimin e parë, projekt ky i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT, realizuar nga sudentët Anisa Pere, Arbër Habilaj, Erli Pinari, Genti Shtëmbari, Gladiola Balliu, Malvina Ferra dhe Orest Dhimitri.
"Ky projekt trajton konceptin landscape dhe respekton strukturat ekzistuese, duke bërë një ndarje funksionale krijon hapësira që mund të përshtaten në bazë të funksioneve të ndryshme (art, film, ekspozita). Në këtë mënyrë krijohet një fabrikë gjendjesh, ku aktorët kryesorë janë artistët dhe publiku" ishte motivacioni që shoqëronte preojektin që fitoi vendin e parë.
"Conective Layer" ishte titulli i punës që fitoi vendin e dytë, projekti i  Universitetit Polis, realizuar nga studentët  Argita Përpunja, Bora Stafa, Megi Ylli dhe Sadmira Malaj.
Projekti i vlerësur me çmimin e tretë
Ndërkohë që i treti u rendit "Dejal-Vu", projekti i Universitetit Epoka, realizuar nga studentët  D.Duri, E. Ceka, E. Mërkuri, E.Selko, G.Kolukaj, I.Malltezi, M.Maloku, N. Cabrati, R.Tafa, R. Belba, R.Brecani dhe T.Maliqi.
Sakaq, ministria ka sqaruar edhe një herë se qëllimi i projekt-konkursit "Parku i Artit" është krijimi i një hapësire ekspozimi të përkohshëm dhe të përhershëm për veprat e artistëve të rinj e më gjerë.
Projektuesit gjatë konkursit kanë prezantuar projekte duke ndërthurur frymën bashkëkohore të artit dhe formulimin e hapësirave gjatë procesit të projektimit.
Ky projekt, realizohet nga Ministria e Kulturës, i bërë me dije që në muajin janar nga Ministrja Kumbaro, e cila është shprehur se "një nga platformat kulturore të MK-së, është kthimi i territoreve të brendshme në një park për art dhe medium,  për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet".
/k.m//m.m/