Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka ndezur edhe më shumë entuziazmin e tifozëve me deklaratat e tij të fundit, duke zbuluar një pjesë të planeve ambicioze për sezonin e ardhshëm.

Perez bëri të ditur se, sapo të sigurojë fitoren në zgjedhjet presidenciale të klubit, do të nisë menjëherë prezantimi i përforcimeve të reja, duke filluar nga emërimi i trajnerit Jose Mourinho. Krahas teknikut portugez, ai konfirmoi edhe afrimet e Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries.

Megjithatë, surpriza më e madhe mund të jetë një transferim rekord në historinë e klubit madrilen. Sipas Perezit, Real Madridi po përgatit një ofertë prej të paktën 150 milionë eurosh për një sulmues të nivelit më të lartë evropian.

“Mund të flas për tre blerje të sigurta, Mourinho, Konate dhe Dumfris. Të martën do të bëj një ofertë të rëndësishme drejt një ekip të madh që luan në Champions League, për një futbollist të madh. Do të ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit, të paktën 150 milionë euro. Nuk bëhet fjalë për Olise. Ai është një lojtar ofensiv, që vepron nga mesfusha e më përpara. Një lojtar i nivelit të Cristiano Ronaldos”, deklaroi Perez.

Numri një i klubit madrilen përjashtoi disa prej emrave më të përfolur në tregun e transferimeve, duke theksuar se objektivi nuk është as Jeremy Doku, as Erling Haaland dhe as Harry Kane. Ai shtoi se bëhet fjalë për një lojtar sulmues që nuk aktivizohet në Premier League dhe që, sipas tij, ka nivelin e Cristiano Ronaldos.