Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar faktorin shqiptar në Maqedoni në lidhje me referendumin që do të zhvillohet më 30 shtator, ku pritet të votohet për emrin e ri të Maqedoni.

Basha iu ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni të dalin dhe të votojnë masivisht më 30 shtator, pasi sipas kryedemokratit, kjo votë është kyçe për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Partia Demokratike ka një porosi apo një këshillë, një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për bashkëkombasit tanë shqiptarë, të dalin masivisht e të marrin pjesë masivisht të gjithë në referendumin e 30 shtatorit dhe të hedhin votën e tyre për Maqedoninë në NATO dhe për të ardhmen e sigurtë euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë dhe mbarë rajonit”, ka thënë kreu i PD.

Qytetarët maqedonasë pritet t’iu drejtohet kutive të votimit më 30 shtator, ku do jepet verdikti final për një votë pro ose kundra emrit të ri me Greqinë.