Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar të martën për reformën e re territoriale, duke kundërshtuar çdo mundësi që Bashkia e Fushë-Arrëzit të preket nga ndryshimet e rekomanduara nga socialistët. Në një postim në rrjete sociale,Meta pretendon se propozimi për shkrirjen e Fushë-Arrëzit nuk lidhet me riorganizimin territorial, por me goditjen e një bashkie që, sipas tij, ka pasur sukses në administrim nën drejtimin e kryetarit Hil Curri.
Meta shprehet se Fushë-Arrëzi është një bashki me potencial të madh zhvillimi dhe pretendon se prekja e saj synon shpopullimin e zonës për t'u hapur rrugë, sipas tij, "grabitqarëve të 'Paketës së Maleve'". Ai vlerëson punën e administratës vendore dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon ta godasë këtë bashki, ndërsa thekson se Fushë-Arrëzi meriton mbështetje dhe nuk duhet të shkrihet. Ndërkohë, banorët e Fushë-Arrëzit kanë protestuar kundër propozimit socialist për reformën territoriale, që parashikon bashkimin e bashkisë me Pukën.
Deklarata e plotë e Ilir Metës
"Bashkia e Fushë-Arrëzit është ndër bashkitë me resurse të gjithanshme për zhvillim, me performancën më të lartë ndër 9 bashkitë e para dhe që kontribuon me mbi 200 milion euro në vit për GDP-në.
Me bukuri natyore të jashtëzakonshme, fatmirësisht me masive pyjesh me shumë mundësi për turizmin malor, goditja ndaj Fushë-Arrëzit synon shpopullimin e kësaj treve për të krijuar vakumin që do të plotësohet nga grabitqarët e "Paketës së Maleve". Ky sulm është edhe kundër suksesit të jashtëzakonshëm në menaxhimin e kësaj bashkie nën drejtimin e opozitës, në veçanti të Kryetarit, z. Hil Curri dhe punonjësve të përkushtuar të administratës. Z. Mazniku, që nuk ka qenë asnjëherë në Fushë-Arrëz, as për të takuar këshilltarët e PS dhe jo më qytetarët, i sugjeroj që të çojë në Fushë-Arrëz punonjësit e administrave të bashkive që i ka marrë "Rilindja" për t'i trajnuar të punojnë si administrata e shkëlqyer e Fushë-Arrëzit që për shërbime, përkushtim, sjellje, transparencë e llogaridhënie mund të krahasohet vetëm me bashkitë e vendeve skandinave. Falë këtyre aftësive menaxhuese të Kryetarit Curri dhe të kësaj administrate, të politikave dhe projekteve për nxitjen e investimeve, por edhe të mbështetjes së diasporës, ka nisur popullimi i kësaj treve. Pikërisht prandaj Edi Rama kërkon ta godasë, sepse axhenda e tij është shpopullim e shkombëtarizim. Edhe në respekt të vuajtjeve të shumë intelektualëve të dënuar dhe të internuar politikë, Bashkia e Fushë-Arrëzit meriton vetëm mbështetje, por kurrë të shkrihet" shkruan Meta.










Komente
Komento