Reforma territoriale, Meta:
Presim bashkëpunim nga PD

Reforma territoriale, Meta:<br />Presim bashkëpunim nga PD
TIRANE- Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka vlerësuar ftesën që kryeministri Rama i ka bërë kreut të PD për t’u takuar për të biseduar për reformën territoriale, dhe për të garantuar konsensus të plotë. Gjatë një konference për shtyp, Meta tha se ky takim duhet të realizohet sa më shpejt në mënyrë që produkti konsensual të realizohet në kohën e duhur. Kreu i Kuvendit, theksoi rëndësinë e realizimit të reformës administrative-territoriale, duke u shprehur se me realizimin e saj pushteti vendor bëhet edhe më efikas në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore.
 
“Për reformën territoriale tha se është në interes të vendit, dhe gjithë qytetarëve tanë që presin një pushtet vendor me efikas, dhe që ofron shërbime më cilësore. Dhe është në gjendje të zbatojë strategjitë e duhura vendore.
Shpresoj dhe do të uroja qe ky takim të realizohet sa më shpjet, në mënyrë që edhe më pas me partnerët ndërkombëtare që mbështesin këtë produkt, të kemi një produkt konsensual në kohën e duhur. Duhet një pushtet vendor i paorganizuar që i përgjigjet më mirë nevojave që ata janë në mënyrë të vazhdueshme. Nuk do të ishte produktive dhe as normale, që konsensusi tashmë i garantuar nga ana e mazhorancës për barazi të plotë të këtij Komisioni të veçantë që përbëhet nga 8 anëtarë të mazhorancës, 8 të opozitës dhe dy kryetarë
Nuk duam që kjo reformë të kushtëzohet nga qëndrime të tjera politike që kanë të bëjnë edhe me dallimet e tjera politike.
Duhet të tregojmë vullnet dhe bashkëpunim, pasi kjo reformë është e domosdoshme për të modernizuar vendin dhe për ta përafruar me standardet europian”, tha Meta.
 
Lidhur me debatin për SHISH, Meta tha se nuk dëshiron të bëhet pjesë, duke i kërkuar ndërkaq aktorëve institucionale të veprojnë në mënyrë sa më të përmbajtur.
 
“Sa i takon SHISH unë nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë e këtij debati publik. Në bindjen time protagonizmi i tepruar në këtë çështje, nuk i shërben qëllimit të përbashkët të gjithë aktorëve publikë, për të rritur interesin e punës së këtij shërbimi për të rritur sigurinë e vendit.
Inkurajoj të gjithë aktorët të sillën në mënyrë sa më të përmbajtur dhe institucionale kur bëhet fjalë për një çështje të tillë”, u shpreh Meta.
 
I pyetur nga gazetarja e Tv “A1 Report” lidhur me replikat dhe debatet mes ish-kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Rama në seancën e djeshme në Kuvend, Meta tha se opozita po ndjek një qasje jo konstruktive prej disa javësh.
 
“Shpreh keqardhjen time që prej disa javësh opozita po ndjek një qasje jo konstruktive, jo vetëm që nuk është në interes të mbarëvajtjes së kuvendit, por nuk është as në interes të opozitës, si një forcë e rëndësishme për demokracinë parlamentare. Ka një interes të vazhdueshëm në emër të demokracisë për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit. Jashtë rendit të ditës ka një kohë të kufizuar që deputetet të shprehin pikëpamjet e tyre. Por asnjë deputet i opozitës nuk regjistrohet për të diskutuar jashtë rendit të ditës, por kërkojnë me insistim të ndërhyjnë jashtë rendit të ditës. Askush nuk i ka mohuar opozitës sonë të drejtën të shprehet. Por kjo qasje e gabuar po e fut në një qorrsokak ecurinë në kuvend, dhe sjell tensione të panevojshëm”, tha Meta.


KONFERENCA PER SHTYP (E PLOTE)

"Dua të vlerësoj ftesën që Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama i ka bërë kryetarit të opozitës dhe të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha për t’u takuar dhe për të diskutuar lidhur me përmbushjen e një prej reformave më madhore prej së cilës vendi dhe qytetarët presin prej gati dy dekadash, siç është ajo që ka të bëjë me reformën administrative dhe territoriale. Jam i bindur se kjo është një reformë në interes të vendit, është një reformë në interes të të gjithë qytetarëve tanë, që presin një pushtet vendor më efikas, më pranë tyre, që ofron shërbime më cilësore, i cili njëkohësisht është në gjendje dhe ka kapacitetet për të realizuar planifikime të karakterit strategjik për zhvillimin e njësive tona vendore. Prandaj shpresoj dhe do të uroja që ky takim të realizohet sa më shpejt dhe të jetë produktiv në mënyrë që komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrative dhe territoriale të vihet plotësisht në punë. Në mënyrë që të arrijmë së bashku edhe me partnerët ndërkombëtarë që po e mbështesin këtë reformë, që shumë shpejt të kemi një produkt konsensual në kohën e duhur, në mënyrë që qytetarët tanë në zgjedhjet e ardhshme vendore të kenë mundësinë të votojnë për një pushtet vendor të riorganizuar, që u përgjigjet shumë më mirë dhe shumë më cilësisht nevojave dhe kërkesave që ata kanë në mënyrë të vazhdueshme.

Nuk do të ishte as produktive dhe as normale që konsensusi tashmë i garantuar edhe publikisht, por edhe institucionalisht nga ana e mazhorancës përmes barazisë së plotë të këtij komisioni të posaçëm parlamentar, i cili përbëhet me 8 anëtarë nga mazhoranca, 8 anëtarë nga opozita dhe dy bashkëkryetarë, pra nuk do të ishte aspak pozitive që realizimi dhe formësimi i këtij konsensusi, për të cilin jam i bindur se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë presin prej kohësh, të kushtëzohej me qëndrime të tjera politike, të cilat natyrisht kanë të bëjnë edhe me dallimet politike midis një mazhorance dhe një opozite në një vend demokratik. Duhet të tregojmë vullnet për këtë reformë. Duhet të tregojmë shpirt bashkëpunimi për këtë reformë, sepse kjo është një reformë e domosdoshme për të modernizuar vendin, për të modernizuar administratën tonë vendore dhe për ta bërë atë më kompatibël me standardet evropiane.
 
Pyetje nga gazetarët

Z. Meta, një pyetje lidhur me Shërbimin Informativ Shtetëror. Ju folët për bashkëpunim mes palëve, ndërkohë që një ndasi e madhe midis mazhorancës dhe opozitës është pikërisht ky shërbim. Çfarë do të bëhet me të duke pasur parasysh që ndodhet në ngërç për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë nga ana e kryetarit të këtij institucioni. A është ai i ligjshëm apo jo siç pretendon opozita dhe të kundërtën pretendon mazhoranca?

Lidhur me debatin për çështjen e Shërbimit Informativ unë nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë e këtij debati publik dhe njëkohësisht në bindjen time protagonizmi i tepruar i cilitdo në këtë çështje, nuk i shërben qëllimit të përbashkët, besoj, të të gjithë aktorëve politikë për të rritur më tej efikasitetin e këtij shërbimi të rëndësishëm në interes të sigurisë së vendit, në interes të rritjes së kontributit të Shqipërisë kundër terrorizmit po kështu. Prandaj shpresoj dhe inkurajoj të gjithë aktorët që të sillen në mënyrë sa më të përmbajtur dhe institucionale kur bëhet fjalë për një shërbim të tillë të një rëndësie të veçantë dhe delikate.

Dje seanca plenare është karakterizuar nga një fjalor që ka shkelur kodin e etikës. Ju që qëndroni mbi palët çfarë masash do të merrni pasi ish-Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri aktual Edi Rama kanë shkelur kodin e etikës në atë seancë dhe në atë vend që duhet të jetë shembull për të gjithë shqiptarët?

Unë dua të shpreh keqardhjen time që prej disa javësh opozita po ndjek një qasje jo konstruktive. Jo vetëm që kjo qasje nuk është në interes të Kuvendit, si një institucion i përbashkët, por mendoj që nuk është as vetë në interes të opozitës sonë, si një forcë shumë e rëndësishme për demokracinë parlamentare dhe që duhet të reflektojë po kështu në Kuvend edhe pritshmëritë e përfaqësimit të qindra dhe mijëra qytetarëve që kanë votuar për Partinë Demokratike dhe për opozitën tonë. E theksoj që prej disa javësh ka një qasje jo konstruktive, për të mos thënë destruktive, pasi besoj se e keni vënë re që ka një interes të vazhdueshëm në emër të demokracisë, në emër të interpretimit të tyre tërësisht të një anshëm të rregullores, për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit. Ju e dini që për çështje jashtë rendit të ditës, sipas Rregullores së Kuvendit, në fund të rendit të ditës ka një kohë të përcaktuar që deputetët mund të regjistrojnë emrin pa kufizim dhe mund të shprehin pikëpamjet e tyre për çdo lloj çështjeje. Por, ju e keni vënë re se prej disa javësh asnjë prej deputetëve të opozitës nuk regjistrohet për të shprehur pikëpamjet e veta në fund të seancës, por të gjithë kërkojnë me insistim të bllokojnë punimet dhe funksionimin normal të seancave plenare dhe të diskutimit për çështjet që janë të vendosura në rendin e ditës. Ju jeni dëshmitarë që askush nuk i ka mohuar opozitës sonë të drejtën që të shprehet edhe përtej kohës që përcakton rregullorja, por duket qartë që kjo qasje e gabuar të fut në një qorrsokak i cili nuk është i dobishëm as për opozitës, nuk është i dobishëm as për Kuvendin dhe që sjell vazhdimisht tensione të panevojshme ndërkohë që ekzistojnë të gjitha hapësirat që të gjitha pretendimet, të gjitha çështjet të adresohen në mënyrë normale, demokratike dhe parlamentare dhe në kohën e duhur sipas vetë Rregullores së Kuvendit. Shpresoj që të ketë një reflektim për të ardhmen. Unë jam i hapur si Kryetar i Kuvendit që të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën sikurse kam bërë edhe deri tani. Por natyrisht që kjo frymë bashkëpunimi mungon deri tani për fat të keq nga lidershipi opozitar, i cili kërkon të kushtëzojë çdo vendim të Parlamentit, të gjithë ecurinë e tij dhe çdo vendim të mazhorancës sipas qëndrimeve të caktuara politike të vetë opozitës. Pra, kemi një problem, atë të mospërshtatjes ende në rolin në opozitës dhe të dëshirës për të drejtuar përsëri vendin, për të drejtuar dhe Parlamentin, për të drejtuar dhe Qeverinë, tani jo duke qenë në mazhorancë, por duke qenë në opozitë. Kjo gjë nuk mund të ndodhë në një demokraci parlamentare.

A duket sikur ju po ngrini duart përballë një situate të tillë ku Kryeministri dhe ish-Kryeministri kanë shkëmbyer replika deri në batuta banale mes njëri-tjetrit dhe ju jeni drejtues i seancës. Ndoshta pritet një rol bashkues, jo vetëm përmes simbolikash, siç i keni trajtuar gjatë këtyre muajve, por edhe një lloj moderimi më i fortë mes palëve duke pasur parasysh se në këtë Parlament jeni ju më i fortë se më përpara? Opozita ju akuzon si noter i akteve të keqqeverisjes së z. Rama dhe si i tillë Parlamenti, sipas saj, është anormal...

Unë shpresoj që edhe shqetësimet që ju keni shprehur edhe si media, të jenë një burim reflektimi për të gjithë deputetët dhe aktorët në Kuvendin e Shqipërisë dhe dëshiroj shumë që të ketë një rritje të ndjenjës së përgjegjësisë edhe në komunikim gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit, por edhe përgjithësisht në komunikimin publik midis politikanëve për të sjellë shembullin e bashkëpunimit edhe në shoqëri dhe midis qytetarëve tanë dhe jo për të sjellë modelin e konfliktualitetit tërësisht të sforcuar dhe të panatyrshëm. Prandaj, e çmoj dhe njëherë ftesën që Kryeministri z. Edi Rama i ka bërë Kryetarit të opozitës dhe të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha për të garantuar konsensus të plotë në zhvillimin e Reformës Administrative dhe Territoriale dhe njëkohësisht shpresoj që kjo ftesë dhe ky takim, që uroj që të zhvillohet sa më shpejt, të sjellin dhe të orientojnë politikën tonë drejt formësimit të bashkëpunimit dhe jo drejt rritjes së konfliktualitetit.

Kam edhe një pyetje rreth Shërbimit Informativ Shtetëror. Ka një konflikt të hapur mes Ministrisë së Brendshme dhe SHISH, një konflikt ku fjalën e vet e ka thënë edhe Presidenti i Republikës. Ju do të vazhdoni të qëndroni i heshtur ose nëse do të shkojmë deri në propozimet për ndryshimin e ligjeve dhe të Kushtetutës, në rast se do të kemi mosmarrëveshje dhe debat të vazhdueshëm mes institucioneve, ju do të mbështesni këto ndryshime ligjore që do të çonin në shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror? E keni bërë një gjë të tillë, keni kundërshtuar këto ndryshime ligjore të propozuara dikur nga ish-aleati juaj z. Berisha.

Unë besoj se çdo institucion duhet të vijojë punën e tij edhe në këtë drejtim dhe të përmbushi përgjegjësitë respektive. Dhe në këtë drejtim, e theksoj rëndësinë e madhe të evitimit të protagonizmit dhe sidomos të atij të tepruar nga cilido lidhur me punën, performancën e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm dhe të mos paragjykojmë asnjë proces. Për më tepër, që çdo proces do të jetë institucional dhe jam i bindur që do të jetë edhe transparent.

E megjithatë duke qenë se folët për një protagonizëm të tepruar. Për cilët nga palët e keni fjalën kur Kryetari i Komisionit të Sigurisë, z. Spartak Braho disa herë ka folur për Kreun e SHISH-it si të pacertifikuar dhe de fakto si një drejtues që nuk mund të kryejë detyrën e tij në një post që është shumë i rëndësishëm për vendin?

Unë nuk kam përjashtuar asnjë aktor nga protagonizmi i tepruar që ka shfaqur.

FMN dje bëri publike marrëveshjen mes Qeverisë shqiptare dhe asaj. A keni qenë Ju në dijeni të kësaj marrëveshjeje, pasi opozita ju akuzon se është arritur në fshehtësi?

Unë jo vetëm që kam qenë në dijeni të kësaj marrëveshjeje, por edhe kolegu im z. Berisha është në dijeni që prej tre vitesh kam kërkuar që Shqipëria të realizojë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar në mënyrë që të garantohet programi i reformave që forcojnë stabilitetin makro–ekonomik të vendit, duke pasur parasysh trysnitë e jashtëzakonshme që ka përjetuar ekonomia jonë si rezultat i krizës së vendeve kryesore partnere apo dhe i vetë situatës financiare në Eurozonë. Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka qenë e pashmangshme, ka qenë e domosdoshme dhe besoj që do të jetë e dobishme, pavarësisht se programi i reformave që kërkon implementimi i kësaj marrëveshjeje përmban shumë sfida. Por përballimi me sukses i tyre do të sjellë një ekonomi shumë më të qëndrueshme dhe pa asnjë diskutim që do të sjellë një rritje të ndjeshme të ekonomisë së vendit, një stabilizim dhe përmirësim të shpejtë të treguesve kryesorë makro-ekonomik, sidomos të borxhit dhe të deficitit në 2-3 vitet e ardhshme dhe pa asnjë diskutim do të jetë një burim mirëqenie në termat sidomos afatmesëm dhe afatgjatë për të gjithë qytetarët tanë.

Gjatë ditëve të fundit jeni vënë nën kritika nga ana e opozitës shqiptare lidhur me reagimin që keni pasur institucionalisht për çështjen e AMA-s për shkarkimin e znj. Endira Bushati. Cila mund të jetë zgjidhja për këtë situatë të krijuar së fundmi? Pyetje e parë dhe pyetja e dytë. Gjatë ditëve të fundit, Presidenti z. Bujar Nishani ka deklaruar se prej disa kohësh është në sulm të vazhdueshëm nga ana e mazhorancës. Sa përgjegjës ndiheni ju për këtë sulm që Presidenti deklaron se i është bërë atij dhe a mendoni edhe Ju ashtu si disa ministra nga radhët e ekzekutivit se Presidenti i Republikës nuk po arrin dot të qëndrojë mbi palët?

Së pari, portreti i Presidentit vazhdon që të jetë i palëkundur në zyrat e Kryesisë së Kuvendit dhe mund ta verifikoni direkt...

Edhe i znj. Topalli?

Akoma më shumë....Së dyti mendoj se ka një keqkuptim, ndoshta edhe nga vetë Presidenti, ku si qëndrime të mazhorancës vlerëson qëndrime të deputetëve të caktuar. Sepse ne jemi të ndërgjegjshëm që deputetë të caktuar mbajnë edhe qëndrime kritike ndaj Kryeministrit, ndaj Kryetarit të Kuvendit. Pra, flas për deputetë të mazhorancës, jo për deputetë të opozitës e kështu me radhë. Por, unë jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive, parimore, në interes të forcimit të institucioneve të pavarura dhe për këtë ka jo pak shembuj pozitiv, ku ndër më pozitivët është bashkëpunimi për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht, meqenëse ngritët çështjen e AMA-s, unë dua t’iu siguroj se opozita jonë e dashur ngre ato çështje, të cilat e shqetësojnë atë në mënyrë të njëanshme dhe për qëllime politike, por që realisht në fakt nuk kanë të bëjnë me shqetësimin e saj për integritetin dhe efikasitetin e institucioneve të pavarura. Sepse opozita jonë e dashur vetë është shqetësuar për çështjen e ILDKPKI-së, por të gjithë e dimë shumë mirë se jo vetëm emërimi qe politik, pasi një ish-zv.ministre është emëruar drejtpërdrejtë në krye të këtij institucioni tërësisht të depolitizuar, por ju e dini shumë mirë që ky institucion ishte i bllokuar jo për faj të kësaj mazhorance. Ju e dini shumë mirë që i gjithë stafi i këtij institucioni i krijuar kryesisht gjatë tetë viteve të kaluara, jo vetëm që nuk komunikonte me drejtuesen e këtij institucioni, por njëkohësisht edhe e denoncoi publikisht edhe tek të gjithë institucionet, përfshirë edhe Kuvendin për veprime antiligjore. Ne e dimë shumë mirë se kur filluam procedurat e verifikimit të këtyre pretendimeve disa herë u kërkua në mënyrë institucionale nga komisioni përkatës parlamentar për të komunikuar dhe për të dëgjuar krye inspektoren dhe ajo refuzoi të komunikojë me Kuvendin, nga i cili ishte zgjedhur dhe nga i cili varej si institucion. Por jo vetëm kaq, të paktën për një vit nuk ishte bërë asnjë kallëzim për ndjekje penale nga ky institucion, pra asnjë kontribut real në luftën për transparencën dhe për të dhënë kontributet e veta si institucion në luftën kundër korrupsionit. Sigurisht që ky është interesi politik i opozitës dhe është e drejtë e saj të zgjedhë si kauzë këtë çështje. Sepse natyrisht që opozitës nuk i intereson të vlerësojë marrëdhëniet shumë të mira që ne kemi me institucionin e Kontrollit të Lartët të Shtetit, drejtues i të cilës sikurse dhe ju vetë e dini, ka qenë një drejtues i Partisë Demokratike. Por i cili ndryshe nga ish-kryeinspektorja për herë të parë kërkoi vetë që Parlamenti në bazë të ligjit të bënte auditimin e vetë këtij institucioni, që është institucioni suprem i auditit në Shqipëri. Ju e dini që marrëdhëniet janë tepër bashkëpunuese dhe parlamenti po e mbështet, duke diskutuar dhe më pas duke miratuar një ligj të ri që do ta forcojë më tej rolin e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit. Ashtu sikurse opozitës nuk i intereson të përmendi marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunuese me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me Prokurorin e Përgjithshëm e shumë e shumë raste të tjera. Tani të vijmë tek AMA, meqenëse pyetët për këtë çështje dhe është shprehur edhe shqetësim për inkoherencën e shërbimeve të Kuvendit në trajtimin e kësaj çështjeje. Së pari dua t’iu sqaroj se për një kohë të gjatë paraqitja e përbërjes së AMA-s ka qenë me katër anëtarë nga shtatë gjithsej, dhe ka qenë një institucion i bllokuar dhe vetë AMA ka informuar Kuvendin nga ana e saj se janë tre vende vakante për anëtarë, gjë që është reflektuar në memon e parë që është bërë publike të shërbimit të monitorimit. Ndërkohë, pas debateve që janë bërë edhe në komisionin e mediave dhe publikisht është konstatuar se kryetarja e AMA-s, sipas vendimeve të Kuvendit në cilësinë e anëtares fillimisht dhe më pas të kryetares së ish-KKRT-së nuk legjitimohet në mandatin e kryetares, pasi ajo nuk është e zgjedhur më si anëtare prej shtatorit të viti 2012. Ligji i mëparshëm trajton anëtarin dhe kryetarin në mënyrë të barabartë, duke kushtëzuar mandatin si kryetar me qenien si anëtar i KKRT-së. Ky vlerësim është i mbështetur edhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte aktualisht tek AMA vendi i kryetarit është vakant pa përmendur këtu edhe tre vendet e tjera për anëtar. Ndërsa, lidhur me çështjen e koherencës së analizës së shërbimit të monitorimit, dua të sqaroj se shërbimit i monitorimit të Kuvendit në tetor 2013 ka analizuar vetëm mandatet e anëtarëve të institucionit të AMA-s bazuar edhe në vetë njoftimin e këtij institucioni, sipas të cilit ishin tre vende vakante dhe nuk ka analizuar mandatin as si kryetare dhe as si anëtare të vetë kryetares. Në mars 2014, ky shërbim analizoi pas debateve të bëra edhe në komisionin e medias, edhe mandatin e kryetares si anëtare. Dhe, këtu rezultoi se mandati aktual i kryetares në detyrë të AMA-s nuk mbështetet më në mandat anëtari. Por, natyrisht që analizat e kryera nga shërbimit i monitorimit janë tekniko-ligjore, mbështetëse dhe orientuese për organet e Kuvendit, të cilat kanë të drejtën e realizimit të vendimmarrjes. Unë mendoj se gjithçka duhet bazuar në fakte dhe nuk duhet bazuar thjesht në qëndrime të sforcuara partiake për interesa afatshkurtra.

Z. Meta, në këto gjashtë muaj ju mendoni se vetëm opozita është problemi, mazhoranca nuk ka asgjë për të ndryshuar? Dhe e dyta a jeni i shqetësuar që Shqipëria rrezikon të mos marrë statusin e vendit kandidatë për në BE në muajin qershor dhe a mendoni dhe ju njësoj si kryeministrit se faji kryesor është i ekstremistëve evropianë?

Ju e dini që unë nuk jam partizan i të qënurit perfekt, por jam partizan i përmirësimit të përditshëm dhe kjo vlen edhe për mazhorancën, por më shqetëson që opozita po përpiqet të bëhet një faktor bllokimi, jo një faktor bashkëpunimi për reformat për të cilat ka nevojë vendi. Nuk kemi nevojë as të vendosim ultimatume nga askush, jo vetëm nga opozita, por aq më tepër nga vetë mazhoranca, të respektojmë rregullat e lojës që kemi vendosur vetë. Të mos mbajmë qëndrime të dyfishta, pra kur na pëlqen dhe na intereson një çështje i referohemi një standardi të caktuar dhe kur nuk na intereson i referohemi diçkaje tjetër. Se kemi dëgjuar që mazhoranca e dikurshme nuk i ka ndërprerë asnjëherë mandatet, por besoj se nuk e keni harruar që mandati i anëtarit të KQZ-së u ndërpre në mënyrë antikushtetuese dhe në mënyrë të dhunshme, pikërisht në prag të zgjedhjeve duke sjellë pikëpyetje të mëdha për integritetin e procesit zgjedhor për të mos folur këtu për raste të tjera, që nuk dua t’i përmend këtu. Por ama edhe ju keni qenë të zhgënjyer nga kjo mazhorancë se keni pritur që menjëherë gjëja e parë që do të bëjë kjo mazhorancë do të jetë përmbysja e raporteve në KQZ me logjikën, se si veproi PD-ja në kundërshti me Kushtetutën dhe do të përpiqet të kontrollojë KQZ-në, por ju e shikoni shumë mirë se asgjë nuk ka lëvizur edhe në këtë drejtim dhe marrëdhëniet tona edhe të miat si Kryetari i Kuvendit me Kryetaren e KQZ-së janë gjithashtu shumë të mira dhe shumë bashkëpunuese. Pra, opozita duhet të zhvishet nga shumë paragjykime dhe duhet të shikojë përpara, nuk duhet të shikojë pas. Kjo është në të mirë të saj, kjo është në të mirë të vendit, është mirë për të gjithë. Ne do të vazhdojmë reformat dhe kur ta meritojmë do ta marrim, shpresoj që ta meritojmë sa më shpejt prandaj kemi nevojë të reflektojmë sa më shpejt.

Në rast se dështon një takim mes Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, a do të bëheni ju negociator për bashkimin e palëve, pasi kam parasysh se po kalon koha dhe komisioni për reformën e administrative-territoriale duhet të konkludojë punën brenda dy muajve te ardhshëm?

Unë besoj se PD-ja, pavarësisht nga fakti që ende nuk e ka pranuar rezultatin e 23 qershorit, pavarësisht nga pretendimet që ajo mund të ketë, edhe pse mund të ketë ndonjë pretendim të drejtë pasi nuk dua të jem i njëanshëm dhe nuk po them që i ka të gjitha të padrejta, shpresoj që ajo të mos humbasë vështrimin drejt së ardhmes, sepse ky do të ishte gabimi më i madh që do të bënte lidershipi i saj. Do të ishte shumë gabim që të binte pre e nervozizmit dhe e idesë se përmes bllokimit përmes përkrahjes së tensioneve vend e pavend do të arrijë të kthehet në pushtet. Ndërkohë që duhet të jenë më të qetë më konstruktiv me bashkëpunues, sepse në këtë mënyrë do të mund të ruajnë edhe ato trashëgimi pozitive që ka PD-ja për proceset integruese, për kontributin që ka dhënë për NATO-n, për liberalizimin e vizave e kështu me radhë. Pra, shpresojmë t’i shtojë kontributet e saj pozitive edhe në procesin e integrimit evropian sepse është një proces i përbashkët. Faleminderit.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin