Duke bërë një parashtrim të gjatë, se ende është i bindur se zgjedhjet me Edi Ramën janë farsë dhe jo garë e barabartë, Sali Berisha i prezantoi vetë propozimet e PD për reformën zgjedhore.

Berisha tha se PD qëndron për sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe një prag që nuk dëmton partitë e vogla, si dhe barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së.

“Ne qëndrojmë për lista plotësisht të hapura për një zonë të vetme kombëtare në proporcional të plotë. Po, një proporcional të plotë, me një prag të ujdisur, konsensual. Partia Demokratike qëndron plotësisht tek rikthimi, tek sanksionimi i të drejtës që të gjitha partitë politike që të mbledhin në koshin e vet të gjitha votat që hidhen për atë parti.

Po, larg duart partitë e mëdha mbi koshin e votave të partive të tjera. Listë të hapur të partive. Ne jemi për barazi të plotë në vendimmarrjen e KQZ-së. Jemi për lista të hapura 100 përqind për këshilltarët bashkiakë. Tjetër, ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë.

KQZ-ja aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare, e keni lexuar vetë, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta. Raundi i dytë në prani të qeverisë teknike do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh. Ne ftojmë të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve.

Jemi kategorik kundër çdo forme numërimi elektronik mbasi ky lloj numërimi është shfaqur me probleme të mëdha në shumë vende. Në Shqipëri po e po, por dhe vende të tjera të botës. Asnjë votim elektronik. Për votën e diasporës, duhet të diskutojmë gjerësisht se ne e pamë, nuk e kundërshtojmë kurrë të drejtën e tyre të votës, por mënyra e zbatimit të kësaj duhet parë, të gjejmë mënyrat më të sigurta, më transparente”, tha mes të tjerash Berisha.

Një draft të veçantë, PD ka hartuar edhe ndarjen e shtetit nga partia, element që ajo e konsideron prioritet në rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Sipas këtij drafti, përdorimi i burimeve shtetërore nga kandidatët duhet të shoqërohet me sanksione të rënda si gjoba, avlefshmëria e zgjedhjeve apo skualifikimi i kandidatit e heqja e mandatit.

"Ndalimi dhe rivendosja e ligjshmërisë duhet të realizohen përpara zgjedhjeve, ndërsa sanksionimi duhet të jetë i tillë që të ketë efekt edhe pas zgjedhjeve. Siç rekomandojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, sanksioni duhet të dhembë.

Për këtë arsye, kemi përgatitur disa lloje ndalimesh dhe sanksionesh.

Së pari, sanksionet administrative.

Personat përgjegjës do të humbasin vendet e punës për shkak të përfshirjes së tyre në skema serioze të përdorimit të burimeve shtetërore. Gjithashtu, do të parashikohen gjoba të rënda. Nuk do të bëhet më fjalë për gjoba simbolike prej 30 mijë lekësh të vjetra, si ajo e vetmja gjobë që vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e kaluara.

Së dyti, sanksionet penale.

Do të parashikohen vepra të reja penale, të formuluara në mënyrë të qartë dhe të detajuar, në mënyrë që SPAK-u dhe prokuroria të mos mund të shmangen nga zbatimi i tyre për shkak të paqartësive ligjore.

Kjo lidhet edhe me ligjin e dekriminalizimit, i cili parashikon ndalimin për 20 vjet të ushtrimit të funksioneve publike për këdo që dënohet për një vepër penale zgjedhore.

Së treti, humbja e mandatit.

Një risi e kësaj pakete është humbja e mandatit. Ai që zgjidhet dhe konstatohet se ka përfituar nga përdorimi i burimeve shtetërore humbet mandatin, ashtu siç e humbet edhe subjekti që ai përfaqëson.

Pra, ai që vjedh nuk mund të mbajë atë që ka vjedhur vetëm sepse është ndëshkuar.

Sigurisht, kjo do të shoqërohet me një mekanizëm garancish ligjore dhe kushtetuese, ku Gjykata Kushtetuese do të jetë organi kompetent për shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e vendimit përfundimtar.

Së katërti, pavlefshmëria e zgjedhjeve.

Nëse përdorimi i burimeve shtetërore është i një shkalle të tillë që ka ndikuar në të gjithë zonën zgjedhore apo në të gjithë Shqipërinë, atëherë kjo duhet të çojë drejt pavlefshmërisë së zgjedhjeve.

Ky nuk është një koncept i panjohur për legjislacionin tonë, pasi parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor në fuqi", tha mes të tjerash bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi.

Pavarësisht kushteve në tryezë për një reformë konsensuale që prek edhe kushtetutën e për të cilët do të duhej bashkimi i votave me maxhorancën, PD ka nisur paralel punën për kandidatët e vendoreve. Një udhëzim i publikuar një ditë më parë autorizon strukturat demokrate të gjurmojnë figurat potenciale. Megjithatë, në disa bashki PD pritet të mos ketë supriza. Për Tiranën ajo do të garojë Ilir alihmehmetin, ndërsa në Shkodër projekti është për kliti hotin. Pa një kandidat hije PD është në bashki të tjera të mëdha si Durrësi e Elbasani.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë