TIRANË- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me kryedemokratin Lulzim Basha.

Takimi ka nisur në orën 7:30 dhe është zhvilluar në selinë blu. Burime bëjnë me dije për gazetarin e Report Tv, Elis Memelli se në fokus të këtij takimi ka qenë Reforma Zgjedhore ku mësohet se opozita ka ndërtuar një strategji me anë të cilës ka kërkuar dhe ngritjen e një grupi ekspertësh që do të paraqesin një draft me propozime.

Ky takim vjen dy para se PD të zhvillojë këtë të dielë në orën 11:00 një mbledhje të përbashkët me kryesinë e partisë dhe ish-grupin parlamentar. 

Edhe më herët në tryezën e thirrur nga OSBE për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso kërkoi ngritjen e një strukture të posaçme ekstraparlamentare për të realizuar këtë Reformë. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar", tha Kaso.

Megjithatë, një propozim i tillë nuk është pranuar nga kryeministri Edi Rama i cili tha nga SHBA-ja se "nuk pranon përkthyes për shqiptarët".